Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Ass. Dr. Bernard Zotaj: Katër djem të Tiranës masakrohen…

(Në kuadrin e 79-vjetorit të rënies)

 

U njohën ata në vitet e zjarrta

 

Në një rrugë të Tiranës që mban emrin “4 Dëshmorët” ngrihet një lapidar. Është një ndër simbolet që përjetësojnë kujtimin e të rënëve, kujtimin e dëshmorëve të Atdheut. Ata ishin katër, Gjergj Frashëri, Skënder Kosturi, Trajan Pekmezi e Viktor Gjokoreci. Katër nga të armatës së madhe të luftës, katër nga tërë ajo rini antifashiste që ngritën grushtin lart e morën armët për të sjellë lirinë, qëllimi më i lartë i të cilëve ishte lufta për çlirim e vendit. Dhe ky ishte një ideal që ushqehej nga dashuria për Atdheun. Për këtë ideal edhe i sëmuri nga tuberkolozi Trajan Pekmezi u ngrit nga shtrati për të dhënë kontributin e tij në fitore. Të katër u njohën në vitet e zjarrta, ku shkelën dhe vrapuan në të njëjtën rrugë herë në rolin e atentatorit, herë në rolin e shpërndarësit të traktateve, herë të kthyer nga malet me partizanët. Edhe në ditët më të vështira, në ditët e punës ilegale në kryeqytet punuan krah njeri-tjetrit.

Gjergj Frashëri u lind në vitin 1924 dhe ishte bir i një familjeje me tradita patriotike. Më 1936 u regjistrua në klasën e parë të gjimnazit të shtetit në Tiranë. Në qershor të vitit 1942, mbasi morën fund mësimet shkollore, hyri si ndihmës-mekanik në një garazh të Tiranës. Më 1943 Gjergji u bë anëtar i njësitit gueril të Tiranës. Si pjesëtar i njësiti mori pjesë në disa aksione të armatosura që u kryen në kryeqytet. Në këto aksione ai u tregua si përherë i shkathët dhe trim. Më 30 tetor 1943, ai kaloi në rreshtat partizane, në fillim në batalionin “Dajti”, që vepronte në afërsitë e Tiranës, dhe më vonë në BrIIS. Si partizan Gjergji mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në Qafën e Kërrabës, të Çermenikës, të Labinotit, të Martaneshit, të Polisit dhe të Kostenjës. Në fillim të janarit 1944, u sëmur, u kthye me lejen e shtabit të brigadës në Tiranë, ku qëndroi ilegal. Përsëri mori u aktivizua me njësitin gueril dhe vazhdoi veprimtarinë…

Skënder Kosturi lindi në vitin 1922 në një shtëpi të Tiranës, pranë ish stacionit të trenit. Në Gjimnazin e Tiranës Skënderi u dallua për ndjenja të thella patriotike. Vërejtjet që kishte marrë nga drejtoria e shkollës dëshmojnë për aktivitetin e tij revolucionar. Njohja me Qemal Stafën ndikoi shumë në formimin dhe në aktivitetin e tij të mëvonshëm antifashist. Ai u aktivizua me Grupin Komunist të Shkodrës. Disa muaj pas krijimit të PKSH, në mars të vitit 1942, pranohet anëtar i PKSH. Qarkori i Partisë për Tiranën e caktoi me detyra partie në Prizren, në Shkodër dhe në Vlorë, ku u plagos, arrestohet, por mundi të arratisej dhe të kthehej në Tiranë.

Viktor Sterjo Gjogoreci lindi në Korçë më 4 dhjetor 1928. Babai që ishte komunist e brumosi me ide revolucionare, me guxim për pjesëmarrje në demostrata e aktivitete të tjera revolucionare. Në vitin 1942 u bë anëtar i grupeve ilegale të Rinisë Komuniste. Në vitin 1943 ai u bë anëtar i njësiteve guerile të Tiranës, të cilat në atë kohë kryenin shumë aksione. Nga fundi i vitit 1943 ai doli partizan në njësitet që vepronin në rrethet e Tiranës, por papritur një sëmundje e rëndë e detyroi të kthehej në qytet. Njësiti gueril u ngarkon një detyrë e rëndësishme, për të vrarë një agjent të Gestapos gjermane. Plumbat e armëve të Viktorit dhe të Gjergj Frashëri e rrëzuan për tokë spiunin e urryer nga të gjithë. Atentati u krye me sukses, por të dy shokët u ndeshën me një grup xhandarësh, në përleshje me ta Gjergji u plagos. Viktori, ndihmoi shokun e plagosur dhe kështu ata mundën të iknin dhe të strehoheshin në një shtëpi që ishte bazë e Lëvizjes. Pas shumë kërkimesh, natën vonë spiunët ranë në gjurmë dhe i arrestuan, i torturuan dhe i pushkatuan.

Një orë në Tiranë

Natën e 27 shkurtit 1944, hëna ndrit shumë në një kënd të rrugës së Kusit. Dyqanet ishin të mbyllura. Kudo ishte ftohtësi dhe nuk ndiheshin ulurirna e çakenjve. Një roje partizane ecën me ngadalë dhe vatrat e ndezura ngrohin atmosferën e ftohtë të kësaj nate shkurti. Në xhandarmëri shpërndahen dekorata për herojt e rënë dhe rruga e Kusit ndrit në këtë natë nga hëna e plotë. Ata ishin katër dhe u bënë njëmijë, u bënë një popull. Ishte populli që kishte ndezur vatrat me gjakun e katër martirëve, me gjakun e një mijëve, me gjakun e tij.. Hëna ndriti me krenari në rrugën e ndritur të Kusit.

Ata ishin katër të rinj antifashistë

Pas masakrës së 4 shkutit 1944, përsëri në Tiranë një masakër e dytë e ndodhur më 28 shkurt 1944. Krimi ndjek krimin masakra ndjek masakrën. Në mëngjezin e 28 shkurtit 1944 në rrugën e Kusit në Tiranë u gjetën të shtrirë në tokë tupat e njomë të Trajan Pekmezit, Skënder Kosturit, Gjergj Frashërit dhe Viktor Gjokorecit. Xhandarë përsëri ju rrinin pranë edhe të pajetë. Populli i Tiranës mësoi shumë shpejt se katër filiza u shkëputen nga gjiri tij. Ata ishin katër luftëtarë të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, të masakruar nga ata që masakruan në fillim të muajit 84 banorë të pafajshëm të Tiranës.

Forcat e okupacionit dhe tradhëtarët e vendit menduan se i kishin larë hesapet me popullin që kishte ngritur krye. Mendonin se e kishin freruar lëvizjes antifashiste e cila po shtohej nga dita në ditë. Forcat naziste dhe tradhëtarët nuk menduan se ky popull kishte një parti komuniste që e udhëhiqte, kishte lëvizjeje të fuqishme që godiste armiqtë dhe tradhëtarët e popullit duke u jepnin dënimin që meritonin. I riu Gjergj Frashëri anëtar i njësitit gueril kishte marrë urdhër të kryente një atentat kundër një agjentit nazist. Për ditë me radhë Gjergji studioi lëvizjet dhe takimet e spiunit dhe më 27 shkurt 1944 nga mesdita në kafenenë e rrugës së Kusit kreu atentatin kundër tradhëtarit. Shoqëruesit e tij dhe ballistët nisën të shtinin dhe një plumb e zë Gjergjin në anën e majtë, kurse një tjetër në krahë, por përsëri vrapoi drejt shtëpisë së Trajanit, e cila ishte dhe bazë ilegale për mjekime.

Forcat balliste bashkë me forcat gjermane e ndoqën antifashistin e plagosur pas pikave të kuqe të gjakut dhe rrethuan shtëpinë bazë. Ballistë e gjermanë hynë brenda dhe arrestuan gjithë sa ndodheshin aty: Gjergjin, Viktorin, Trajanin e sëmurë dhe prindërit e Gjergjit që kishin ardhur të takonin të birin. Gjatë bastisjeve përreth shtëpisë tradhëtarët arrestuan dhe Skënderin. Në bodrumet e zyrave të policisë u torturuan katër shokët. Nënë Dhoksisë i dukej sikur i buçisnin në vesh fjalët e Gjergjit të saj: Mbaju e fortë nënë, ne do të jemi me shokët! Ata ishin së bashku dhe ashtu të katër u vranë. Gjyqi i burgut nga kryetar Xhelal Staravecka me anëtarë Hamdi Isufin, Seit Matia, Xhaxhanezi, Ali Temali, Arif Peza, Niazi Hatibi dhe Elez Hoti, natën vonë pasi i masakruan, i çuan në rrugën e Kusit, katër të rinjtë antifashistë.

Katër të rinj komunistë, djem të popullit ishin aktivistë të Lëvizjes: Gjergji me Skënderin ishin partizanë në BrIIS dhe ishin kthyer për arësye shëndetësore. Viktori ishte aktiv në shpërndarien e komunikatave, në shtypjen e tyre, e kish vënë kokën disa herë në rrezik dhe megjithatë vazhdonte pa frikë në rrugën e çlirimit. Trajan Pekmezi e kishte bërë dyqanin e tij çerdhe të mbledhjeve e konferencave ilegale. Ndërsa Staravecka e Mulleti me turrën e tyre të “Balli” dhe të “Legalitetit”, morën jetët e tyre.

Në mëngjez ushtarë nazistë e ballistë qëndronin për të ruajtur trupat e katër të vrarëve që i kishin lënë në rrugë për të mbjellë panik në popull dhe për ta gjunjëzuar që të hiqte dorë nga lufta për liri. Por populli shqiptar i kishte matur mirë forcat dhe ëndërrat e tij se kishte partizanët që luftonin për liri. 28 shkurtit 1944 u shënua në kronikat e epopesë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me emrin: dita e rënies së 4 dëshmorëve.

Të katër të rinjtë janë përjetësuar me emrin e një rruge, të shkollës 9 vjeçare “4 Dëshmorët”, të një lapidari të ngritur në vendin ku ranë në Tiranë, si dhe janë shpallur dëshmorë me vendim të ish-Komiteteve Ekzekutive të Tiranës, të Pogradecit dhe të Korçës.

Please follow and like us: