Albspirit

Media/News/Publishing

Auron Tare: “YJE MBI BUTRINT” dhe fati i “Njerëzve me Dele”

Të shtunën e kaluar, në të njëjtën moment që artisti Timo Flloko recitonte poezitë e tij të dashurisë në skenën e Teatrit Antik të Butrintit, gazetari Marin Mema transmetonte intervistën (pjesë e një emisioni) e arkeologut kubano-amerikan, Dr. David Hernandez i Universitetit të Cincinatit.

Në emisionin e tij në ‘Top Channel’, Mema kishte arritur të merrte një intervistë mbresëlënëse, për të gjithë ata që kishin kohën dhe ngenë për ta dëgjuar. Me rëndësinë e titullit që mban, Dr. Hernandez shpaloste një teori sa interesante aq edhe të përfolur kohët e fundit mbi fatin historik të Butrintit. Sipas  Hernandez, që punon në Butrint prej kohësh nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës së Republikës, në këtë Qendër Antike nuk ka asnjë gjurmë të popullatave lokale të njohura me emrin e kaonëve apo të prasaibëve. Hernandez me një siguri të plotë që  jep përvoja e gërmimeve, thoshte se ky qytet nuk ishte asgjë më shumë se një koloni greke ku cdo gjurmë ishte ardhur nga përtej deti. I pyetur mbi fatin e vendasve, Hernandes kishte një teori shumë mbresëlënëse. Vendasit thjesht vinin dhe iknin me dele në një qytet tërësisht grek.

Unë e njoh Hernandezin prej vitesh. Një emigrant kuban i cili (tashmë me pasaportë amerikane) përfaqëson dy kultura tejet periferike në historinë e Mesdheut për të kuptuar dhe ndjerë thirrjen shekullore të popullsive të lashta të Epirit. Nuk më cuditën aspak teoritë e tij tashmë të artikuluara edhe në shqip të ngjashme me Gjeorgjevicin e dikurshëm. Dikur këto teori të Richard Hodges i pëshpëriste nëpër tavolina dhe ruhej që të mos i thoshte me zë të lartë. Mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar. Nën bekimin e autoriteteve shqiptare me bashkëdrejtor me  Institutin e Arkeologjisë dhe me mësuesin e tij shpirteror Richard Hodges, të votuar nga Parlamenti Shqiptar si administrator i Butrintit për 10 vjet, Dr. David Hernandez nuk ka më droje për të folur mbi  Njerëzit me Dele, të cilët sipas tij nuk kishin asnjë lidhje me Qytetin Antik të Butrintit. Fundi i fundit pasardhësit e këtyre barinjve janë sot në Parliamentin që votoi për Hodges. I cili do të drejtojë dhe do të shkruajë mbi historinë e antikitetit të trojeve ku barinjtë piqnin ndonjë dele dhe e shkëmbenin me vazo plot piktura të prodhuara nga një kulturë superiore Helene që kishte themeluar qytetin. Në një moment reflektimi ndoshta Dr. Hernandez mund të ketë të drejtë, ndoshta etërit e arkeologjisë shqiptare që pasuan Dr. Ugolinin i cili kërkonte Trojën e Re të Virgjilit në Butrint mund të na kenë gënjyer. Duke dashur të ndjekin linjën nacionaliste kanë kërkuar një ngulim imagjinar për barinjtë e dikurshëm dhe i kanë vendosur ata në truallin e helenëve të ardhur nga deti. Të frymëzuar nga burimet antike që flisnin për Kaonë, Prasaibë, Molosë, Thesprotë etj, Shkolla Arkeologjike Shqiptare ndoshta ka gënjyer duke krijuar një lidhje imagjinare me ta duke dashur që njerëzit me dele t’i bënin me pa tjetër të civilizuar duke trazuar kështu ujrat e nacionalizmës shqiptare.

Sot  shkollë e vjetër nacionaliste nuk është më, nxënësit shqiptarë të Hodgis, internacionalistë të thekur miratojnë në heshtje këto teori mjafton që ngjyejnë gishtin në mjaltin e projekteve. Tek-tuk ndonjë zë i mekur flet për një publik tërësisht indiferent i shqetësuar vetëm për personazhet e telenovelave.

Dhe ja me një argument të mbrojtur fort nga një arkeolog kuban si Dr, Hernadez apo ai britanik si Hodges na zgjojnë nga trallisja e gjumit nacionalist duke na treguar një të vërtetë të thjeshtë. Ne ende vazhdojme të jemi Njerëz me Dele. Ashtu si barinjtë e dikurshëm të botës antike që kishin frikë nga kultura brenda mureve të këtij qyteti, që nuk laheshin në banjat publike me dysheme mozaikësh që nuk hynin dot në tempujt plot statuja edhe sot e kemi frikë këtë qytet që na ra në pjesë papritur. I rrimë larg, nuk e duam, i trembemi kulturës së saj, e shikojmë me përbuzje dhe për këtë arsye ia kemi dhënë njerëzve të ardhur nga Deti. Prandaj Hernandez dhe të tjerët pas tij kanë të drejtë, ne jemi pasardhës të Njerëzve me Dele.

 

Post. Scriptum: Për të mësuar më shumë për paraardhësit tuaj dëgjoni intervistën e Dr. Hernandez të Universitetit të Cincinatit, USA.

https://www.facebook.com/1110133454/videos/pcb.10228756267067435/944040906678035

Please follow and like us: