Mimoza Bici: Nimfë e një liqeni
Dikur isha një lloj specie
Shndërrrohesha Nimfë
të gllabëroja sa më shumë djelmosha
Ti mburresha Zotit të Tokës dhe të Qiellit
si djallushka më e përkryer.
Më pas
duke dashuruar e dashuruar
humba skeletin
Madje dhe petkun e Nimfës
E bridhja botës
duke u mburrur si
gruaja më e bukur.
Tani ha veten
në kërkim të skeletit
aty nën ujëra liqeni blu
Asnjë perëndi s’më kthen mbrapsht
Loja vazhdon…
Sa dashurova vdiqa
Sa dashurova mbeta e bukur
Vdiqa, linda, dashuri
Kur ndjej se dikush tradhëton
Marr aromë dallgësh të liqenta
Spërkatem me cifla skeleti nga specia ime e zhdukur thellësive
e bëhem më vajzërore.
Sa më paska falur vetja ime
Kush kam qenë në të vërtetë
Jam shfaqur e pakohë
Kujdes nëse guxon e më prek kthetrave të tua…
Më dashuro kur jam Njeri
Sa rrallë jam Njeri
Po zhdukem të jem Njeri
Më dashuro
Eja botës sime më mirë
Është më e bukur
Ishte më e bukur
Asnjëherë nuk do të jetë më bukur
Ndaj ikin të gjithë
Por jo Ti
Zot i tokës dhe i qiellit
Dashuri!
Sa pak
Sa pak po mbetem Njeri
Më dashuro sa jam Njeri
Aty thellësive
e mundur është e vërteta e përkryer ku bashkohet Qielli me Tokën
Janë të mahnitshëm trupat magjikë
Shijohet çdo shikim e mendim
Por nuk bëhet dashuri
Nuk dija çfarë ish kjo dashuri
M’u desh të shndërrohesha në Nimfë
Gllabëroja djelmosha se ajo ish dashuri
Të mjerët mbetën trupit tim djallushkë
duke zgjuar më të përkryerën e të përkryerës së gjithë Universit
DASHURINË!
Sa pak po mbetem Njeri
Kjo qenie
gllabëron më frikshëm
Kam mall për skeletin tim
Eja dhe Ti
Ta mbushim me atë pak dashuri
Sa koha spërkat trupa në kërkim
Ne mbetemi ikje… kthim.
(mimozaVbici@ ” Nimfë e një liqeni” Tiranë , shtator 2023).