Truri i Ajnshtajnit ishte “Low Tech”, paçka se Racional!
(Grafika – Ekuacioni revolucionar i Teorisë së Relativitetit të Ajnshtajnit dhe “kapaciteti” i trurit të njeriut i kufizuar prej 4 TB:)
Truri i Ajnshtajnit ishte “Low Tech”, paçka se Racional!
S. Guraziu – AP Sh 2017 (diç si Humoreskë…)
Kujdes si e “përdorni” trurin, mos e mbushni me thashetheme e gjërash kot, përdoreni racionalisht. Sepse kapaciteti i trurit për “depozitat” nuk është i pakufizueshëm. Në fakt, ekspertët e kanë matur saktë kapacitetin tonë për “memorizim” – është vetëm 4 TB (terabytes), thonë ata. Larg keqkuptimit, kjo s’është pak, por dmth. gjithçka që kemi në kokë do zinte vend në 80 disqe “blu ray”!
Pastaj trurin duhet ta shihni pakashumë si ato trakat e vjetra magnetike të audio-kasetave, padyshim ju kujtohen. Me sa mbaj mend, në to mund të inçizohej në të dy “kahjet”. Por vetëm 2-3 herë, inçizimet e mëpastajme s’ishin kurrë kualitative. Për ta kuptuar këtë “degradim” s’na duhet fare ndihma e ekspertëve. Sikur dhe vetë mund ta hetojmë fenomenin e rënies së cilësisë së mbamendjes.
Për rinorët s’vlen, kuptohet, por shumkush nga ne mund ta ketë përshtypjen që dikur në rini më lehtë i mbanim mend gjërat, apo jo. Tutje secilën herë e më vështirë. Sepse padyshim ka t’bëjë me “fshirjen” e shpeshtë dhe me inçizimet e reja pa kualitet. Njësoj pra, e njëjta mangësi e audio-kasetave të dikurshme magnetike.
Kuptohet, tashmë disqet “blu ray” janë teknologji shumë më të avancuar, me qindra në mos mijëra audio-kasetash do zinin vend në 1 disk të vetëm. Fjalët e fundit të teknologjisë janë pikërisht mburrje lidhur me disqet e tilla “blu ray”. Pse jo, le të mburren, ua heqim kapelën mrekullive moderne. Për t’i ujdisur ato, shkencëtarët vetë DRITËS ia patën bërë me hile, dmth. është një lloj “teknologjie e dritës”. Ama s’na garanton kush që truri ynë funksionuaka sipas metodës “blue ray”.
Si garanci e “jogarancisë” (me diç më të përafërt me arsyen) ia vlen të dyshojmë, ndoshta as vetë truri i Ajnshtajnit s’ishte “blu ray”. Por thjesht aso tekno-dekadence e shiritave “lyer” me magnetizmin. Siç e dimë ai pati kontribuar dhe vetë për shkencat optike, madje dhe Nobelin e pati fituar “lidhur” me optikat. Kontributi i dhjetra shkencëtarëve ndihmoi për shpikjen më vonë të disqeve të ndryshme, jo vetëm të atyre “blu ray”.
Pra Ajnshtajni ishte vetë kontributor i madh për shkencat “high tech”, aq i madh… sa ishte nobelist. Ama fare lehtë truri i tij mund t’ketë qenë “low tech”, nuk ishte “blu ray”. Dhe siç e dimë, fuqia analitike, mençuria, urtësia… dhe në anën tjetër kapaciteti për inçizimin-memorizimin e informacionit, janë 2 gjëra fare të ndryshme. Të vërtetën do e “shpalosim” në rreshtin e fundit…
Ekspertët e tekno-shkencave na mahnitin me lloj-lloj kuriozitetesh, psh. ata thonë se kapaciteti depozitues i trurit të njeriut është baras me 4% të Bibliotekës së Kongresit. Se si është kalkuluar ky kuriozitet nga ta, s’e kemi idenë. Por le t’themi rishtas që kjo 4-përqindje s’është aspak e “vogël”, përkundrazi. Ama e qartë, gjërat janë të kufizuara, ky është ai thelbi i hidhur brenda bërthamës.
Si ngushëllim sadopak, ndoshta mund të mburremi duke thënë që vetëm 25 koka na nevojiten (kuptohet, aso fringo… të pashpenzuara) dhe në rast zjarresh a tërmetesh, s’do na ndodhë kurrë ç’pati ndodhur dikur me bibliotekën e Aleksandrisë. Sepse gjithë materialet e Bibliotekës së Kongresit do t’i rehatonim në sirtarët e këtyre 25 kokave. Ama ç’e do, sa na “ngushëllon” një fakt i tillë, pothuaj ndoshta aspak : )
Po ashtu, nëse eventualisht kemi kokë më të “madhe” se mesatarja dhe pandehim që truri jonë do jetë më i madh (gjoja në proporcionalitet me kokën), do gaboheshim rëndë! Le t’i afrohemi të vërtetës… Shkenca ka bërë çmos duke e studiuar trurin e Ajnshtajnit (madje dhe gjerash qesharake, mirëpo do i shmangeshim temës, ndoshta herë tjetër). Jo vetëm që e kanë ruajtur e konservuar, por e patën prerë holl si petët për bakllava, 240 “slide” si petë ajnshtajniane i patën ruajtur për t’i studiuar shkencëtarët e së kaluarës, të së sotmes, të së ardhmes.
Kushedi, ndoshta dhe 10 shekuj tutje njeriu do të çuditet me trurin e Ajnshtajnit. Sepse s’ishte as 1 mikrogram më i rëndë sesa truri mesatar, as 1 nanometër më i madh. Përkundrazi, “çudia” konsiston… ose bazohet në faktin që truri i tij ishte rreth 130 gramë më i vogël sesa mesatarja e trurit tonë. Nëse ekspertët thonë që ne i paskemi 4 TB vend, atëherë sipas logjikës dhe sipas ligjeve të fizikës Ajnshtajni duhet t’i ketë patur më pak… ndoshta rreth 3. 87 TB.