Albspirit

Media/News/Publishing

Amarda Ekmekçiu Hoti: Ushqeni në breza dashurinë për Shqipërinë!

Ata do të ndërtojnë një Shqipëri më të mirë!
Mëvetësia fillon nga vatra e vogël, nga familja, nga liria e fjalës dhe respekti për të gjithë, brenda e jashtë saj.
Kremtimet e festat kombëtare na ngjallin emocione që prekin një çast. Kalojmë bukur, përlotemi. Është një ndjenjë e pashpjeguar krenaria në të cilën përfshihet qenia jonë tek këndojmë himnin kombëtar.
Të duam Shqipëri!
Jo se i veshim fëmijët kuq e zi në festat kombëtare, por i mësojmë ata se jeta është me ngjyra, e ardhmja iu përket e bukur e më e mirë duke respektuar e bashkëpunuar me njëri-tjetrin sepse janë shqiptarë.
Prindër të dashur!
Nëse e dua vërtetë Shqipërinë, flas gjithmonë për të me fëmijët e mi. Këtë e bëjmë në gjuhën tonë të bukur shqipe. Flasim shqip. E kështu kjo gjuhë nuk do të harrohet kurrë. Dialogët tanë vijnë natyrshëm, me mesazhe e shqetësime për vendin tonë.
Kështu e quajnë ata Shqipërinë dhe pse të lindur e rritur në një shtet tjetër. Edhe pse vazhdojnë të kërkojnë të lirë të ardhmen e tyre në Evropë.
Nëna të dashura!
Bija e biri që qëndron gjithmonë pranë jush do të ndjejë natyrshëm përfshirjen në kulturën, traditat e bujarinë shqiptare.
Ashtu si ndihen bijtë e mi.
Ndihen shqiptarë sa herë diskutimet mbi kombësinë ndezin bisedat tona mbi gjuhën, prejardhjen e saj, historinë e popullit tonë që shpeshherë im bir mbron me fanatizëm gabimet e politakanëve në kohë.
Gëzojmë për suksese, trishtohemi për dukuri shqetësuese në shoqërinë shqiptare. Përsëri vazhdojmë të jemi pjesë e saj, krenarë se jemi shqiptarë, me besimin se zhvillimi i një shoqërie do kalojë në proceset e hapat e saj.
Po, mund të gjejmë kohë për gjithçka që lidhet me Shqipërinë tonë. Secili në mënyrën e vet. Kështu pra nis ta duash Shqipërinë nga vetja, ashtu siç nis çdo gjë e mirë dhe e bukur.
Gëzuar 110- vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria jonë!
Please follow and like us: