Trump: Amerikanizëm, jo globalizëm
Donald Trump e ka pranuar nominimin e Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara, duke shprehur përkushtim për ta mbrojtur “amerikanizmin, e jo globalizimin”, nëse zgjedhet president i Shteteve të Bashkuara.
“Amerikanizëm, jo globalizëm, do të jetë kredoja jonë. Derisa ne jemi të udhëhequr nga politikanët që nuk e vënë Amerikën në vend të parë, atëherë ne do të mund të jemi të sigurt se vendet e tjera nuk do ta trajtojnë Amerikën me respektin e merituar”, tha Donald Trump, mbrëmë vonë në mbyllje të Konventës së Partisë Republikane në Klivlend të Ohajos.
Duke folur para masës së zhurmshme, biznesmeni i pasur, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara ballafaqohen me momente të krizave.
“Së bashku ne do ta çojmë partinë tonë prapa në Shtëpinë e Bardhë dhe ne do ta çojmë vendin tonë prapa në siguri, prosperitet dhe paqe. Ne do të jemi vend i bujarisë dhe ngrohtësisë. Por ne, po ashtu, do të jemi vend i ligjit dhe rendit”, tha Donald Trump.
Ai ka kërkuar “suspendim të menjëhershëm” të imigrimit nga “secili vend i kompromituar nga terrorizmi” derisa “të vendosen mekanizma të verifikimit të dëshmuar”.
Në këtë kuadër ai deklaroi para masës së entuziazmuar se “ne nuk i duam ata në vendin tonë”,
Zoti Trump asnjëherë nuk ka qenë i zgjedhur në ndonjë zyrë publike.
Ai e ka udhëhequr njërën prej fushatave më të jashtëzakonshme në zgjedhjet presidenciale në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, duke e denoncuar atë që ai e quan “sistem politik i manipuluar”.
Megjithqë ai është akuzuar nga rivalët e tij politikë dhe disa republikanë me ndikim, për ksenofobi dhe racizëm, për shkak të komenteve kundërthënëse për imigrantët dhe myslimanët.
Këto komente të tij, po ashtu, kanë shkaktuar përçarje të thella brenda Partisë Republikane, që kanë kulmuar gjatë konventës katërditore.
Kjo konventë është përshkruar nga propozimi i dështuar i delegatëve kundër Trumpit, për ndyrshim të rregullave, për të lejuar votim për kandidatë atlernativë, dhe refuzimi nga rival i tij kryesor, senatori Ted Cruz nga Teksasi, për ta mbështetur.
I vetmi element që duket se në tërësi ka treguar unitet të grupeve të ndryshme brenda partisë, ishte përkushtimi për t’i shkaktuar disfatë ish-sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, të cilën zoti Trump e ka kritikuar ashpër në fjalimin e tij.
“Pas 15 viteve të luftërave në Lindjen e Mesme, pas mijëra miliarda dollarëve të shpenzuara dhe mijëra jetëve të humbura, situata është më e keqe se që ndonjherë ka qenë më parë. Kjo është trashëgimia e Hillary Clintonit: vdekje, shkatërrim terrorizëm dhe dobësi”, tha Donald Trump, duke mos e përmendur faktin se këto luftëra kishin filluar nën presidencën e ish-presidentit republikan, George W. Bush.
Jashtë pallatit ku është mbajtur konventa republikane, në Sheshin Publik të Klivlendit edhe gjatë ditës së fundit të konventës së Partisë Republikane janë mbledhur qindra demonstrues, mbështetës dhe kundërshtarë të Trumpit, me prani të konsiderueshme të pjesëtarëve të policisë.