Albspirit

Media/News/Publishing

Mevi Rafuna: Pasyrat talleshin me neve

 

1.

Shpirti im jeton mes dy botësh…

në luftë mes errësirës dhe dritës!

Beteja të pafunda, ankthe, mallkime, gëzime e lotë.

Transformohet qenia ime, që ndonjëherë nuk arrij ta kuptoj.

Nuk arrita ta kap dot as veten time, në pasqyrë shoh një portret të panjohur që më Gjykon.

 

Unë mundohem t’i flas por duket sikur ajo qenie që duket si unë, matanë pasqyrës  nuk më njeh mua.

Apo më injoron qëllimshëm.

 

Se di,  kush jam unë,  a jam kjo që dukem apo diçka tjetër. Bota më duket shpesh e panjohur, por më e panjohur më duket vetja ime, qenia që e mbajë e shpesh nuk më bindet.

 

Triumfi i botës është Njohja e Vetvetes.

Shpresoj të takohem me vetveten pa u larguar nga kjo botë…

 

2.

Ti nuk je dashuri… je një i huaj.

Po, andaj mos u çudit!

Kërkova diçka më madhore në këtë botë.

Nuk e dua asnjë Robëri, as atëherë kur ajo më vjen në emrin e Dashurisë.

 

Unë t’i dhashë krahët e mi sepse besova në Hijen e fjalëve tua.

Hije… që tani si një gjarpër tinëzar përthekon të kaluarën time.

 

Unë jam në mëdyshje se nuk di a jetoj, a kam jetuar apo kur duhet t’ia nis jetës përsëri.

A të ja nis jetës nga e kaluara, nga e tashmja apo nga e ardhmja.

Unë kam humbur mes këtyre realiteteve dhe mes kohësh të përziera që më nuk ekzistojnë.

Pres Orën që me akrepat e saj të bie si një këmbanë mbi kokën time.

Të më shkund apo të më zgjoj!

Kështu si jam unë vetëm i ndërroj orët dhe datat në kalendar, pa diçka të shënuar…

Madje se kujtoj as orën kur ti dhe unë u pamë për herë të parë.

 

3.

Ka persona që ta vjedhin Jetën në emrin e Dashurisë…

S’e kisha kuptuar kurrë se ai ishte një Vampir Energjie, derisa u gjenda në një moment mes jetës dhe vdekjes.

Pas një kohe të gjatë, kur s’ishim pa as s’ishim taku, e pyeta çfarë do më nga unë?!

 

Më tha e dua shpirtin tënd…

 

4.

Mos më pyet për Çmimin që e pagova për të jetuar këtë jetë.

Ardhja jonë në këtë botë është përmes britmave dhe vajeve.

Asnjë foshje nuk doli nga mitra e nanës duke qeshur.

Çfarë e frikëson më së shumti njeriun?!

Frika nga e Panjohura.

Dhe ne vijmë në këtë jetë të panjohur që dikur besojmë se e njohim…

Por realiteti është tjetër gjë.

Pyes si mund ta njohim botën kur nuk arrijmë ta njohim asnjë copë veten?

 

Njohja e vetes vjen pas një kataklizme shpirtërore… të cilës shumë pak arrijnë t’i mbijetojnë.

E të rilindin përsëri.

Këtë herë jo nga mitra e nanës por të rilindin nga shpirti i tyre.

 

5.

Kur pasqyrat thehen

 

U mësuam t’i shofih portretet tona

Çdo ditë;

dhe ashtu e kuptuam se cilët jemi ne

Pasqyra që reflektonin veç të tashmen

Dhe se projektonin dot të ardhmen

Dëshironim që portretet të na shfaqeshin ndryshe

Por ato siç ishin paraqiteshin

ne neveriteshim

Tri kohë në asgjë

Asgjë ndiheshim dhe ne

U shndërruam në shpirtra të kalbur

Të mbështjellur me hirin e keqësisë

Ndërsa pasqyrat talleshin me neve…

Please follow and like us: