Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova edhe korrupsionin e ka sui generis

Kosova, me statusin e saj ambig, si shtet i pavarur dhe protektorat ndërkombëtar, me qeveri sovrane, ama me prezencë të huaj ushtarake mbikushtetuese, pa qenë e pranuar si shtet nga OKB, as nga Bashkimi Europian, as nga OSBE e as nga NATO, kurrë nuk mund të bëhet shtet mirëfilli ligjor. Prandaj, Kosova edhe korrupsionin e ka sui generis. Në rastin e Kosovës, edhe korrupsioni përdoret si presion e si shantazh ndaj saj.

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Në kontekstin tonë shqiptar, të postdiktaturave e të tranzicionit të tejzgjatur, diskutimi për korrupsionin mund të jetë pak a shumë si format e plastelinës, të cilat ndryshojnë varësisht nga shtypja që ushtrohet mbi të. Diskutimet për korrupsionin e për të korruptuarit në të shumtën marrin formë nga hamendjet, ngase fakte për veprimtarinë korruptive gjenden mjaft vështirë. Diskutimet për korrupsionin i karakterizon edhe toni i lartë, gati irracional, ngase ata që flasin për korrupsionin, ose nuk e njohin shoqërinë së cilës i takojnë ose vuajnë për faktin që nuk janë vetë në pozitat ku mund të marrin favore korruptive për veten e tyre.

Kush flet, kush bërtet

Tipologjia e folësve më të zhurmshëm antikorrupsion më duket me interes, prandaj ia vlen ta paraqes shkurtimisht. Për korrupsionin ndër ne më së shumti flasin politikanët dhe aktivistët politikë, kur janë në opozitë, pra kur nuk kanë vetë mundësi të vjelin favoret e ambientit endemik korruptiv. Ata lamentojnë, akuzojnë, propozojnë, premtojnë, veçmas në kohën e fushatave zgjedhore. Duket sikur nxjerrin shkumë nga goja. Në jo pak raste qytetarët u besojnë fjalëve dhe shtirjeve të tyre dhe i votojnë pikërisht për atë pasion, si demek luftëtarë kundër korrupsionit. Për korrupsionin raportojnë e flasin mediet, në tërë spektrin e tyre dhe në tërë nivelet e tyre profesionale e teknologjike. Mediet që kanë më pak reklama e më pak mundësi të marrjes së fondeve bëhen më të zëshmë kundër aferave korruptive. Me atë zhurmnajë i frikësojnë bizneset dhe i detyrojnë që të tregohen “më altruistë” ndaj tyre. Kundër korrupsionit flasin e bërtasin edhe besimtarë militantë e një dorë hoxhallarësh pseudopopulistë, ndonëse raporti i tyre me shërbimet që ofrojnë, në jo pak raste, mund të jetë i diskutueshëm nga prizmi i korrupsionit. Për korrupsionin flasin edhe pjesëtarë të grupeve sociale, si pensionistët, punonjësit, rinia studentore, pacientët, pra i madh e i vogël. Për korrupsionin flet shpesh edhe qeveria, por zakonisht për korrupsionin në të kaluarën, kur tjetërkush ka qenë në qeveri. Përkundër gjithë asaj llafazanërie, korrupsioni mbetet i pacenuar, mbetet aktiv, mbetet modelues i shumë raporteve në shoqëri. Por, gjithë ajo zhurmë nuk ia lë shenjë luftës kundër korrupsionit, aq sa në mënyrë të logjikshme mund të shtrohet pyetja se a e dinë të gjithë këta participues pasionantë e histerikë në diskutimin mbi korrupsionin se çka është në të vërtetë korrupsioni? Apo flasin për dukuri të tjera, duke ua vënë emrin që i mbulon, si batanije, të gjitha devijimet dhe ndyrësitë?

Shqipja nuk e definon saktë korrupsionin

Lidhur me tërësinë e kuptimeve të fjalës korrupsion, duket sikur kemi ngushtim kuptimi, paqartësi, ngatërresë. Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, përkufizimi i fjalëve korruptim, korruptoj, korruptuar, korruptues bëhet me pak fjalë dhe me theksim vetëm tek ana morale e problemit: “e prish dikë nga ana morale, dhe e bëj të marrë rrugë të keqe për qëllime të caktuara, e shtyj dikë me anë dhuratash, ryshfetesh etj. që të veprojë në kundërshtim me detyrën që ka, të shkelë ligjet etj., për të më bërë shërbime” (873) Ky definim i varfër, nga ana semantike, është bërë një realitet ideologjik e social që ndryshon shumë nga realiteti ynë i sotëm, i cili karakterizohet nga raporte shumë më dinamike ekonomike, sociale, politike, ideologjike e morale sesa periudha e ngurtësuar e socializmit. Prandaj e konsultova Enciklopedinë Kroate, e cila ka një definim më kompleks mbi korrupsionin: “korrupsioni (lat. corruptio) shfrytëzimi i detyrës publike për favore personale. Shpesh me këtë nocion shenjohen dukuri të ndryshme shoqërore: kriminaliteti i organizuar dhe ai ekonomik, qeverisja e keqe dhe pasojat e saj, paqëndrueshmëria dhe mendjemadhësia (arroganca) e pushtetit.” Pra, sipas këtij definimi, theksi bie te qeverisja e keqe, e cila u krijon klimë të favorshme edhe veprimeve individuale korruptive. Rrjedhimisht, korrupsioni burimin e vërtetë e ka te qeverisja e keqe, jofikase, joetike, joligjore, ndërsa ato gjendje pastaj shfrytëzohen nga njerëz që kanë mundësi pushtetore dhe prirje për veprimtari korruptive. Në instancë të fundit, i bie që korrupsioni më shumë është çështje ligjore sesa morale, natyrisht duke mbetur gjithmonë edhe një problem moral i dorës së parë. Por, pa u rregulluar me ligje adekuate dhe pa krijuar mekanizma që e parandalojnë dhe e ndalojnë veprimtarinë korruptive, korrupsioni nuk mund të parandalohet e as të luftohet vetëm me postulate morale. Kjo gjë shihet më së miri në rastin tonë shqiptar, ku lamentet janë kryesisht të sferës morale, të pabashkërenduara me veprime ligjore.

Përtej praktikave korruptive shqiptare, të cilat në të shumtën janë primitive, ka praktika ku me mekanizma ligjorë është krijuar korniza ku korrupsioni interpretohet si veprimtari lobuese dhe e ligjshme. (Përderisa disa parlamentarë europianë, që kanë lobuar për imazhin e disa shteteve jashteuropiane, janë penalizuar me akuza për korrupsion, kongresistët amerikanë që bëjnë veprimtari të njëjtë quhen lobistë.) Por, në rastin tonë shqiptar, kam frikë se nuk na ndihmon as definimi i varfër i Fjalorit të Gjuhës Shqipe, as definimi më solid i Enciklopedisë Kroate, as praktika europiane e as ajo lobiste amerikane. Nuk na ndihmon për dy arsye: e para, për shkak të pasojave që ka lënë prapa në shoqëritë tona çmoralizimi komunist gjysmëshekullor dhe, e dyta, për shkak se realisht jetojmë në shtete ku mungon shteti ligjor, si në Shqipëri, si në Maqedoninë e Veriut, si në Kosovë (e edhe në Serbi, ku jeton një komunitet yni shqiptarësh.) Me krizën morale të periudhës së komunizmit dhe me shtete që karakterizohen nga keqqeverisja, nga paqëndrueshmëria dhe nga arroganca qeverisëse, korrupsioni thjesht lulëzon. Individët e korruptuar shumëzohen, disa zihen, po shpejt shfaqen të tjerë e të tjerë, derisa kauza e korrupsionit të triumfojë mbi tërë shoqërinë, e cila vazhdon të llomotisë me fjalë, por me sjellje e me veprime i nënshtrohet hyqmit të praktikave korruptive. Pa e ditur saktë definimin, qytetarët që vuajnë nga pasojat e çmoralizimit komunist dhe nga mungesa e shtetit ligjor detyrohen ta njohin korrupsionin si vlerë dhe, natyrisht, si formë pushteti.

Kosova si rast sui generis i korrupsionit

Si në tërësinë e procesit të ndërtimit të shtetit edhe në instalimin e korrupsionit në realitetet e reja te jetës në liri, Kosova paraqet rast sui generis. Pse? Sepse versionin e ri të korrupsionit në Kosovë e solli prezenca civile ndërkombëtare e UNMIK-ut. Kësodore, menjëherë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999, bashkë me kthimin spektakolar të rreth një milionë njerëzve shqiptarë, filloi procesi i rindërtimit të shtëpive, rrugëve, shkollave. Rindërtimi u organizua nga administrata e UNMIK-ut dhe organizatat e saj partnere. Që nga fillimi, tërë procesi i rindërtimit dhe i punësimit u dominua nga korrupsioni masiv. Si rast ilustrues po i kujtoj punësimet në Aeroportin e Prishtinës, ku zyrtari Jan Vollet merrte nga 3000-5000 euro për punësimin e secilit person. Ndërsa një zyrtar tjetër, Xho Troshler, u zu se kishte vjedhë katër milionë marka nga KEK-u dhe i kishte transferuar në Gjibraltar. Ndërkaq, në raportin e emisarit Kai Aide, në vitin 2005, u theksua dimensioni lokal i problemit me korrupsionin: “Korrupsioni është fenomen i përhapur gjerësisht në Kosovë. Qeveria nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme administrative dhe legjislative për ta luftuar dhe parandaluar korrupsionin në institucionet e përkohshme.” Kai Aide e denonconte edhe drejtësinë: “Prokurorët dhe zyrtarët e zbulimit janë përpjekur, por kanë dështuar që të shkojnë përtej sipërfaqes së problemit të korrupsionit.” Në kohën e raportimit të Kai Aides tërë pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor ishte në duart e UNMIK-ut, por kjo fshihej dhe akuza u faturohej vetëm organeve uloke vendore.

Në fakt, truku i prezencës ndërkombëtare ishte efikas: ata i rekrutuan brokerët e tyre vendas, për t’i pasur si masha, derisa i shteruan fondet e mëdha ndërkombëtare. Mandej i lanë edhe politikanët vendas, që të zhyteshin në korrupsion, për të cilën gjë mbajtën shënim të përpiktë. Kur erdhi puna, i shantazhuan në Procesin e Vjenës dhe imponuan një pavarësi pa substancë, siç është edhe sot pavarësia e Kosovës.

Rrethanat e tjera, që e favorizuan korrupsionin galopant, janë edhe shërbimet e dobëta publike, administrata joprofesionale, shëndetësia katastrofale, arsimi i bazuar në marrje diplome e jo në arritje diturie, etj.

Po si është gjendja sot në shtetin tonë sui generis? Edhe pse qeveria Kurti ka ardhë më shpatën zhveshur se gjoja do ta luftonte korrupsionin dhe ka fituar zgjedhjet me atë kauzë, nuk ka rezultate në frenimin e korrupsionit. Fatkeqësisht shumë segmente të saj janë infektuar tashmë nga korrupsioni. Bile disa nga megaskandalet korruptive, si ai i Martin Berishajt, ai i Nagip Krasniqit, Rozeta Hajdarit – Ridvan Muharremit, duken më të ngjashme me aferat e Xho Troshllerit e Jan Volletit sesa me aferat korruptive primitive të ish qeveritarëve në aferat me veturat e presidencës, me ndërtimin e vilës “Gërmia” ose me aferën “Pronto”. Kosova, me statusin e saj ambig, si shtet i pavarur dhe protektorat ndërkombëtar, me qeveri sovrane, ama me prezencë të huaj ushtarake mbikushtetuese, pa qenë e pranuar si shtet nga OKB, as nga Bashkimi Europian, as nga OSBE e as nga NATO, kurrë nuk mund të bëhet shtet mirëfilli ligjor. Prandaj, Kosova edhe korrupsionin e ka sui generis. Në rastin e Kosovës, edhe korrupsioni përdoret si presion e si shantazh ndaj saj.

Kjo po ndodhë edhe me qeverinë Kurti, e cila është nën presion e shantazh, ku ai armë kryesore po përdoren përgjimet e bëra lidhur me aferat korruptive. Ka që thonë se kjo do të jetë rruga e presionit dhe shantazhit, që do të intensifikohet deri në rrëzimin e kësaj qeverie ose pranimin nga ana e saj të formimit të Asociacionit. Pra, sot lufta kundër korrupsionit do të përdoret për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pak a shumë ashtu si u përdor kjo armë në Procesin e Vjenës, për të imponuar Planin e Ahtisarit, për një shtetësi pa substancë mirëfilli shtetërore dhe ku as njohja ndërkombëtare, si element kyç i sovranitetit shtetëror, nuk u sigurua. Nëse qeveria Kurti nuk e formon Asociacionin ashtu si po i kërkohet, ka rrezik se lufta kundër korrupsionit do të përdoret për eliminimin politik të Kurtit. Nëse Nexhat Daci, kur ishte figura numër një e LDK-së, u eliminua politikisht për një palë dhëmbë që i kishte rregulluar me para të buxhetit, vetëm mund ta marrim me mend se si mund të përdoret kundër Kurtit tregtia ilegale e energjisë dhe abuzimi me rezervat shtetërore. Në fakt, edhe afera “Pronto” u tejzmadhua dhe u përdor për krijimin e klimës psikologjike e politike për arrestimet e zyrtarëve më të lartë shtetërorë të Kosovës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit nga ana e Gjykatës Speciale.

Në definimin e Enciklopedisë Kroate për korrupsionin thuhet edhe kjo: “vendet e zhvilluara dhe stabile demokratike e kanë relativisht të ulët shkallën e korrupsionit.” Pra, është e qartë se duhet të kesh shtet të zhvilluar e demokratik, për ta mposhtur korrupsionin. Para së gjithash, duhet të kesh shtet sovran, që në rastin e Kosovës nuk ekziston. Fjalët, moralizimet, gjurulldia politike e mediatike dhe histerizmat bizantiniste të turmave, nuk mjaftojnë. Bile, duke u përsëritur papagallçe, pa pasur asnjë sukses në frenimin e tij, tingëllojnë si hipokrizi.

https://revistashenja.com/kosova-edhe-korrupsionin-e-ka-sui-generis/

Please follow and like us: