Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: KRIME TË REJA DHE TË VJETRA

Krimi i radhës kundër njerëzimit në Ukrainë është shkatërrimi nga bombardimet ruse i Katedrales së Shpërfytyrimit në Odessa, një zonë ku historikisht kanë jetuar edhe shumë shqiptarë.

Një monument historik i mbrojtur nga UNESCO (një kujtesë e hidhur e pafuqisë së komunitetit ndërkombëtar)

Kjo është hera e dytë në histori që Katedralja e ndërtuar në 1808 shkatërrohet. Herën e parë ishte në vitin 1936 nga regjimi Bolshevik që ndërtoi në vend të saj një memorial kushtuar Stalinit. Në 1999 kishte nisur rindërtimi për ta rikthyer në formën e dikurshmë. Në 2003 rifilloi veprimtarinë si Katedrale Ortodokse.

Sot, ishin forcat e diktatorit të radhës nga Moska, ish-oficeri i sigurimit të KGB-së, Vladimir Putin, që bënë shkatërrimin e dytë të saj.

Ironia është që Putini përpiqet ta propagandojë veten si mbrojtës të krishtërimit. Mirëpo në fakt, shkatërrimet, vjedhjet, dhe përçundimet e trashëgimisë së krishterë në Ukrainë që prej fillimit të luftës kanë qenë të tmerrshme.

Putini e lufton edhe Kishën Autoqefale të Ukrainës, sepse ka dalë nga streha e Kishës Ruse, të cilën e ka kthyer në një shtojcë të pushtetit të tij politik.

Jo për të parën herë, vihet re ngjashmëria e veprimeve të Rusisë sot me ato të Serbisë e Jugosllavisë së viteve 1990. Ndërsa nga një anë Serbia e shiste veten si mbrojtëse e krishtërimit në Ballkan, vija e gjatë e kishave e manastireve të shkatërruara, nëpër gjithë ish-Jugosllavinë, përfshi edhe Kosovën dëshmonte të kundërtën.

Në propagandën e saj të paturpshme nëpër rrethet e krishtera në Europë, SHBA etj, Serbia vazhdimisht riprodhon fotografi e video nga shkatërrimi i kishave serbe në Kosovë në marsin e vitit 2004. (Vitin që vjen për 20 vjetor do të bëjnë namin).

Ato shkatërrime kanë qenë të turpshme dhe të panevojshme. Por ajo që nuk kuptohet nga propaganda serbe është se rrëmujat dhe trazirat që sollën shkatërrimin e dhjetëra kishave serbe zgjatën vetëm tre ditë. Veprimet e shkatërrimit u dënuan pa asnjë ekuivok nga të gjitha partitë shqiptare në Kosovë. Vandalët u arrestuan. Mbi 200 vetë janë përballur me gjyqe. Ndonëse ata kanë vepruar si reagim nga lajmi se tre fëmijë shqiptarë ishin mbytur në lumë prej serbëve, një kujtesë e hidhur e krimeve të tmerrshme kundër njerëzimit të ndodhura vetëm pak vite më parë, për të cilët nuk ishte bërë asnjë drejtësi.

Që atëhere Kosova, me bashkëpunim ndërkombëtar ka paguar e ndihmuar në rindërtimin e kishave ortodokse. Ngjarjet e dhunshme të atyre tre ditëve nuk ndodhin më edhe sepse tani Kosovën e ruan policia e saj, e autoritetet e saj të rendit.

Ndryshe nga këto tre ditë të vetme, shkatërrimi i xhamive, teqeve, dhe kishave shqiptare të Kosovës ka vazhduar me vite, madje me shekuj. Asnjëherë Serbia nuk i ka dënuar ato shkatërrime. Madje as ato të kohës sonë. Asnjëherë nuk është ofruar të ndihmojë në rindërtimin. Asnjëherë nuk ka arrestuar vandalët e saj.

Ndryshe nga shkatërrimi i kishave serbe në ato pak ditë në Kosovë, që ka ndodhur nga të rinj të revoltuar që kanë vepruar në mënyrë sporadike, shkatërrimi i xhamive dhe kishave në Kosovë, Bosnje e Kroaci është bërë nga trupa të rregullt serbe, që kanë vepruar me urdhër, sipas znixhirit të komandës. Kosova si shtet nuk është fajtore për ato shkatërrime dhe përsëri ka ndihmuar për rindërtimin. Serbia është drejtpërdrejt fajtore dhe përpiqet ta justifikojë dhunën.

E megjithatë, Serbia është anëtare e UNESCO-s kurse Kosova jo. Në mënyrë të ngjashme, Rusia është sot anëtare e UNESCO-s, pavarësisht prej injorimit të plotë të kërkesave të organizatës që të mos godasë objektet kulturore të rrezikuara.

Bombardimet mund të shkatërrojnë monumentet, por propaganda nuk duhet lejuar të mposhtë të vërtetën. Ajo duhet treguar e dëshmuar me zë të lartë, si për Ukrainën ashtu edhe për Kosovën.

Please follow and like us: