Albspirit

Media/News/Publishing

Sivana Begaj: Gëzuar Shqipëri!

110 vite më parë shqiptarët në Kosovë me në krye Isa Boletinin e Hasan Prishtinën organizuan një kryengritje.
Në Vlorë si rezultat i përpjekjeve titanike politike e diplomatike, nën kërcënimin e rrezikut të shuarjes së kombit shqiptarë për të kënaqur orekset shoviniste të fqinjëve, një grup burrash të tjerë me në krye Ismail Qemalin ngritën nga Vlora ime Flamurin e shpallën Pavarësinë.
Ky ishte akti që përcaktoi historinë dhe ekzistencën e kombit. Shqiptarët edhe pse të gjymtuar e të copëtuar, edhe pse të vrarë e të shtypur e kishin një shtet tashmë, shtetin shqiptar.
Nga nëntori 1912 e deri ne 17 shkurt 2008 Shqipëria mund të quhej shtet, por kombi nuk mund të ishte i pavarur përderisa Kosova ishte e shtypur. Dita e Pavarësisë së Kosovës i dha pavarësinë e plotë kombit tonë me dy shtete e me dy data.
Sado të përpiqemi ne apo të tjerë është e pamundur të ndahen këto dy histori sepse është historia e një kombi, e një trupi.
Ashtu si 1912 luftoi Kosova e u pavarësua Shqipëria, çdo ditë nga ajo datë luftoi Shqipëria e çdo shqiptar kudo në botë që të çlirohej e pavarësohej Kosova.
Fatet tona janë bashkë!
Që nga ajo kohë shqiptarët në Ballkan u sprovuan me shumë vështirësi dhe sakrifica, por sot është fakt i pamohueshëm se këto përballje janë shpërblyer nga historia.
Sot kemi dy shtete shqiptare, shqiptarët janë faktor përcaktues në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët janë faktor i rëndësishëm në Mal të Zi.
Rruga është ende e vështirë e sfidat i kemi përpara edhe kur kërkojmë një Shqipëri pa korrupsion, një Shqipëri të drejtë e të punës.
Sfidat i kemi përpara kur na duhet të mbrojmë sovranitetin e territorin e Kosovës, sfidat janë përpara për të gjithë shqiptarët në Ballkan.
Koha dhe historia na kanë mësuar se asnjë arritje apo sukses nuk vjen pa mund, djersë, punë e sakrifica, prandaj nëse duam të na shpërblejë historia ne kemi pjesën tonë të mundit e sakrificës për të kryer si shërbimi më i madh që mund t’i bëjmë të ardhmes së kombit tonë.
Këto janë ato çka më thotë goja e mendja, por çka më thotë zemra është: Ne si komb për t’u zhvilluar e fuqizuar, për t’u modernizuar na duhet më shumë se çdo gjë Bashkimi!
Bashkimi edhe si qytetarë, ashtu sikundër jetojmë bashkë edhe në mërgim, por dhe si komb.
Këtë më thotë zemra e nga zemra uroj që Zoti të më japë mundësinë të shoh dhe të prek atë ditën e vërtetë të Pavarësisë së shqiptarëve, ditën e Bashkimit Kombëtar.
Gëzuar Shqipëri!🇦🇱🇽🇰
Please follow and like us: