Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunim për ndjekjen e personave që shkelin ligjin 

Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi protokollin e bashkëpunimit me palën maqedonase, e cila synon forcimin e bashkëpunimit policor e operacional ndërmjet strukturave të të dy vendeve.

Për palën shqiptare, protokolli u nënshkrua nga zv/ministri Stefan Çipa, kurse për palën maqedone, nga homologu i tij Agim Nuhiu.

Ky dokument i emërtuar “Protokolli ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë për ndjekjen konstante ndërkufitare”, përcakton në detaje zonat, mënyrat, kushtet, rrethanat, ku mund të kryhet ndjekja e personave që dyshohen si shkelës të ligjit, në territoret e shteteve respektive.

Sipas protokollit, tashmë është e mundur që njësitë policore të të dy palëve, të kalojnë në anën tjetër të kufirit pa miratim paraprak, thjesht duke njoftuar palën mike për operacionin policor, në momentin e kalimit të kufirit. Ndjekja e një personi të dyshuar nga policia e secilit prej vendeve, mund të vijojë përgjatë linjës kufitare në një rreze deri 10 km në brendësi të territorit të shtetit fqinj dhe për një interval kohor jo më shumë se 60 minuta.

Protokolli nxit shkëmbimin e përvojave të dy vendeve dhe rrit efektshmërinë në luftën kundër drogave, trafiqeve ilegale, por edhe radikalizmit fetar e terrorizmit.

Nënshkrimi i tij synon nga ana tjetër të rrisë me tej shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin mes dy policive me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar dhe migracionit të paligjshëm.

Ky protokoll pason marrëveshjen e posaçme mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë mbi bashkëpunimin në luftën ndaj terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të drogave narkotike, substancave psikotrope e prekursorëve, migracionit të paligjshëm dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.

Please follow and like us: