Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Një ditë vjeshte si kjo

 

Lajmet e fundit fillojnë si përrallat e bukura:

na ishte njëherë shpresa dhe qyteti i gëzuar.

Tani ka tym, mjegull dhe gurë pikëllimi.

 

Njerëzit shëtisin të hutuar.

Pinë kafe bashkë me fantazma

dhe rrëfehen para tyre

si Konstandini kur e sillte Doruntinën te ëma e vet.

 

Nëpër rrugët e ngushta mendimet janë të ngushta

dhe marrin n’ thua edhe ata që sytë i bëjnë katër.

 

Na ishte njëherë një kohë kur lirinë e prisnim nga lajmet.

Tash lajmet na dëftojnë hijet që kukurisin dhe njollosin lirinë.

 

Përtej horizontit në malet e thepisura

shihet dëborë dhe një dimër i acartë pa fund.

 

Oh! Në një ditë vjeshte si kjo,

me lirinë e tepruar të imagjinatës

shoh gra të bukura

që luajnë me gjethe vjeshte

dhe matanë ekraneve një çetë politikanësh

si bëjnë plane të mjegullta.

 

Një ditë vjeshte si kjo,

njerëz pa skrupuj shëtisin rrugëve të boshatisura.

Ata kanë abortuar lirinë

dhe shfaqen çdo mbrëmje në ekranet tona të mëdha.

Na dëftojnë si formohet mbretëria e marrëzisë

para syve që s’shohin gjë në mjegull.

 

Një ditë vjeshte në fund

ndala orën dhe përmes dritares

pashë silueta njerëzish të mërzitur

një qytet të mërzitur

gra të mërzitura

fëmijë të mërzitur

dhe një grusht politikanësh të lumtur.

Please follow and like us: