Albspirit

Media/News/Publishing

Puna fizike, biçikleta dhe buka e grurit

 

 

Agim Xh. Dëshnica

 

Sapo vendi ynë i vogël, u lidh me Kinën e Madhe, në korrik me vendim nga lart, filloi muaji i punës fizike. Në atë kohë Rudi ishte me punë ekonomist në ndërmarrjen e materialeve të ndërtimit, pak më lart se Zogu i zi, e njohur para luftës me emrin Fabrika Staçioli. Tani e tutje për tridhjetë ditë do të linte punët me shifra, makinën llogaritëse si mulli kafeje, makinën e shkrimit Oliveti e shkresurinat e zyrës. Dosjet i mbylli në kasafortë me dyll e vulë.

“Nuk bëhet shaka me sekretin shtetëror, sidomos me evidencat e raportin e realizimit të planit!” – mendoi ai me një farë dridhme dhe ironie.

Në mëngjes hipur në biçikletë Rudi mori udhën për në kooperativën e bashkuar Pezë e Madhe, që shtrihej deri atër Rrogozhinës. Pasi la prapa TEC-in me oxhakun e tymosur të kombinatit të tekstileve, udhës, para Urës së Beshirit, arriti një burrë, i cili edhe ai ecte me biçikletë. Kur u ndodh përbri tij, thirri i gëzuar:

– O, Hamzai! Nga vete kështu shtruar e shtruar? – e pyeti.

Tjetri ktheu kokën, e pa dhe ia ktheu:

– Shiko kush na qenka! – Qeshi e i tha: – Për punë fizike po shkon?

– Po, po!

– E ku ta kanë caktuar?

– Në Pezën e Madhe.

– Pse s’thua që do të punojmë bashkë!

Hamzai ishte miku i tij i vjetër, qysh në Gjimnazin e Tiranës. Tashti punonte hidrolog në laboratorin pranë Kroit të Shëngjinit. Ishte gjithmonë i qeshur e fjalëpak.

Të dy shokët me biçikleta nxituan për të mbërritur në orën shtatë te vendi i punës, para çezmës në anë të rrugës përballë zyrave dhe depove të kooperativës. Atje, një djalosh shtatgjatë, i krehur si qytetarët, me kostum të errët e me kravatëtë të kuqe, ndante punët. Për një hop ai mendoi që ata të vazhdonin udhën përtej Ndroqit, deri në kufi me Durrësin, për të punuar me njëzet zyrtarë të tjerë për të hapur në tokë të fortë, me kazmë e me lopatë, një kanal që fillonte pranë lumit Erzen. Por djaloshi me kravatë vendosi ndryshe, i mbajti aty, po, ama, larg njeri-tjetrit. Hamzanë e vuri të hapte një hendek drenazhimi, kurse Rudin – të pastronte me lopatë nën një urë me dërrasa një grumbull ndyrësirash. Pas një ore, pezaku me kostum qyteti u kthye dhe ndaloi në mes të urës. I mbështetur në drurin e parmakut pa me vemendje poshtë punën e kryer, pastaj thirri:

– O shok! Lene lopatën dhe ik te kapanoni i drithit! Aqe do të punojsh!

Rudit i shkoi si vetëtimë nëpër mend kapanoni i frutave. Megjithatë, me njëfarë gëzimi, e hodhi lopatën e lyrosur në breg dhe u largua nga ajo punë e pështirë krahu. Tek hidhte hapat përmes një fushe të rrethuar me gardh, një çun kokërruar i doli përpara e i tha:

– O shoko! Ndal! Mos kalo!

– Pse?

– Asht’ e ndalueme!

– Ç’ka dodhur?

– A’ zonë shalqini krejt ç’ka shef.

– Ç’punë kam unë me sharqinjtë, or çun!? – ia ktheu Rudi dhe vijoi të ecte drejt. Pas pak, hyri në një arë plot me sharqinj të murmë. Ashtu të zhytur pak në tokë, ata dukeshin si mina kundërtanke. Rudit padashur i shkuan sytë nën hijen e një pemë me kumbulla të kuqe. Pesë vetë rrinin ulur shesh, ndërsa një kokëmadh, mesa kuptohej, brigadieri, po çante me një thikë të gjatë, ndoshta sharqirin e dytë. Sapo e pa Rudin, atij i ra thika nga dora. Rudi në atë vapë, i dëshiruar për ato thela të kuqe flakë, kaloi përpara tyre pa bërë zë, veçse me zili, ndërsa goja i leshonte lëng. Më në fund, mbërriti në kapanonin e drithit. Përgjegjësi, një burrë i shëndoshë, bullafiq, me syze dielli e kasketë, e pa me vërejtje:

-Ti je ai shoku prej qyteti?

– Po.

– Ulu ke ata shokët atje. Ke me shkoq kalli misri.

Shokët ishin shtatë vetë, ulur bri për bri, para një shtroje prej plastmasi të nxirë nga xhufkat e lëpushkat e misrit. Gjashtë prej tyre ishin djem të rinj veshur si qytetarët, i shtati, burrë thatim i thyer në moshë, mbante qylaf të bardhë e shallvare të zeza.

Rudi u tha “punë e mbarë!” – dhe u ul këmbëkryq pranë tyre. Pas përgjigjes “mbarë paç”, askush nuk e pyeti nga vinte. Mesa kuptohej, e dinin qysh më parë. Në punë e sipër Rudi dëgjonte se burrit të moshuar i thërrisnin herë xhaj, herë hoxhë. Pas dy orësh njëri prej tyre e pyeti plakun nën zë pranë veshit:

– Or, hoxhë, kur bi Ramazani?

– Sot asht dita e pestë.

– Çere thu’ mër jahu!-. Na s’kina fillu’ me agjinue hala! – pëshpëritën gjashtë të

Tjerët.

– S’ka gja fillonia nesër!

Kaloi dhe një orë. Shtroja e plastmasit u mbulua me grumbuj kokrrash misri.

– Or xhaj! – tha më i madhi, – sot radhën e ke tina! Çou e ik!

– Ashtu!? – Plaku u ngrit në këmbë. Pak më tej, pas një kaçubeje, mori thesin e mbushur plot, e hodhi në shpinë dhe, pa thënë asnjë fjalë, u largua i krrusur dalëngadalë për në shtëpinë e rrethuar nga gardhi me purteka, në tokat që nuk ishin më të tijat, por të katundarëve të bashkuar me daulle, këngë e valle. Tani ato mbroheshin nga ligjet e shtetit dhe policët e plotfuqishëm. Po të kapej ndonjë prej tyre, duke marrë pak kumbulla ose rrush, apo disa kalli nga misri i mbjellë, e rritur me mundin e tij në tokën e vet, e priste burgu. Në një dyqan – kasolle aty pranë me thupra shkurresh për fshatarët, shiteshin vetëm speca.

Ditën e dytë Rudin e Hamzanë, djaloshi me kravatë i caktoi të punonin sëbashku për të hapur një hendek drenazhimi për kullimin e tokës në arën, ku do të mbillej misër. Të dy iu shtruan punës me bel e me lopatë duke e zgjatur hendekun e parë më shumë se pesëdhjetë meter. Pas ndonja një ore arriti atje brigade e investimeve.

Ishin tetë djem të shkathët me brigadierin në krye. Në duar mbanin qese me tallash druri e tuba qeramike të ngjashme me tullat. Njëri nga ata shtronte në fund të hendekut tallashin, të tjerët pas tij vendosnin tubat ngjitur – varg. Pasi punuan ca kohë shpejt e shpejt, Rudit i kapi veshi zèrin e brigadierit:

– Ec të ikim, çuna! Boll për sot!

– Ceno! Çere thu’, mre!? Na kina shtrue vetëm pak ma tepër se gjysa!

– Ec, luj venit, po t’thom, se s’m’i ka hangër thiu trutë!

Dhe brigada e invesimeve humbi tutje nëpë ara.

Çdo ditë kryetari i kooperativës së madhe me Gaz-BÇ bridhte poshtë e lartë. Njëherë ai zbriti nga makina dhe shkoi atje, ku Rudi dhe Hamzai të baltosur kokë e këmbë, po hapnin me bel e me lopatë hendekun e drenazhimit. Ndaloi e u përkul mbi ta. Vuri buzën në gaz dhe i pyeti:

– Si ju duket puna?

– Bukuri në dynja! – ia ktheu Rudi buzëgaz.

Kryetari qeshi i kënaqur e u largua.

Pas pak u duk një burrë i shkurtër me kasketë i veshur si qytetar e u tha

:-Unë jam sekretari i partisë; desha me ditë a keni qenë partizanë?

Posi jo- iu përgjigj Rudi.-të dy me biçikletë korier në Çeiën Pezës ,nga Tirana në Pezën e Madhe.

– Vërtetë!- tha sekretari e brodhi sytë sa te njeri te tjetri e befas, iku tutje arave

Rudi e Hamzai, qeshën Pasi mbaruan punën e asaj dite në vapë korriku, morën udhën drejt çesmës në anë të rrugës së makinave. Ashtu të lodhur e të përlyer me baltë kaluan përbri një are, tek punonin me shat disa vajza të krehura e të veshura si ato të qytetit. Në çastin, kur vajzat panë të dy burrat, ashtu të sfilitur e të llangosur, qeshën ndërmjet tyre me gjithë shpirt. Një faqesimite, duke mos iu drejtuar askujt tha me një zë burri:

– Sa poshtë ka ra Kartagjena!

Rudi e Hamzai, ecën më tutje pa u ndjerë, arritëën te çesma e u lanë mirë e mirë, hoqën llumin nga koka te këmbët, pastaj morën biçikletat dhe u larguan për n֝ë shtëpi.

Rrugës, duke e ngarë biçikletën në krahun e majtë të Hamzait, Rudi u ndje më mirë, i harroi talljet e vajzave pezake me shkollë dhe pyetjet qesharake të sekretarit të partisë. Dhe ia nisi nga rrëfimet:

– Thonë se pas dreke kryetari i kooperativës ia këput gjumit për shtatë pale qejfe, ndërsa aty nga ora 12 e natës mbledh anëtarët e përgjumur të këshillit, për punët e kryera e të pakryera në kooperativë. Por, thonë edhe se që andej nga pas kodrave të lumit Erzen, ku gruri rritet për bukuri, një koopertivist me biçikletë shkon herë pas here në qytet. Atje, lutiu njerit, lutiu tjetrit, më së fundi arrin të blejë dy bukë gruri. Në kthim për në shtëpi, lë rrugën e makinave, që të mos ndeshet me ndonjë polic. Merr djathtas e majtas, duke kaluar përmes bokave të shkreta. Në të errur futet si vjedhës në oborrin e shtëpisë së tij, ku e presin me ankth gruaja e fëmijët. Po në atë kohë shihet nëpër muzg vargu i grave me shami të bardha mbi kokë, që kthehen nga arat dalëngadalë me drapër në duar, pas një pune në pisk të vapës, të përkulura e me sytë përdhe, nga ora gjashtë e mëngjesit në tokat e Kooperativës bujqësore të Pezës së Madhe.

Hamzai fjalëpak, që e dëgjonte Rudin i heshtur, tha befas:

– Këto histori ngjajnë֝ me ujitjen e misrit nga qytetarët me kova, si lulet në saksi, dhe të ullishtave me voza e me fuçi, ose me tërheqjen zvarrë të thasëve me kallinj të këputur në arë me duart e gjakosura të zyrtarëve, apo duke e korrur grurin me drapër.

Të dy sholët e vjetër u ndanë tek rruga e Kavajës kalon unazën, te 21-shi, për t’u kthyer prapë të nesërmen në ora shtatë para zyrave e depove të kooperativës bujqësore të bashkuar të Pezës së Madhe, që shtrihej deri afër Rogozhinës.

 

 

 

Please follow and like us: