Jo si dy Gjermani/Fitimtarë ndaj pan-sllavizmit, refuzojnë kategorikisht përngjasimin tragjik!
Pamje të krimeve që forcat e Serbisë i kryenin ndaj civilëve shqiptarë
Kosova nuk mund të eksperimentojë me idetë e dy Gjermanive
Në rastin më të mirë, ideja e dy Gjermanive, do të duhej të korrigjohej, në idenë e dy Shqipërive.
Edhe ne jemi të ndarë afërsisht në të njëjtën kohë (në kuptimin historik 32 vjet janë tepër pak), më 1913, Gjermania u nda me 1945.
“Kosovarët janë përplot urrejtje ndaj Enver Hoxhës. Është mirë të mbahet mend ky fakt dhe të shfrytëzohet në momente vendimtare të një konflikti të ardhshëm. Nën okupimin jugosllav, shqiptarët bënë sakrificë mbinjerëzore për të mbrojtur lirinë e tyre, atë individuale dhe atë kombëtare. Ata derdhën gjakun pa rezervë në luftë kundër komunistëve dhe sllavëve, pasi që për inspirim kishin idealin e atdheut të tyre. Kosovarët, edhepse e dinin që italianët e gjermanët ishin pushtues, ata i falënderojnë dhe rikujtojnë me simpati, pasi që ishin pikërisht këta pushtues që iu dhanë lirinë (shqiptarëve) për t’i luftuar sllavët komunistë. Ky popull i mbetet besnik kauzës së vet kombëtare dhe e vë veten në dispozicion të cilësdo fuqi të civilizuar e paqedashëse, e cila ua lejon atyre luftimin e pan-sllavizmit të maskuar si komunizëm”.
Pavarëa si një ngjarje aksidentale
Askush në mënyrë të përmbledhur nuk e ka shpjeguar fatin e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore dhe qëndrimet që u detyruan të mbajnë ata. Ky raport, po ashtu qartëson, se shqiptarët janë kurdo të gatshëm ta luftojnë pan-sllavizmin.
Dhe si duket lufta ndaj këtij pan-sllavizmi nuk ka përfunduar ende. Kjo i jep edhe më shumë kuptim, pse ndaj shqiptarëve nuk duhet të ushtrohet kurrfarë presioni, sepse ne kemi qenë edhe kundër komunizmit, që ishte maskim i pan-sllavizmit, por edhe ndaj ideologjisë serbe.
Gjithashtu, është një argumentim, se pse Kosova duhet ta refuzojë, pra të mos e pranojë në asnjë mënyrë një dokument, që përmban idenë e dy Gjermanive, qoftë edhe si aluzion.
Prandaj, ne nuk mund të pajtohemi apo kënaqemi me vetëm një ide bashkimi, që në fakt, neve na konoton, me idenë e bashkimit me Serbinë.
Pra, duke e konsideruar pavarësinë e Kosovës vetëm si një ngjarje aksidentale të gabuar, e cila ndodhi si rezultat i ndarjes nga Serbia.
E vërteta është krejtësisht ndryshe, sa do që përpiqen shqiptarët që të gjejnë përngjasime, madje të pagjendura.
Shqiptarët, siç e thamë, Kosova por, edhe shqiptarët e Maqedonisë, u ndanë nga Shqipëria, si rezultat i trysnisë diplomatike, që kryesisht vinte nga Rusia dhe boshti ortodoks që të lejonte zgjerimin e shteteve ballkanike ortodokse në dëm të shqiptarëve.
Që nga krijimi i principatës serbe, me 1804, dhe madje para themelimit të saj, filloi dëbimi i shqiptarëve nga Beogradi, ku përbënin një numër më të madh se vetë serbët. Më pas, sipas historianëve shqiptarë, vetëm nga ajo periudhë deri në vitin 1876, pra dy vite para Kongresit të Berlinit, serbët dëbuan shqiptarët autokton nga territoret që do t’i njiheshin më vonë Serbisë, rreth 600 qytete dhe fshatra.
Po as të tjera do të zbrazeshin nga dëbimi masiv, nga vrasjet masive, gjenocidi, uzurpimi i pronave private, dhe do të dëboheshin për në Turqi, dhe viset tjera, që ende Perandoria osmane i mbante të pushtuara.
Dhuna e egër
Sipas disa shkrimeve, vetëm nga viti 1877 deri më 1912 vetëm nga rajoni i Vrajës u dëbuan shumica e shqiptarëve, nga mbi 100 mijë që jetonin atje.
Dhuna e egër, e shoqëruar me dëbim të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, dhe me kolonizim, pra duke sjellur kolonë serbë në vitet e para Luftës së Dytë Botërore dhe në saje edhe të një marrëveshje ndërshtetërore, tashmë Turqi-Jugosllavia mbretërore, ku si pasojë u dëbuan edhe disa qindra mijëra shqiptarë, iu morën pronat dhe ky hov u ndërpre me pushtimin nga Italia fillimisht dhe nga Gjermania.
Vetëm deri në atë periudhë besohet se nga shteti serb dhe regjimet që dominonin serbët në ish Jugosllavitë, kanë ekzekutuar rreth 500 mijë shqiptarë dhe kanë dëbuar apo sot jetojnë të dëbuar si shqiptarë dhe me origjinë shqiptare rreth 10 milionë, në Turqi dhe Perëndim.
Pa e llogaritur gjenocidin e kryer në luftën e viteve 1998 e 1999, dëbimet dhe terrorin që e shokuan botën.
Pra, e sollëm këtë në vëmendje për të dëshmuar se krahasimet se si dy Gjermanitë edhe Kosova dhe Serbia, nuk qëndrojnë në asnjë rrafsh.
Gjermania Lindore iu shkëput Gjermanisë, si pasojë e vendosjes së forcave ruse dhe në anën tjetër të forcave perëndimore, kryesisht anglo-amerikane, dhe u krijua ndarja si rezultat i ndarjes ideologjike.
Dhe kurrë më parë, nuk kishin ekzistuar dy Gjermanitë dhe kurrë Gjermania Perëndimore (RFGJ-ja) nuk kishte kryer gjenocid ndaj asaj lindores. Pra, ishte thjesht ndarje ideologjike, që mori fund me rënien e komunizmit në Lindje, përkatësisht me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe bllokut lindor. Ishte një ndarje, si pasojë e pushtimit të Gjermanisë, pas humbjes së nazizmit dhe ishte në kundërshtim me vullnetin e popullit gjerman, i cili çoi në bashkimin e tyre me 1989.
Andaj, për shqiptarët është e dhimbshme, që vetëm thjesht t’iu përmendet si mundësi hipotetike, bashkimi me Serbi. Andaj, asnjë dokument, as në përmbajtje, as në formë nuk do të duhej ta lejonte përmendjen e përvojës së dy gjermanive.
Shqiptarët ia kanë dalur që të shkëputen përgjithmonë nga Serbia, dhe pansllavizmi, dhe nuk ndjejnë asnjë nevojë për të.