Albspirit

Media/News/Publishing

Amarda Ekmeçiu: Për fëmijën e bukur që ruajmë brenda vetes në kujtime!

1 Qershori shënonte fillimin e pushimeve verore. Imagjinata fluturonte me dëshirën për të realizuar pushime në bregdet. Por ato përfundonin thuajse në të shumtën e kohës, në shkallët e pallatit përballë shtëpisë përdhese, ku mblidheshim me fëmijë të tjerë ose në pallatin e gjyshes. Sajonim lojra nga më të ndryshmet dhe veç errësira e mbrëmjes na mblidhte në shtëpi të lodhur, me rrëvaga djerse përzier gjithë pluhur, si shenja të mirëfillta të lodrave tona fëminore.
Zaranika, uji i të cilës thuajse shteronte në verë, rridhte në një shtrat betoni që i ngjante diçkaje madhështore. Më ngjallte guximim ta kapërceja bashkë me fëmijë të tjerë. Qe bërë “deti” më i afërt i lagjes sime. Kjo dëshirë më gëzonte shpesh në ditët e nxehta të korrikut të cilën e përfundoja shpejt në aromën e domateve të grira në renden metalike, për të sajuar fërgesën (drekën) për të gjithë pjestarët e tjerë të familjes. Në këtë mënyrë më dukej se fillova të rritem shpejt derisa, zbulova ngadalë “dete” të tjera ëndrrash…
Gëzuar 1 Qershorin, për fëmijën e bukur që ruajmë brenda vetes në kujtime!
Muaj dhe behar të mbarë!
Please follow and like us: