Albspirit

Media/News/Publishing

Ekspertja e Edukimit, Ana Llazo: 28- 29 Nëntori…

 

Shqipëria është vendi i banuar nga popujt më të vjetër të Europës. që ka ruajtur gjuhën dhe traditat e saj edhe pse ndër shekuj janë përpjekur ta përbuzin dhe copëtojnë. Populli me cilësitë më të rralla në Ballkan ku kryeson respekti dhe nderi për fjalën e dhënë ndër shekuj, guximi, trimëria dhe shpirti i gjallë. Ky popull fisnik, pasardhës i ilirëve, ku shpesh i kanë bërë ballë qëndresë të ashpër të pushtuesve dhe veçanërisht sundimit turk. Fshatari, malësori fisnik dhe ushtari shqiptar ka luftuar si një zotëri i madh përball armikut dhe ka treguar vlerat e larta morale dhe të trimërisë që e ka karakterizuar atë ndër shekuj për mbrojtjen e trojeve të tyre. Dhe kur vihej në lojë tërësia e tokave shqiptare, atëherë fshiheshin të gjitha interesat e veçanta, armiqësitë, dallimet dhe kundërshtitë kulturore, fetare dhe partiake. Shqipëria, toka e shqiponjave dhe bijve të shqipes, gjuhës më të lashtë dhe më të veçantë në botë, nga e cila rrjedhin të gjitha gjuhët e tjera të njerëzimit, e tokës së pasur me minerale, me pasuri dhe bukuri natyrore, lashtësi dhe kulturë ndër shekuj. Flamuri kuq e zi, magjepsës dhe i thjeshtë, të krijon emocionet për t’u ndjerë krenar, plot besim dhe guxim. Shqiponja e dyfishtë nëpër gjithë qiellin simbolizon shpirtin e lirë dhe luftarak të popullit shqiptar. E kaluara dhe e tashmja, e lashta dhe modernja, të rinj dhe të moshuar, e bukura dhe hyjnoria, myslimane dhe të krishterë, të pasur dhe të varfër, veri dhe jug ndërthuren aq bukur duke shpalosur pasuritë e gjalla te dukshme të shoqërisë shqiptare. Shqipëria është përpjekur të lërë pas të shkuarën komuniste dhe tranzicionin ndër vite dhe të gjejë rrugën e duhur drejt stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik, politik dhe social. Kjo tokë e lashtë dhe e pasur me histori nga burime të lashta, tradita dhe zakone meriton të jetë pjesë e familjes europiane duke dhënë kontributin e saj me njerëzit  fisnikë dhe me vlera në fusha të ndryshme që i shërbejne shoqërisë njerëzore. Marr shkas t’i uroj të gjithë shqiptarëve 110-vjetorin e pavarësisë.

Duajeni Shqipërinë, duajeni tokën shqiptare ajo na përket të gjithëve ne dhe të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën për vendin tonë.

Please follow and like us: