Albspirit

Media/News/Publishing

“Një dasmë e hatashme” mirëpritet në disa skena

Shfaqet në Teatrin Kombëtar Eksperimental  “Kujtim Spahivogli”  shfaqja “Një dasmë e hatashme” me aktorët Julian Deda, Marjana Kondi, Denisa Demaj, Engjëll Hoxha, Fatma Haxhialiu, Ermira Hysaj. I zoti i dasmës është Kiço Londo. Një komedi tipike britanike e autorit  Robin Hawdon, e cila përfshin një numër të pafund përplasjesh. Në mëngjesin e dasmës së tij, dhëndri zgjohet në suitën e hotelit me një vajzë të panjohur, e cila rezulton të jetë e dashura e re e shokut të ngushtë. Dhëndri dhe shoku që është dhe kumbari (duke mos ditur kush është vajza) e kalojnë aktin e parë duke u përpjekur të fshehin situatën nga nusja dhe  përdorin shërbyesen e dhomave. Situata bëhet më e ndërlikuar pasi zbulohet identiteti i vajzës dhe i shërbëtores. Shoku i ngushtë, nusja dhe nëna e nuses fillojnë të bashkojnë të gjitha pjesët. Gjithçka funksionon në fund, por jo pa dhimbje.

Një prodhim i teatrit shëtitës “Çajupi”, pasi u prit mjaft mirë në Durrës dhe në Elbasan  tashmë prej datës 22 shkurt deri më 26 shkurt shfaqja do të jepet edhe në kryeqytet. “Një dasmë e hatashme” ka bërë bashkë aktorë të njohur, si Julian Deda, Marjana Kondi, Ermira Hysaj, Denisa Demaj,  Engjëll Hoxha, por dhe personazhe që e prekin për herë të parë skenën e teatrit si moderatorja Fatma Haxhialiu.

Në një intervistë aktori Julian Deda është shprehur: “Është shumë kënaqësi të bashkëpunoj me regjisorin Kiço Londo. Eshtë hera e parë. Kënaqësi profesionale, personale  sepse është një regjisor që e do shumë punën”.

Ndërsa aktorja Marjana Kondi theksoi: “Edhe unë si Juli kisha 9 vjet pa shkelur në teatër, që nga largimi im nga puna. I bëj thirrje publikut që t’i heqë nga mendja problemet që ka dhe të vijë në teatër, të shohë shfaqjen tonë. Kjo është një shfaqje shumë gazmore, kaq e bukur sa vetëm mund të qeshësh. Përsa i përket bashkëpunimit  me aktorët e  rinj, sigurisht që është një gjë shumë e bukur. Marrim nga njëri -tjetri, si unë nga ata dhe ata nga unë, pra e gjitha është një gërshetim mjaft i bukur”.

Regjisori Kiço Londo duke komentuar pjesën e vënë në skenë prej tij tha: “Sa i përket veprës, ajo është një komedi tipike britanike, që përfshin një numër të pafund përplasjesh me shpejtësinë e dritës. Në mëngjesin e dasmës së tij, dhëndri zgjohet në suitën e hotelit me një vajzë të panjohur, e cila rezulton të jetë e dashura e re e shokut të ngushtë. Situata bëhet më e ndërlikuar pasi zbulohet identiteti i vajzës dhe i shërbëtores”

Regjisori Kiço Londo tregon se ajo që e ka ngacmuar më shumë për të sjellë këtë komedi në skenë është linja e dashurisë.

Sipas regjizorit të mirënjohur të teatrit Londo, vepra ka koherencë me realitetin shqiptar. Ngjarjet në vepër përshkruhen nga një kaos, nga mungesa e qetësisë, nga zgjedhjet gabim, nga çorientimi psiqik dhe fizik i personazheve dhe vetëm ndërhyrja e fortë e dashurisë bën që situata të kthehet në normalitet”

“Një dasmë e hatashme” përveçse një komedi e bukur, e shpejtë, me karaktere të fuqishme, me dialog brilant, përshkohet nga dashuria romantike.

Vepra është përkthyer nga Artur Lena, për të cilin regjizori është shprehur se është ndjerë i motivuar për ta vënë në skenë, për shkak të përkthimit brilant.

Përveç aktorëve të njohur të shfaqjes ngjitja në skenë e dy aktorëve që nuk vijnë nga bota e teatrit, por luajnë teatër për herë të parë siç është Fatma Haxhialiu dhe DenisaDemaj, me siguri do të jetë një surprizë e këndshme për publikun.

Sava Lena

Please follow and like us: