Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Aromë femre…

Trëndafilat, kanë aromën e një gruaje. Brishtësia e petaleve i fsheh delikatesën, kur në mëngjes i hedh pak parfum lëkurës së qafës së brishtë edhe pse ajo mbahet e fortë përballë furtunës së jetës.
Èshtë në përkujdesjen e një vajze të re e cila nuk mund të ndjekë shkollën sepse po kujdeset për të voglin e saj, në orët pa gjumë të natës, kur nuk ka mbetur aspak kohë për të dhe u bënë ditë që ajo nuk e ka parë veten në pasqyrë. Por ajo është e bukur, përkushtimi i saj është i bukur, sakrifica e bukur, butësia, qetësia, durimi… Ah të jesh grua! Sa shumë vëmendje dhe dashuri japim ne gratë dhe vajzat… dhe kur duhet ta marrim këtë ndjesi në këmbim kuptojmë se ajo është magnet… vjen veç nëse së pari mësojmë t’ia dhurojmë vetes.
Gjithmonë i kam parë me admirim vajzat dhe gratë. Unë besoj se ata mund t’i bëjnë të gjitha! Të studiojnë ndërkohë që janë bërë nëna, të punojnë nga shtëpia ndërkohë që i duhet të punojnë edhe me shtëpinë. Kam parë vajza të reja të vrapojnë për të ndjekur ëndrrat e tyre ashtu siç kam parë vajza t’i ndrydhin në sirtar dhe t’i jetojnë vetëm mbrëmjeve… kur flladet e ëndërrimit ia ngrohin lehtë supet. Kam njohur vajza të guximshme që besojnë se mund të ia dalim ti bëjnë të gjitha dhe ia kanë dalë. Nuk mendoj se ka diçka që ne gratë dhe vajzat nuk mund ta arrijmë.
Kam parë motrën time të mbrojë me rezultate fantastike temën e diplomës, ndërkohë që sapo ishte bërë nënë për herë të parë, kam parë mamanë time të kujdeset për gjyshen siç dikur gjyshja kujdesej për mamanë time kur ishte e vogël. Pra gjithçka në këtë botë është cikël dhe në këtë rreth të brishtë emocional, ne jemi aty për njëra-tjetren. Tjetra është pasqyra jonë. Zemra më mbushet plot kur shoh mikeshat e mia që janë bërë mama të reja, me mendësi të bukura, po rrisin djem të butë, të kulturuar, djem që i duan nënat, djem që i duan motrat dhe janë shokët e tyre më të mirë. Djem që i duan dhe i mbështesin vajzat që në lojërat e fëmijërisë.
Ka një frymë të re mes vajzash, mes nënash, një frymë që po rrit djem më të mirë dhe vajza të sigurta e të mbushura me dashuri, në familjen e tyre.
Vajzat mund të gatuajnë, mund të jenë kampione në sport, mund të jenë nëna të përkushtuara, profesioniste të zonjat, sipërmarrëse në biznes, bashkëshorte motivuese dhe mbështetëse, mund të studiojnë, punojnë dhe krijojnë familje njëkohësisht. Nëse je vajzë/grua dhe e lexon këtë shkrim të lutem beso se ti mund t’i bësh të gjitha. Nuk ka asnjë recetë fikse, nuk ka barriera, nuk ka komplekse, nuk ka asnjë rëndësi se çfarë do të thonë të tjerët… Rëndësi ka sa e lumtur je ti me jetën tënde, mbrëmjeve kur e vë kokën mbi jastëk.
Ti mund të krijosh jetën më të bukur për veten. Mos ki frikë, një ditë gjithçka do të duket sikur ka kaluar shpejt, në një pulitje të syve… dhe do jesh krenare për veten për çdo sfidë.
Unë e di që ti je e fortë, ashtu jam edhe unë! Mos u dorëzo.
Please follow and like us: