Peleshi: Implementimi i reformës rendit Shqipërinë në listën e shteteve ku sundon ligji
Zv.Kryeministri Niko Peleshi shprehet optimist për rezultatet që do të vijnë pas miratimit të reformës në drejtësi, implementimi i së cilës pritet të përfundojë brenda pranverës së vitit të ardhshëm. Drafti i reformës në drejtësi u miratua në orët e para të ditës së sotme me 140 votat e deputetëve të pranishëm në sallë. I pyetur nga mediat se çfarë do të ndodhë tani që reforma u miratua, zv.Kryeministri Peleshi thekson se ky ishte hapi për kapërcimin e pragut që ndan Shqipërinë e tranzicionit me Shqipërinë normale. Peleshi thekson se reforma ka filluar menjëherë veprimin, pasi një shprehje thotë “frika e ruan vreshtin”. “Reforma në drejtësi për mua është kapërcimi i pragut që ndan Shqipërinë e tranzicionit me Shqipërinë normale. Kjo Reformë doli me vështirësi nga Parlamenti sepse, në thelb, ishte dorëzim i një sistemi, deri dje thelbësisht në duart e politikës. Por efekti i Reformës praktikisht ka filluar që dje”, tha Peleshi. Zv.Kryeministri thekson se edhe pa e lexuar Reformën tani perceptohet qartë, çka e pret zyrtarin që vjedh, apo gjyqtarin që shet drejtësinë. “Implementimi i plotë i reformës, deri në pranverën e vitit tjetër, do ta vendosë Shqipërinë në listën e shteteve ku sundon ligji. Kjo Reformë i shtrin efektet edhe në fusha të tjera të zhvillimit ekonomik-shoqëror. Hapja e negociatave për anëtarësim dhe siguria juridike për investitorët janë vetëm 2 nga “efektet anësore” me impakt të drejtpërdrejtë në punësimin dhe mirëqënien e qytetarëve. Çdo shqiptar ka arsye të jetë sot me shpresëplote për të nesërmen”, shprehet Peleshi. Tashmë pritet që ndryshimet kushtetuese të pasohen nga miratimi i ligjeve, pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi.