Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: PSE VETEM SHKODRA?!

 Pjesa e dytë

MUZEU ATEIST SHKODER

SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT SHKODER

 

9 QERSHOR 1973

SHKODRA E VETMJA N’BOTë

KA 50 VJETORIN E

HAPJES MUZEUT ATEIST

 

I vetmi muze në Botë, i vetmi Muze në shekullin XX, ai ishte në Shkodër…

50VJET plot po bahen nga dita e inaugurimit të Muzeut Ateist në Shkoder, “I VETMI NĔ BOTĔ” dhe, as sot nuk kemi një studim të plotë, që perveç ideatorëve terroristë të Byrosë Politike të PPSh, dhe të disa drejtuesve me të gjitha tiparet e barbarve kriminelë që kishte Sigurimi i Shtetit komunist të zgjedhun me gisht në të gjitha krahinat e Shqipnisë, me cilsitë ma të thekseme fanatike e vrastare në karakterin e tyne antinjerzor, ata ishin në

SEKSIONIN KATOLIK  Të SIGURIMIT SHTETIT SHKODER. Ishin dhe do të mbeten përjetsisht në historinë e pushtimit komunist, zbatuesit e krimeve ma të shemtueme ndaj Popullsisë Katolike të Veriut, tue mos perjashtue Muslimanët e Shkodrës masakrueme nga komunizmi.

 Muzeu Ateist i Shkodres do të mbetet perjetësisht turp i VETMI NË BOTË!

Populli Shqiptar sot ende nuk di as qellimin dhe as funksionin që ka krye ai muze antinjerzor, antifetar dhe antikombtar, i hapun mu në qendren ma historike të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut pranë Rozafës sonë.

Ai Muze Ateist u ndertue mbi gropat pa shenja dhe pa emna të të vramëve dhe të mbytunve nga sigurimi vrastar i shtetit komunist, që ashtu si hapi atë “MUZE I VETMI NË BOTË, ashtu edhe ka krye GJENOCIDIN KOMUNIST TË VETMIN NË BOTË, NDAJ POPULLSISË SË VERIUT E POPULLIT TONË”!

Ky Gjenocid antinjerzor asht krye me mjetet ma të dhunshme dhe ma të mnershme kunder Klerit Katolik Shqiptar, që në këte 50 vjetor duhet të na rikujtojnë ate “Revolucion Kulturo e Ideologjik” ku dhane jeten e vet, per një Ideal Fetar dhe Atdhetar të pavdekshem dhe të Perjetshem klerikët:

Imzot Ernesto ÇOBA (1913 – 8 Janar 1980);

Don Zef BICI (1919 – 10 Maji 1968);

Don Mark DUSHI (1920 – 10 Maji 1968);

Don Marin SHKURTI (1933 – 1 Prill 1969);

Don Shtjefen KURTI (1898 – 20 Shtator 1971);

Don Anton DOÇI (1915 – 1973);

Don Mikel BELTOJA (1935 –10 Shkurt 1974);

Don Prekë NIKÇI (1921 – 15 Mars 1974);

Don Mark HASI (1920 – 11 Shtator 1981);

Don Lazer JUBANI (1925 – 29 Korrik 1982);

Don Lec SAHATÇIJA (1906 – 4 Prill 1986);

Don Nikoll GJINI (1911 – 1987);

Imz. Lazer SHELDIJA (1928 – 10 Shtator 1988);

Don Pjeter GRUDA (1922 – 13 Janar 1989);

1944 – 1989 Gjenocidi ka vra dhe zhdukë 67 Klerikë Katolik në Shqipni.

Mbas 1967 të burgosun dhe të dënuem me shumë vite punë të randë, janë 23 Klerikë të besimit Katolik. Perjashtimi i Besimeve tjera nga ky “revolucion” barbar kishte qellim kryesor metoden e vjeter anadollake “Perçaj e sundo”! Pasojat vazhdojnë edhe sot nder të gjitha Trojet Shqiptare, tue fillue me Shtëpijat Muze të vjetra deri tek ato të Atdhetarëve At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Osman Kazazi, Kulla e të Madhit Prekë Cali etj.

Muzeu Ateist nuk duhej shkatrrue asnjëherë! Aty duhet punue per me u ba një nga ma të mëdhajat Biblioteka e Fototeka të Shqipnisë, ku duhen ruejtë me kujdesin ma të madh të gjithë botimet e librave dhe revistave të kohës së “Realizmit Socialist” nga viti 1944 e deri tek botimi i Librit të fundit të asaj epokë shkatrrimtare të Shqipnisë Europjane, me shkrimtarët e paftyrë dhe të pa karakter komunista që vajtuene e zhgulen flokët kur vdiq diktatori terrorist e barbar anadollaku injorant Ever Hoxha, i asaj diktaturës ma të mnershme dhe të pakrahasueshme në të gjithë Lindjen Europjane!

Aty duhen protokolue diskutimet e të gjithë “revolucionarëve të 1967” të cilët, tue fillue nga viti 1944, nuk kanë pushue tue akuzue dhe shpifë per qytetarët e deri nder skutat e shpellave të Malësisë së Veriut, e madje, tue kerkue edhe pushkatimin e sa e sa vetve të pafajshem, që sigurimi kerkonte me i zhdukë Ata edhe fiset e tyne të nderueme si pasuesit e Ded Gjo’ Lulit.

Askush nuk asht burgosë e interrnue pa “deklarata fallco” nga dashakëqijtë e shpifsit e kudondodhun të Sigurimit, po edhe të paturpë.

Askush nuk asht largue ose pushue nga puna pa shpifjen e një agjenti barbar të sigurimit të shtetit nder zyret e kuadrit!

Askujt nuk i asht kontrollue shtëpia dhe shtetizue pa aprovimin e kryesisë së lagjeve dhe agjentave të sigurimit të shtetit.

Askush nuk ka shkue agjent jashta shtetit me sherbime speciale të sigurimit pa u garantue kthimi i tij nga një komunist.

Askush nga agjentat e sigurimit nuk e tregon një vend pushkatimi pa marrë aprovimin e degës së mbrendshme.

Askush nuk tregon vrasësit nder piramida dhe kush i urdhnoi me vra të rijtë tek vendi ekzekutimit tyne.

Askush nuk boton listat e diskutantëve e shpifsave ndaj klerikëve në 1967 në Institutin Pedagogjik Shkoder.

Askush nuk tregon kush ua përgatiti diskutimet e tyne kunder klerikëve katolik nder lagje e gjyqe.

Askush nuk tregon ideatorët e burgosjeve dhe interrnimeve apo të nisjes nder malësi per sherbime speciale.

Askush nuk tregon kush vjedhi dhe po i perdorë punimet shkencore të të vramëve dhe të “ndaluemve” apo t’interrnuemve, tue fillue nga At Gjergj Fishta e deri tek At Justin Rrota dhe At Donat Kurti.

HAPNI DOSJET, MOS KINI FRIKË NGA TË VRAMIT DHE TË ZHDUKUNIT !

Të gjallët vazhdojnë me hanger bar, por parimet nuk i shkelin…” Kjo asht edhe porosia e diktatorve kriminelë të të gjitha kohëve!

Revolucioni kultural dhe ideologjik i 1967 mbasi shkatrroi gjuhen Shqipe, dekompozoi “njeriun e rinj” bashkë me disa nga Idealet e Maleve tona!

Mbas mbylljes perfundimtare të objekteve të Kultit, drejtuesi anadollak i “Revolucionit Kulturor të vitit 1967” skilja Ramiz Alia, krijoi në Shkoder një Komision me një nga besnikët e tij të njohun si hajdut i veprave të At Justin Rrotës, servilin Jup Kastrati “Kryetar i komisionit perzgjedhjes leteraturës fetare kishtare”, i cili i ka sherbye deri në vdekje. Mbasi grumbulluen dhe seleksionuen të gjitha veprat letrare nga bibliotekat e institucioneve dhe ata personale, dorshkrimet dhe punimet me vlerë vazhdojnë me u botue edhe sot nga hajdutët “dr. Prof…”. Tepricat e materialeve u ekspozuen në “Muzeun Ateist”, të cilin unë nuk e kam pa asnjëherë dhe, as nuk kam punue kurrë aty, as kur pergatitej hapja e tij, ndonse agjentët e sigurimit dhe bijtë e tyne (që ua kalojnë per poshtersi e shpifje edhe baballarve e nanave të veta), deri pak vite perpara vazhdonin me më akuzue se kam punue si piktor aty. Nga piktorët e angazhuem me punue aty unë kam njoh disa, po as nuk dyshoj se shpifjet kanë dalë ose dalin prej tyne, mbasi ata më kanë shpreh keqardhje per foton e vllaut të arrestuem dhe të dënuem 10 vjet i pafaj, që asht vendosë dikund me grupin e klerikëve. Vertetë që në vitin 1996 unë mora Dokumentin e Pastertisë së Figures sime, po ai Dokument duhet të fillojnë nga viti 1953, kur ishe trembdhjetë vjeç, dhe “nuk kam pranue asnjëherë me i sherbye asnjë organi të sigurimit të shtetit, edhe pse kerkoi me më aktivizue sekretari i rinisë së shkollës Pedagogjike Jani Çomo me Emil Mborjen. Dy figura të njohuna terroriste”.

Shteti Shqiptar asht i vetmi që vazhdon me nderue dhe me dekorue shpifsa e terroristë, që nder dosjet e tyne vlon gjaku i të Pafajshemve, që me disa mënyra të ndryshme vazhdojnë me vuejtë, nuk i kanë kthye as pronat, nuk i japin punë fëmijve tyne, se nuk i GARANTON asnjeri! Nuk duhet harrue asnjëherë porosia sekrete e terroristit Ramiz Alia në Komitetin Qendror të PPSh, dhanë në vitin 1989 antarve të byrosë politike që zbatohet dhe sot.

Edhe kjo rrugë pa asnjë “Dritë në horizont”, asht Ri-ngjallje ose Vazhdimsi!

Vrasësve tradhtarë të Popullit Shqiptar mos ju shlyftë kurrë Gjaku, nga dyertë dhe surretnit e tyne barbar e terrorista!

Kuvendi i Shqipërisë shprehet në rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” (2006) se regjimi komunist në Shqipëri (1944–1991) u karakterizue nga dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale e kolektive (me dhe pa gjyq), vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik.

Ramia e regjimit komunist nuk u pasue me asnjë hetim të krimeve të kryeme prej tij, aq ma tepër që autorët e këtyne krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe, as nuk ju kërkuen as falje publike asnjëherë nga asnjë agjent, prej viktimave të tyne të gjenocidit komunist.

Duhet kerkue me forcë per bindjen se denoncimi i krimeve të komunizmit dhe rivlerësimi i historisë ti shërbejnë shmangies së përsëritjes së krimeve të ngjashme në të ardhmen, Kuvendi i Shqipnisë nuk i ka kushtue asnjë rëndësi të veçantë, ku duhej shpreh me ligjë, për evidentimin e personave që kanë kenë pjesë vepruese e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse të sigurimit, që sot janë përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çue në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në shumë veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshi dhe shpopullimin, luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, kufizimin e furnizimit me ushqime, pamundësinë për t’u informue dhe çensurën në art, kulturë e shkencë, etj.

Organet apo autoritetet vendimmarrëse që përfshijnë Partinë Komuniste Shqiptare (ma vonë Partia e Punës e Shqipërisë, PPSH) dhe gjithë organet e tjera të krijueme (kryesisht ata të Sigurimit të shtetit) në mbështetje të saj.

Në murin e kësaj ekspozite flitet se ishin vendosë ata persona per të cilët edhe sot mbajnë përgjegjësi organet shtetnore për vendime të rëndësishme që kanë të bajnë me shkeljen e të drejtave të njeriut t’ ushtruem nga regjimi komunist. Edhe mbas ramjes së regjimit ata nuk u përballën me ligjin për vendimet që kanë marrë dhe as, nuk kanë shfaqë kurr pendesë për asgja të mnershme që kanë ushtrue në të gjithë veprimtarinë e tyne antinjerzore.

Institucionet shtetnore që përfshihen në Sigurimin vrastar janë kenë:

Anëtarë të Byrosë Politike, si organi më i nalti ideator i PPSH-së, koka e bishti i drejtimit të diktaturës komuniste. Byroja zgjidhej nga plenumi i parë i partisë. Në krye të saj ishte sekretari i parë dhe një sekretariat.

Çdo akt i mëshehtë ma vonë kthehej në ligjor. Të gjitha perpiloheshin e aprovoheshin nga Byroja Politike. Byroja vendoste deri për dënime me vdekje, falje ose jo të jetës së të dënuemve me vdekje dhe dënime të randa.

Deri në vitin 1985 postin e Sekretarit të Parë e mbante terroristi Ever Hoxha, pas vdekjes së tij asht zëvendësue nga skilja besnike e tij Ramiz Alia.

Drejtorët e armës së Sigurimit të Shtetit, ishin ata që ma vonë njiheshin si Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, e njohun si e plotfuqishme në vendime. Kjo armë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), ishte një lloj policie që merrej me elementin kundërshtar politik dhe, me veprat e atyne që cilësoheshin “krime kundër shtetit“. Në këtë ekspozitë janë paraqitë drejtuesit e këtij organi që vente në funksion të gjithë mekanizmat e përndjekjes dhe përgjimit të individëve të pafajshëm në kundërshtim të plotë me të gjitha ligjët per të drejtat dhe liritë e njeriut.

Gjyqtarë dhe prokurorë ishin zbatuesit formal të ligjit që nepermjet të  organeve të drejtësisë bahej legalizimi i gjithçkaje që përgatiste Sigurimi me strukturat e veta, për ekzekutimin e dënimeve për arsye politike. Vendimet e marruna nga këta persona, per dërgimin në burg ose të dënuem me vdekje, shumë njerëz të pafajshëm të cilët padrejtësisht u konsideruene armiq të popullit dhe të Partisë, perfundonin nder pranga perjetësisht. Këta vrastarë ishin hetues, kryetarë të degëve të punëve të mbrendshme e oficerë sigurimi në përgjithësi që kishin dhanë prova. Këta zyrtarë merreshin në mënyrë të drejtpërdrejtë me përndjekjen politike ose edhe drejtonin atë. Në zyret e hetuesisë dhe të degave të punëve të mbrendshme u vu në jetë terrori dhe tortura të panjohuna dhe vdekjepruese për të marrë dëshmi mbi të akuzuemit. Dhuna e ekzekutueme nga personat që ushtronin detyrën

vepronin në mënyra antiligjore e antinjerzore ndaj qytetarve t’arrestuem.

Shumica e të burgosunve dishproheshin e në disa burgje ka pasë dhe raste vetvrasjesh, që të burgosunit shkonin e binin nder telat rrethues të kampit.

Unë vazhdoj me ngulë kambë që dhuna e tmerrshme dhe terrori ushtruem në organet e diktaturës komuniste, asht e domosdoshme që të paraqitet në disa ekspozita nder qytete ku ajo ka kenë ma e pamëshirshme dhe tipike e atij sistemi barbar që ka kalue jo vetem Shkodra, po disa qytete të vendit.

Këto ekspozita me perndjekjet dhe torturat e ushtrueme nder ato organe, do të ndikojnë edhe në edukimin e Rinisë sonë e cila, tue mos e njoftë fare ate që ka ba diktatura në vendin tonë, neser fatkeqësisht bahen edhe vegla në sherbim t’ atyne organeve perbindshe e vllavrasëse të diktaturës së re të “Rilindjes”. E kjo, sot do t’ ishte fatkeqësia ma e madhe e Popullit Shqiptar.

Jo indiferencë nga Klerikët per pasojat e sotme të ateizmit tek Rinia e jonë!

Asht detyrë kryesore që nder tekstet e Historisë së Shqipnisë të shkruhet e kjartë dhe me fakte veprimtaria terroriste dhe kriminale, e ushtrueme nga SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT TË SHTETIT NË SHKODER, QË ISHTE I VETMI NË GJITHË BOTEN.

   Melbourne, 12 Fruer 2023.

 

 

 

                                                                                                                                                                                

Please follow and like us: