Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Mbi dhunën në rritje tek të rinjtë

 

Kronikat e fundit të lajmeve, faqe e parë a e fundit e gazetave, portalet online, deklarimet e policisë gjatë kohëve të fundit flasin për një numër të madh krimesh (si vrasja) që po kryhen nga rinjtë.

Statistikat e shumta të Policisë së Shtetit tregojnë shifra alarmante të të rinjve që kryejnë krimin e vrasjes.

Rritja e numrit të të rinjve që përfshihen në konflikte të tilla me ligjin, të cilët fatkeqësisht tashmë janë kthyer në “vrasës gjakftohtë”, me pagesë vihet re edhe në përsëritjen e vrasjeve të të njëjtit lloj dhe makabre njëherësh!

Përballë një fakti të tillë të gjithë bëjnë pyetjen: Pse po kryejnë vrasje të rinjtë tanë? Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë.

I gjithë fenomeni është kompleks dhe shpjegimi i tij është edhe më i vështirë!

Le të ndalemi për një moment e të shpjegojmë se cilët janë arsyet e paarsyeshme që e kthejnë një të ri në vrasës gjakftohtë.

1.-Ambienti social ku rritet dhe formatimi i tij ndër vite, ne lagje, burgje apo edhe nga kokat e bandave që i afrojne dhe joshin në fillim me para e pije, pastaj i mësojnë dhe i përgatisin me kujdes duke u rrëfyer se vrasja nuk është ndonjë gjë e vështirë pas herës së parë dhe ti pastaj mësohesh pa problem.

2-Vendi ynë i vogel prej vitesh ndodhet në një lloj tranzicioni ku nuk ka shumë hapsira punësimi për të rinjtë, e në këtë situatë përfitojnë shpesh bandat të cilat krijohen me shpejtësi dhe formatojnë vrasës që në adoleshencën e hershme !

3-Teksa të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen në respektimin e të drejtave të njeriut (të fëmijëve në veçanti), demokratizimit, liberalizmit dhe në ofrimin e asaj çka sistemi i mëparshëm nuk i mundësoi brezit të prindërve të sotëm, një pjesë e rëndësishme e normave të domosdoshme për mirëfunksionimin e shoqërisë janë lënë në harresë, ose janë “hedhur tej” si dekadencë e viteve të shkuara.

4- Të gjithë përqendrohen në “mirëfunksionimin” e qeverisjes politike edhe të rinjtë, në një mënyrë a një tjetër janë lënë në harresë? Në atë lloj harresë ku nuk u kushtohet vëmendje miqve e shokëve të tyre, mbarëvajtjes së tyre në shkollë, orëve të gjata të shpenzuara nëpër kafenetë e shumta e aq më pak vëmendje i kushtohet kulturës aq degraduese që ata manifestojnë çdo ditë.

5-Dhuna në familje, shoqëria shqiptare kërkon që çdo familje të ketë një baba autoritar e të ftohtë për të mbajtur “frerët” e shtëpisë në dorë, një baba që jashtë dyerve të shtëpisë është njeri me sjellje më të pëlqyeshme, i respektueshëm nga të gjithë, por që brenda dyerve rri e konsumon alkool në vend të ujit, fyen (e madje edhe godet) bashkëshorten e tij në sy të fëmijëve dhe  kjo e fundit e konsideron normale këtë sjellje, burri i saj fillon e bën të njëjtën gjë edhe me fëmijët e tyre.

Ky element nxit në moment trurin e djemve që rriten në të tilla ambiente aq sa gjithçka është kthyer përmbys në jetën e tij dhe ka prirje të kthehet në vrasës gjakftohtë!

6-Pasojat e një “stili” jetese në adoleshencë mes djemve të fortë rrënjosin ndenja negative në psikologjinë e fëmijës dhe çorientojnë formimin e personalitetit të tij.

7-Mungesë e theksuar shkollimi në familje dhe pamundësi ekonomike, por edhe zhvillimit të inteligjencës pozitive ndër vite, ku ka si element parësor kotheren e bukes, e kthen në person që peshkohet lehtë për ta kthyer në vrasës me pagese

8-Rendja pas parasë e të mirave materiale e ka lënë në hije rëndësinë e arritjes së tyre nëpërmjet “punës së ndershme” siç ne shqiptarët quajmë çdo punë që arrihet nëpërmjet arritjes së një formimi të caktuar, nëpërmjet edukimit e zhvillimit të intelektit, në një mjedis të tillë inteligjenca pozitive nuk njihet aspak si koncept (në fakt, një pjesë e mirë e shoqërisë sonë e di fare mirë se çfarë mund të quhet inteligjencë negative që automatikisht i kthen ne abuzuese me drogën e pastaj vrasës me pagese).

