Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan: Inteligjenca dështoi, ristrukturim

Një javë pas përpjekjes së dështuar të ushtrisë për të marrë pushtetin me dhunë, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, citon dështime të rënda në radhët e shërbimeve të inteligjencës duke e bërë të qartë se Forcat e Armatosura do të ristrukturoheshin.

Në intervistën e parë që prej shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, lideri turk thotë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se një grusht i ri shteti ishte i mundur edhe pse theksoi se nuk do të ishte e lehtë, pasi tani ishin më vigjilentë.

“Është shumë e qartë se ka pasur probleme dhe mangësi të rëndësishme në radhët e inteligjencës, nuk ka më kuptim ta mohojmë këtë. Unë ja thashë këtë kreut të shërbimeve sekrete”, tha Erdogan.

Udhëheqësi turk i cili gjendej me pushime në qytetin turistik të Marmaris me familjen e tij, tha se kishte qenë kunati i tij që e kishte informuar mbi atë që po ndodhte.

“Ai më tha se ushtarët po bllokonin rrugët dhe se nuk po lejonin makinat të hynin në urë. Kur mora lajmin fillimisht nuk po e besoja që po ndodhte realisht. Telefonova kreun e sigurisë kombëtare dhe atë të inteligjencës por nuk lidhesha dot me ta. Telefonova shefin e shtabit të Forcave të Armatosura por as ai nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej telefonatës”, vijoi Presidenti turk.

Erdogan tha se ai dhe familja e tij i kishin shpëtuar vdekjes për mrekulli natën e puçit, teksa avioni me të cilin udhëtonin po përpiqej të ulej në Aeroportin e “Ataturkut”.

“Unë besoj se çdo gjë që ndodh është e shkruar. U thashë pilotëve se isha gati të përballesha me çdo rrezik. Në avion gjendeshin gruaja, vajza, nipërit, dhëndri dhe pjesëtarë të sigurisë. Të gjithë ishin aty. Unë pyeta nëse avioni mund të ulej dhe piloti më tha se do përpiqet por se përballeshim me rreziqe”, deklaroi Erdogan.

Please follow and like us: