Edi Lesi: Kush po i vjen Radikes…
Është hera e tretë që shtatoret e heronjve të kombit na përcjellin me indiferencë në bulevardin e blinave të Peshkopisë, në fushatën tonë të vendosur për të gjetur shpirtin e këtij qyteti, ata trubadurë bohemë tek të cilët qëndrojnë tiparet e një komuniteti të vogël.
E kërkuam më kot vëmendjen e shtatoreve edhe në 4 të mëngjesit, edhe një natë më parë, kur qemë fillthi aty, e sot që është e Djelë, ngjan përpjekje e dëshpëruar pasi ka shumë njerëz që e kanë mbushur deng në dy anët këtë shëtitore të fiksuar herët në memorie, prej atyre kartolinave të vjetra të vitit të ri.
Patëm fat. Trubadurët, këngëtarët e poetët e kësaj ane, na gjetën, erdhën tek ne, në darkën bujare te Nëna Dashuri.
I prin Agim Skara, virtuoz. Prej tij rrjedh natyrshëm epika me qendresë e barut, e po aq serenata korçare e jaret e Shkodrës.
Bën sot 67 vjeç, po e marrim vesh rastësisht. Nuk kërkon vëmendje, do të na argëtojë e krijojë atmosferë.
Jemi nis për Dibër, duke e lënë metropolin në shemrinë e përjetshme mes atyre që s’kanë e atyre që duan më shumë.
Është një sinor mes Tiranës e destinacionit tonë, kur kalon Shkallën e Tujanit, tejet poroz. Aty ku Dibra vjen me nxitim e kryengulthi sikur pret prej një jete, e ku kryeqyteti shtriq me bezdi gjymtyrët e lindjes. Nuk ka tabela, e kur për herë të parë e bën këtë rrugë nuk e merr vesh mirë në atë zonë kaq të bukur, si prej filmit Lord of Ring, nëse ato fshatra të paket e te rregjuar, hedhur anës me dorë El Greko-je, janë të Tiranës, apo të Dibrës.
Rruga e Arbrit ka leshuar shtat si krijesë mitologjike në disa pjesë, e në disa, shtigjet me asfalt ngjajnë si ai peri përtac që mënon të zërë vend në kokën e gjilpërës.
Sugjerim i mirë që ta nisim ngjitjen e Qafës së Murrizit me këngen e Djemve të Detit, ‘Jo tani’, sjellë fuqishëm prej Aleksadër Gjokës e Aurela Gaçes.
Në hyrje të Klosit, marrim një kafe të shpejtë në një lokal të madh, buzë lumit Mat. Karriget e veshura tebdil për salla dasmash, ngjajnë të ngrira ç’prej moti.
‘Veç n’u martofsha vetë’, thotë Bujari, përtej banakut. Nuk ka ngel më njeri këtu, për të bërë gosti të mëdha, pohon ai. Bosi është Veliu, i cili kujdeset për nipat.
Është shkurtuar distanca për Peshkopi patjetër, por ekzistuesja të sjell një lodhje që duhet trajtuar me kafe e raki kumbulle, në atë kërthizë të këtij polisi, ku baret flirtojnë me emrat e qendrave më të mëdha të Europës e botës.
Tek kafe Bolzano, na shërben Klodiani, 30 vjeç. Ndryshe nga mijëra të tjerë, vendosi të kthehet pas një qendrimi të gjatë në Durrës e Gjermani. Thotë se nuk e pëlqen më të jetojë në shtëpi me qira, e ja ku u vendos në plëngun e tij.
Eshtë darkë.
Shumë pak frymë në qarkullim.
Dashuria, kuzhinierja e njohur, prej të cilës mban emrin hoteli ku jemi bujtës, po bën zhurmë të këndshme në kuzhinë.
Ne që mendojmë se kemi ardhur luginës heroike, kemi shkelur kodrave ku është bërë luftë e janë shkrehur pushkë me mbrojt vatanin, mezi presim të dëgjojmë live, kengen e Hajredin Pashës. Atë këngë që bën kudo, të madh e të vogel, të ngrihet në këmbë.
Ja ku Radikës i vjen, pikërisht Agimi.
Motivi; zgjata unë dorën të prekja ty, i Djemve të Detit, do na lërë tani pas disa orësh.
Jemi në një rend të ri. Nuk ndalet dafrunga deri në orët e para të mëngjesit. Dëgjohet shpesh urdhri, anëtarë të të cilit jemi; Nata sapo ka filluar.
E përhime është Peshkopia të nesërmen, dhe një vend i mirë për të pirë kafen e bekuar të mengjesit, ish-turizmi. Endri, 15 vjeç, vallëzon nëpër tavolina. Do punoj thotë deri 17, pastaj do iki.
Qytet i bukur për moshën e tretë, shpall Halili, pensionist. Sak, pak të rinj ka.
Çfarë po i vjen Radikës, nëse energjia po i ikën.
3 orët në kthim, janë një kantilenë nën re. Dibra e heshtur në sqetull të Korabit është më afër, me gjithë zakonet e bukura, sidomos me jufkat.