Albspirit

Media/News/Publishing

Elon Musk riaktivizon llogaritë e pezulluara të disa gazetarëve

Pronari i Twitter-it, Elon Musk, shkruajti në platformë të shtunën se llogaritë e gazetarëve që u pezulluan të enjten vonë do të riaktivizohen. Disa nga llogaritë u riaktivizuan menjëherë pas postimit të zotit Musk në Twitter, por jo të gjitha janë rikthyer.

Llogaria në Twitter e korrespondentit kryesor për çështjet kombëtare të Zërit të Amerikës, Steve Herman, tregon aktivitetin e tij në platformë, me përjashtim të tre postimeve të tij në Twitter që platforma e mediave sociale thotë se shkelin politikat e saj.

Ato kishin të bënin me një llogari të pezulluar në Twitter që ndjek lëvizjet avionit privat të zotit Musk. Pronari i platformës Twitter tha se i pezulloi llogaritë sepse gazetarët po zbulonin informacione rreth vendndodhjes së avionit, gjë që ai tha se ishin përdorur nga dikush për të përndjekur një nga fëmijët e tij. Megjithatë, asnjë nga gazetarët që kishin postuar në Twitter për zotin Musk dhe mbylljen e llogarisë @elonjet, nuk kishte postuar në Twitter informacione për vendndodhjen e avionit të tij, që janë të disponueshme publikisht në faqet e tjera online.

Në platforma të tjera të mediave sociale si Mastodon dhe Post.news, zoti Herman deklaroi se Twitter po i kërkonte të hiqte tre postimet e bllokuara në këmbim të riaktivizimit të llogarisë së tij.

“Unë kam bërë një apel dhe nuk do t’i heq tweet-et,” shkruante zoti në Herman në platformën Mastodon.

Pezullimet e llogarive shkaktuan reagime nga gazetarë të tjerë, grupe të të drejtave dhe organizata ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha të premten: “Ky veprim vendos një precedent të rrezikshëm në një kohë kur gazetarët në të gjithë botën po përballen me censurë, kërcënime fizike dhe pasoja të tjera.”

Ai vuri në dukje se OKB-ja ishte “shumë e shqetësuar nga pezullimet arbitrare”. Edhe Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për pezullimet. Nga llogaria e saj në Twitter, Zëvendës Presidentja e Komisionit të BE për Vlerat dhe Transparencën, Věra Jourová tha se pezullimet ishin shqetësuese dhe theksoi: “Akti i Shërbimeve Dixhitale të BE-së kërkon respektimin e lirisë së medias dhe të drejtave themelore. Kjo është e detyrueshme sipas Ligjit tonë për Lirinë e Medias.”

Ajo tha se zoti Musk duhet të jetë i vetëdijshëm për një gjë të tillë.

“Ka vija të kuqe. Ka edhe sanksione,” tha ajo.

Edhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve shprehu shqetësim, duke thënë se nëse gazetarët ishin pezulluar si hakmarrje për punën e tyre, “kjo do të ishte një shkelje serioze e të drejtave të gazetarëve për të raportuar pa frikë nga hakmarrja.”

Frederike Kaltheuner, drejtore për teknologjinë dhe të drejtat e njeriut për organizatën “Human Rights Watch”, tha në një deklaratë të premten se “është vështirë të justifikohet pezullimi i llogarive, bazuar vetëm në shqetësimet për privatësinë ose sigurinë.”

Nga llogaria e saj zyrtare në Twitter, Presidentja e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, Claire Regan shprehu shqetësimin për pezullimet, duke thënë se ato bien ndesh me “premtimin e Musk-ut për të mbështetur fjalën e lirë në platformë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të mbrojmë gazetarinë dhe fjalën e lirë në të gjitha platformat.”

Zëri i Amerikës iu përgjigj pezullimit të llogarisë së Herman, duke deklaruar:
“Zoti Herman është një korrespondent me përvojë që ruan standartet më të larta të gazetarisë dhe e përdor platformën e medias sociale për mbledhje lajmesh dhe për komunikim. Zoti Herman nuk ka marrë asnjë informacion nga Twitter-i se përse ishte pezulluar llogaria e tij. Si korrespondenti kryesor për çështjet kombëtare, zoti Herman mbulon zhvillimet në vend dhe ato ndërkombëtare, dhe ky pezullim dëmton aftësitë e tij për të kryer detyrën si gazetar”.

Elon Musk hapi një sondazh në Twitter për të përcaktuar nëse dhe kur duhej të riktheheshin llogaritë e gazetarëve. Afro 59% e të anketuarve thane se llogaritë duhet të riaktivizoheshin menjëherë.

Ai postoi në Twitter rezultatet, duke thënë se “njerëzit thane fjalën e tyre.”

Please follow and like us: