Restaurohet pazari i Korçës, mbështetje bizneseve turistike
Pazari i vjetër në qytetin e Korçës, në juglindje të vendit, pas punimeve për restaurimin e dyqaneve dhe punishteve artizane, ka rinisur aktivitetin duke u kthyer në zonën më të frekuentuar nga qytetarët dhe turistët. Përmes projektit për rijetëzimin e pazarit, Bashkia e Korçës ka hapur rrugën për zhvillimin e bizneseve të ndryshme, çka pritet ta kthejë atë në një pol zhvillimi ekonomiko-turistik. Për shumë biznese të cilat do të zhvillojnë aktivitetin e tyre në ambjentet e këtij pazari, bashkia ka hapur edhe një fazë aplikimesh duke ofruar mbështetjen në disa drejtime. “Duam që pazari të jetë një pol i rëndësishëm i aktiviteteve ekonomike me fokus turizmin, prandaj kemi prezantuar një paketë të plotë të mbështetjes për ato biznese që do të duan të ushtrojnë aktivitetin e tyre në pazarin e Korçës”, ka deklaruar kryebashkiaku Sotiraq Filo. Pas përmbylljes së fazës së aplikimeve më 26 korrik do të përzgjidhen edhe bizneset të cilat do të operojnë në dyqanet e pazarit dhe hanet e njohura, të cilat do të kthehen në funksionin e tyre të plotë.