9-Të qenurit i abuzuar seksualisht në fëmijëri nga një i njohur, familjar, apo në ndonjë institucion tjetër ku ka kaluar fëmijërinë ndryshon tërësisht rrjedhën normale të jetës për një fëmijë e fatkeqësisht  në shumicën e rasteve e kthen këtë fëmijë në një abuzues, dhunues, përdhunues e vrasës në të ardhmen.

10- Gjakmarrja: Histori të dhimbshme gjakmarrjeje vendi ynë ka shumë. Më i dhimbshëm është fakti se familjarë të prekur nga ky fenomen i imponojnë një të mituri ndjesinë dhe detyrimin e përdorimit të armëve dhe të marrjes së gjakut. Shpesh kjo kategori të miturish kthehet në vrasës të pandërgjegjshëm.

*Keto që listova më lart janë faktor determinues që një i ri të kthehet në vrasës.

Por edhe varfëria e tejskajshme po i orienton drejt vjedhjeve e grabitjes të miturit e adoleshentët, të cilët herët a vonë do të shndërrohen në vrasës, lakmia për të fituar sa më shumë pa u munduar të punojnë do të sofistikojë grabitjet e tyre dhe do t’i detyrojë edhe të vrasin pa u menduar dy here.

*Tiparet psikologjike të zhvilluara te një vrasës dhe si i rritet brenda tij kjo dëshirë:

Sipas psikologëve dhe sociologjisë së devijancës, ambienti që i rrethon personat e prirur për t’u shndërruar në vrasës u dikton atyre në të shumtën e rasteve një shpërfytyrim të pamjes vizive që manifestohet me gjymtyrë më të zhvilluar, kryesisht krahë dhe shpatulla, të cilat shpeshherë kanë tendencën t’i zhvillojnë në mënyrë natyrale ose duke përdorur hormone për të zhvilluar sa më shumë muskulaturën.

Ky ndryshim fizik u jep një lloj sigurie në vetvete dhe u rrit vazhdimisht dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes, ose ndonjëherë ndodh edhe e kundërta e kësaj , tipa shumë të padukshëm, jo shumë të zhvilluar dhe të heshtur në familje e në shoqëri, ku kjo e fundit më së shumti është faktori kryesor që i prodhon kohë pas kohe dhe pastaj paguan koston e prodhimit të tyre, se në mënyrë krejt të papritur kryejnë vrasje të paimagjinueshme.

*Po sjell shkurt disa faktorët që nxisin të rinjtë të shndërrohen në vrasës gjakftohtë dhe shpeshherë në vrasës serialë?

Vrasja nuk kryhet nga një individ normal dhe me mendje të kthjellët, pohojnë kriminologët dhe pikologët, por gjithnjë ka disa arsye objektive ose subjektive, të cilat krijojnë mundësi që një i ri të kthehet në vrasës.

1-Diçka ka ndikuar kaq shumë në gjykimin e tyre sa që ata kanë premisën të bëjnë gjëra për të lënduar të tjerët në çdo moment.

2-Mjafton të jetë një situatë e përjetuar keq jashtë normales për ta në fëmijëri apo një zhgënjim i papritur.

3-Një rast i cili i çon drejt “rrugës” së vrasjes është prishja e jetës familjare, prishja e modelit të tyre për familjen.

4-Dhuna që ushtron njëri prind ndaj tjetrit fizike, verbale apo seksuale ndikon mbi fëmijën që të kthehet në vrasës.

5-Paaftësia e prindit për të dalluar problemet psikologjike te fëmija i tij dhe për ta kuruar në kohë. Mungesë e komunikimit me djemtë në adoleshencë dhe një liri e tepruar pa kontroll.

Dhuna e përhapur tek të rinjtë është jashtë çdo lloj perceptimi e kontrolli dhe ju siguroj se do të shohim në mënyrë të vazhdueshme modele të frikshme të bëra publike në kronikën e zezë të televizioneve dhe rrjetet sociale.

Jemi në alarm për botën e të rinjve, që kahja e tyre shpesh imponohet nga përditshmëria në këtë vend!

Please follow and like us: