Prigozhin: Mbi 20.000 luftëtarë të Wagner-it janë vrarë në Bahmut
Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha se grupi i tij ka humbur mbi 20.000 luftëtarë në betejën për kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Shifra e të vrarëve, e paraqitur nga Yevgeny Prigozhin, përbën 20 për qind të 50.000 të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë.
Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6.000 ushtarë.
Analistët besojnë që në nëntë muaj betejë në Bahmut janë vrarë dhjetëra mijëra ushtarë, në mesin e të cilëve edhe të dënuar që ishin rekrutuar, e që besohet se janë trajnuar pak ose aspak para se të dërgoheshin në fushëbetejë.
Prigozhin, gjatë një interviste të publikuar të martën mbrëma të realizuar nga Konstandin Dolgov, një politolog pro-Kremlinit, tha se qëllimi i Rusisë për “çmilitarizimin” e Ukrainës – që u proklamua si qëllimi i nisjes së pushtimit – ka dështuar sepse ushtria ukrainase është bërë më e fortë pas furnizimeve me armë dhe trajnimeve nga aleatët e saj perëndimorë.
Shefi i Wagner-it po ashtu tha se forcat e Kremlinit kanë vrarë civilë gjatë luftës, gjë që Moska vazhdimisht e ka mohuar.
Prigozhin, një biznesmen i pasur që ka lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin, njihet për deklaratat e tij kritikuese ndaj komandantëve ushtarakë rusë.
Muajin e kaluar ai akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se nuk po furnizon trupat e tij me municione dhe kërcënoi se do të tërheqë mercenarët nga Bahmuti.
Gjatë intervistës, ai po ashtu tha se ka shumë të ngjarë që kundërofensiva e Kievit, që pritet të nisë në javët në vijim, mund të largojë trupat ruse nga jugu dhe lindja e Ukrainës, por edhe nga Krimeja e aneksuar, marrë parasysh mbështetjen e vazhdueshme që ka Kievi nga Perëndimi.
“Skenari pesimist: ukrainasve u jepen raketa, ata përgatisin trupat, sigurisht ata do ta vazhdojnë ofensivën e tyre, duke tentuar të kryejnë një kundërofensivë”, tha ai.
“Ata do ta sulmojnë Krimenë, do të tentojnë ta shkatërrojnë urën e Krimesë [që e lidh këtë gadishull të aneksuar ukrainas me territorin e Rusisë], të ndërpresin linjat e furnizimit. Prandaj, ne duhet të përgatitemi për luftë të ashpër”, shtoi ai.
Rusia ka pretenduar se ka shënuar fitore në Bahmut, por Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 24 maj se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë brenda Bahmutit.
Bahmuti gjendet në provincën e Donjeckut, që është një prej katër provincave që vitin e kaluar Rusia pretendoi se i ka aneksuar. Këto katër provinca janë pjesërisht në kontrollin e forcave të Moskës.