Rexhep Shahu: Ti vizaton fatin
Unë nuk i kam duart e tua rreth qafe
Por pesha e tyre më rëndon sa ëndrrat
Unë nuk i mbush më duart e mia me ty
Por poret e lëkurës së duarve të mia janë ding me ty
Buzët e mia janë plot me puthjet e tua
Faqet e mia kanë ngrohtësinë e dorës tënde që më përkëdhel
Mjekra ime është në dorën tënde që e puth me afsh
Buzët e mia kanë mbetë në ty
Shih duart se i ke aty.
Tani ti vizaton fatin në mua
Hartën e shpresës në sytë e mi
Udhët ku më merr përdore në rudhat e mia
Të më bësh fëmijë.
——-
(Nga libri ‘Dita e gjashtë’, Rexhep Shahu).
————–
Rexhep Shahu është poet i njohur. Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimin në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.
Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të. Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.
Ka provuar gjithfarë lloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri… Ka jetuar me mineral kërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri.
Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë. Aktualisht është botues dhe kryeredaktor i illz, revistë letrare e Tiranës.
Rexhep Shahu ka botuar:
1. MALI I HËNËS – vëllim poetik (Tiranë, 1998);
2. BREGU I BRENGËS – vëllim poetik (Prizren, 2000);
3. MISIONI PËR PAQEN – publicistikë, krizes së Kosovës 1998-1999 (Tiranë, 2001);
4. BLLACA – (monografi) – 2002;
5. MARSI I MINAVE – publicistike, për ngjarjet e Kosovë 1998-2000 (Tiranë, 2006);
6. LIS I VETËM NË FUSHË – Vëllim poetik, (Tiranë, 2011);
7. APOLOGJI PER UDHEN E KOMBIT – Publicistike (Tirane, 2012);
8. QYTETI I LUTJEVE – Poezi, Tirane 2014;
9. BUKEN TONE TE PERDITSHME, publicistike, (Tirane, 2014);
10. ISMAIL RAKA – SYTË E LIRISË – Monografi per heroin e Kaçanikut, (Tirane 2014);
11. KJO VERË MËRZIE – Vellim poetik, (Tiranë, 2015);
12. KU ISHE TI HERO – Publicistikë, Tiranë, 2016;
13. SHKRIMTARËT PËR HAVZI NELËN – SHPIRTI I LIRË I LUMËS, – Përgatitës, Tiranë, 2018;
14. HAVZI NELA – SHTATË FLETORE, Vepra e plotë me 5548 vargje, – Përgatitës, Tiranë,2018;
15. BISEDË ME HAVZI NELËN, – Publicistikë, Tiranë, 2019;
16. FALEMINDERIT DOKTOR ALUSHANI, – Rrefime, Tiranë, 2020;
17. DITA E GJASHTË, – Poezi, Tiranë, 2020;
18. RRAHMAN ZEQIRAJ – NJE STATUJE KUJTIMESH, monografi, Tiranë, 2020
Rexhep Shahu është kryetar i Klubit të Poezisë, organizatë kulture që synon të mbledhë bashkë gjithë poetët shqiptarë në hapësirën e tyre dhe në diasporë.