Albspirit

Media/News/Publishing

Biznesi, mbështetje reformës: Është garanci për ekonominë dhe investimet

Komuniteti i biznesit u kërkoi partive politike të miratojnë reformën në drejtësi. Të mbledhur bashkë për herë të parë, të gjitha dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit mbështetën unanimisht miratimin e reformës.

“Të bashkohen për të votuar reformën në drejtësi, pasi ajo është jetike për ekonominë dhe për qytetarin shqiptar. Është jetike për integrimin, por në radhë të parë është jetike për një qëndrueshmëri dhe besim të nismës për të investuar në ekonomi”, u shpreh Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë.

Sipas komunitetit të biznesit, kjo reformë do t’i shërbejë zhvillimit të sektorit privat, një klime sa më të sigurtë për sipërmarrjen dhe rritjen e investimeve të huaja.

“Reforma në drejtësi, në radhë të parë do t’u hapë rrugë investimeve në Shqipëri dhe do të rrisë besimin e sipërmarrjes tek investimet tona, te ligji, rregulli dhe drejtësia. Kështu që ne e kemi parë me shumë interes në këtë këndvështrim”, deklaroi gjithashtu Luan Bregasi, kreu i shoqatës “Biznes Albania”.

Sipas shoqatave të biznesit, dështimi i reformës në drejtësi do të ishte një dështim i madh edhe për sipërmarrjen dhe vet ekonominë shqiptare.

Please follow and like us: