Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Paraja dhe jeta njerëzore…

“Paraja është ajo formulë mistike, që e magjeps njeriun aq gjatë, derisa një ditë zgjohet dhe e kupton se jeta vitale dhe kënaqësitë kanë ikur, pa i shijuar fare“, Vlora Obertinca.

“Të gjithë njerëzit janë të prirur t’i japin përparësi vetëm parasë duke u munduar çdo ditë të arrijnë sa më shumë, si disa njerëz të pasur që i kanë idhuj.

Unë them se ata njerëz të pasur janë njerëz si të gjithë ne. Zgjohen në mëngjes, pijnë kafen, hanë mëngjesin, vishen, rregullohen dhe shkojnë në punë.

Dallimi është se i kanë disa zero më shumë në kontot bankare por nuk e kanë kënaqësinë e kohës me shoqëri, nuk kanë jetë të qetë e as të lumtur.

Mirë bëjmë sikur të fitojmë para, aq sa edhe t’ia ndjejmë lezetin atyre duke shpenzuar një pjesë të tyre me njerëzit e zemrës, sepse kurrë nuk e dimë se kohë i kemi ata njerëz afër vetes. Edhe sikur t’i palosim milionat, duhet pyetur veten: ‘Me sa para dhe sa kënaqësi e gëzova shpirtin tim në këtë jetë. Për kënd dhe për çka kurseva gjithë jetën’?

Çdo herë kemi një listë para vetes për t’u përgjegjur, por sigurisht veten tonë e lëmë të fundit. Andaj, them punoni dhe fitoni, por sa herë fitoni ndani kohë për kënaqësitë e shpirtit tuaj.

Të dashurit e mi, mos e lakmoni jetën stresuese me miliona të cilat nuk do të mund t’i shpenzoni sa të jetoni. Një kafe me shoqëri, në mes të njerëzve që i doni dhe ju duan mjafton për përmbushjen shpirtërore, përmbushje të cilën e kërkojnë gjithë njerëzit e pasur dhe pak prej tyre e kanë.

Gëzojeni jetën me atë që keni sepse, keni mjaftë për të jetuar mirë. Të jeni falënderues që jeni shëndoshë e mirë, sepse shëndetin dhe lumturinë nuk mund ta bleni me para”.

Please follow and like us: