Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Macja e çuditshme…

 

Në mëhallë vjen vërdallë një mace e çuditshme,

Lëkurën ku jeton e ka të mbushur me rrënoja,

Trarë të thyer e gërvima menteshash të ndryshkura,

Gjurmë pritash ngado dhe kapriçio minjsh tekanjozë.

 

Macja e çuditshme me fantazi kokete e shije speciale

Kërcen hopaaa, nga njëra dritare shtëpie në tjetrën,

(mëhalla krejt bosh) dhe sipas trendit digital,

Ekzaltohet nga kultura e pamjeve, shikon në TV serialet,

Errësirës më të thellë, para agimit dhe mërzisë.

 

Në mëhallë vjen rrotull një mace e çuditshme,

Dhjamosur, bishtgjatë, e vetkënaqur në çdo qime,

Gëlltit vetmi dhe heshtje në dollapet e ushqimeve,

Ku imagjinata dhe e qara e fëmijve të djeshëm ulërasin…

Please follow and like us: