Cikël poetik nga Avdush Canaj
PA SHIH KUSH PO VJEN
Kur nisesh kah gjyshi
Kur nisesh
Rruga blerohet
Këmbësoreve çelin lulet
Pas teje vijnë zogjtë me violina
Fluturat me trotineta
Në çikleta lepurushët
Gjyshi dhe gjyshja
Të shohin nga ballkoni
Bëhen këngë e qeshur
Pa shih kush po vjen
Pa shih
Ti fluturon
Me krahët e ngazëllimit
Si zogu
Në pemën e që e pret
Ditës i qesh buza
Zgjatet për përqafimet.
KUR TË VIJË AJO DITË
Tim vëlla, Alushit
Kur të vijë ajo ditë,
oh, ajo Ditë e Shenjtë,
eja e më trokit
te dritarja e varrit,
unë,
do të ngritem
si Konstantini
të gëzohem bashkë me ju,
ta valvis flamurin
e shqiponjës t`ia puth flatrat
në të Shenjtën Ditë.
1982.
TE BURBUQET E VARGJEVE
Poeti i njohur Avdush Canaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka kujtuar të vëllain e vrarë, Alush Canaj. “Pesëdhjetë e një vjet më parë, pikërisht në ditën e sotme të 15 shkurtit të vitit 1972 , ndodhi krimi në Gjilan. Selim Brosha me lakenjtë e vet, përmes dorës së fshehtë, qëlloi mbi poetin dhe atdhetarin Alush Canaj, pararendësin e lirisë së Kosovës”, ka shkruar Canaj. Ai, i ka kushtuar edhe një poezi.
Menduan se të vranë
Kur çelën mimozat
Gota e krimit cakërruan
Atë natë në hotelin Evropa
Të qytetit tënd, Gjilanit
Ujqër e hiena u mashtruan
Te burbuqet e vargjeve
Buzëqeshja jote
Këngën tënde
E këndojnë të gjithë
Në korin e shqipeve
Me këmisha të kuqe
Të vargjet e burbuqta
Me aromë lirie
Je ti.
KOSOVË
KOSOVË,
ashti im i shpuar,
lulëkuqja e gjakut tim,
gëzuar Ditën Tënde!