Albspirit

Media/News/Publishing

Gjermania kërkon ngrirjen e negociatave me Serbinë për anëtarësim në BE

Kritikat në Gjermani po shtohen ndaj politikës së Serbisë për vizat, e cila ka sjellë një fluks të shtuar të emigrantëve të paligjshëm drejt Gjermanisë, ndërsa Partia Liberal-Demokratike (FDP) në pushtet ka kërkuar sot ngrirjen e negociatave të anëtarësimit midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian. “Serbia po dërgon njerëz të shumtë nga vende si: India, Burundi dhe Tunizia në Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh këtë, ne besojmë se negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE duhet të ngrihen. Një nga arsyet pse gjithnjë e më shumë njerëz kërkojnë mbrojtje në Bashkimin Evropian është politika e Serbisë për të lejuar persona nga jashtë Bashkimit Evropian të hyjnë në vend, të cilët më pas i dërgojnë në Bashkimin Evropian. Qeveria serbe shkakton vuajtje njerëzore dhe synon të destabilizojë Evropën”, tha Konstantin Kuhle, nënkryetar i klubit përfaqësues të FDP-së në pushtet. Sipas medias kroate “Index.hr”, në një intervistë për revistën e përjavshme Der Spiegel, Kuhle kritikoi edhe afërsinë mes Beogradit dhe Moskës. “Një vend që justifikon dhe mbron një luftë agresioni kundër një vendi tjetër evropian nuk duhet të jetë anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Kuhle. Edhe ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser nga Partia Social Demokratike e Gjermanisë, SPD ka përsëritur sot kritikat e saj për politikën e vizave serbe. Ajo kritikoi politikën e vizave të Beogradit. “Serbia duhet të përshtatë politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian. Kjo politikë është e orientuar se cili shtet nuk e ka njohur Kosovën. Kjo është e papranueshme”, tha Faeser. Ministrat e punëve të Brendshme të provincave federale gjermane kërkuan këtë javë, në një takim krize për shkak të fluksit drastik të refugjatëve, të ushtrohet presion ndaj Serbisë për të ndryshuar politikën e vizave, e cila është një nga arsyet e rritjes së ardhjes së refugjatëve nëpërmjet i ashtuquajturës rrugë ballkanike./tch

Please follow and like us: