Albspirit

Media/News/Publishing

Hill: Procesi i Brukselit nuk mund të prodhojë menjëherë rezultat të kënaqshëm

Beograd, 27 shkurt 2023 – Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë të hënën se takimi në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq tregon se Bashkimi Evropian po tenton të gjejë një zgjidhje që u përshtatet të dyja palëve në të ardhmen.

Ai u ka thënë gazetarëve në Kragujevc se nuk ka iluzione që mund të ketë rezultate të shpejta.

“Procesi i Brukselit nuk mund t’i gëzojë ata që presin rezultat të kënaqshëm menjëherë”, ka thënë Hill.

Ai e ka konfirmuar që i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të jetë pjesë e dialogut që zhvillohet në pasditen e së hënës në Bruksel.

“Dua ta theksoj se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar ngushtë në këtë çështje dhe jemi shumë të përkushtuar në këtë temë”, ka thënë mes tjerash Hill.

Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

(REL)

Please follow and like us: