Albspirit

Media/News/Publishing

Feliks Haxhija, detektivi më i kërkuar në SHBA, nderohet me çmimin si investiguesi më i mirë për vitin 2022, në Florida

 

 

Eneida Jaçaj

 

Suksesi dhe një karrierë e mirë, e shtrirë në kohë, do të thotë punë, përkushtim dhe pasion! Suksesi është fruti i një pune të gjatë, është vlerësimi që njeriu ia bën dhuratë vetes pasi ka sakrifikuar dhe ka derdhur mundin e tij, në atë fokus që i ka vendosur qenies së tij! Vlerësimet apo çmimet që do të shfaqen gjatë karrierës, do të jenë “kurora” e një suksesi të konsoliduar, e sakrificave të pashtershme, nga ku njeriu ndërton një themel me bazë të fortë, të palëkundshëm dhe largpamës. Triumfi i fitores është “maja e ajzbergut” për këdo që dëshiron të thyejë akullin me punë dhe arritje! Puna e përgjegjshme dhe sakrifikuese është e vetmja që nuk do të të tradhtojë, por, herët a vonë do të të shpërblejë dhe do të të vendosë në vendin që meriton!

Feliks Haxhija është sinonim i punës së përgjegjshme, seriozitetit, përkushtimit, i cili ka arritur majat e suksesit në fushën e zbulimit. Haxhija nuk po ndalet, por po njeh vetëm suksese dhe vlerësime. Triumfi dhe altari i nderit është vendi që Feliks Haxhija ka pozicionuar veten, por edhe kombin! Pasi është vlerësuar me shumë çmime si detektivi më i kërkuar në Dallas, Feliks Haxhija merr çmimin e radhës si investiguesi më i mirë për vitin 2022, në Florida. Kompania e tij, “Feliks Investigation Group”, është përzgjedhur si më e mira dhe më e kërkuara në fushën e zbulimit. Nëse do të kërkoni në Google, “Feliks Investigation Group”, do të gjeni se kjo kompani i ka review-të më të mira dhe ka marrë 5 yje (five stars). Një vlerësim i tillë është shumë i rrallë të arrihet, pasi të jesh detektiv privat dhe të drejtosh një kompani të tillë është një punë shumë e ngarkuar dhe kërkon shumë kohë, duke sakrifikuar veten por edhe kohën për familjen. “Feliks Investigation Group” operon në Boston Ma, Manchester NH, Tampa FL dhe Burlington VT.

Feliks Haxhija është një djalë serioz dhe shumë punëtor, i cili është mjaft i kërkuar nga amerikanët që vinë jo vetëm nga shtetet ku kompania e tij operon, por edhe nga komuniteti shqiptar. Atij i kanë besuar shumë raste që kanë patur nevojë për zbulim, duke filluar nga çështje tradhtie, familjare, personale, ndërpersonale, të cilat Feliksi i ka përmbyllur me sukses, duke ndihmuar në zgjidhjen e shumë problemeve shoqërore. Feliks Haxhija është një ndihmë e madhe dhe zgjidhje për secilin që ka nevojë për dritë në çështje të ndryshme. Një çështje që të marrë një drejtim të caktuar dhe të duhur, ka nevojë për shumë fakte zbuluese, transparencë dhe korrektësi. Feliksi me kompaninë e tij investiguese është i gatshëm të dëgjojë çdo problematikë dhe të japë kohën e tij të mjaftueshme të zbulimit.

Që prej moshës 16 vjeçare, kur fitoi lotarinë amerikane, Feliks Haxhija jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai jeton tashmë prej 22 vitesh në Amerikë. Kreu studimet atje në fushën e Kriminalistikës; përfundoi Masters Degree in Criminal Justice and Minor Security në vitin 2012. Më pas filloi punë si detektiv privat për NWI Investigations, ndërsa në vitin 2017 hapi agjensinë e tij “All Access Investigations”. Më pas, në vitin 2019 hapi Feliks Investigations Group LLC në 4 shtete. Puna, profesionalizmi, suksesi i çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, na nderon si komb dhe na shtyn akoma më shumë për t’i dhënë prestigj emrit Shqipëri.

Pjesa dërrmuese e të rinjve shqiptarë janë diplomuar në shkollat më të mira jashtë vendit, duke shkëlqyer në profesione e tyre dhe mbajnë poste të rëndësishme në vendet ku jetojnë. Komuniteti shqiptar shkëlqen si drita e diellit, duke ndriçuar jo vetëm veten, por duke lartësuar edhe kombin shqiptar. Pikërisht, Feliks Haxhija është një ndër ata shqiptarë që na bën të ndihemi krenarë. Suksesi është triumfi i punës së palodhshme, e cila gjithmonë do të të vlerësojë dhe do të nxjerrë në dritë!
 

Please follow and like us: