Dr. Lori Gjoni: Si të mbrohemi nga virozat e stinës?

Virozat janë të prnishme në mjedisin që ne na rrethon, ato transmetohen nga njëri organizëm në organizmin tjetër nëpermjet ndërveprimeve fizike që ne krijojmë me njëri-tjetrin.
Por çfarë janë virozat? Ato janë infeksione të cilat manifestohen me simptoma të tilla:
– temperaturë;
– rrjedhje e hundëve;
– teshtima;
– të vjella;
– barkshqitja etj.
Virozat nuk trajtohen me antibiotikë, skema e tyre e trajtimit konsiston në marrjen e lëngjeve dhe në rastin e temperaturës ilaçet që veprojnë në uljen e saj, dy ilaçet kryesore janë: paracetamoli dhe ibuprofeni.
Virozat janë më tepër të pranishme në mjedisin ku ka kolektiv të tilla si: çerdhe, kopshte, shkolla etj, ku është gati e pamundur që në mjedise të tilla të jesh plotësisht i mbrojtur nga prekja e tyre.
Hyrja e virozave në organizëm sjell reagimin e këtij të fundit ndaj sulmit të tyre duke aktivizuar sistemin imunitar.
Kohëzgjatja e tyre varion nga 5-14 ditë varësisht virozës, 3-5 ditë temperatura virale e cila trajtohet nëpërmjet dhënies së antipiretikeve (ilaçet që ulin temperaturën) dhe lëngjeve të frutave.
Temperatura virale mund të variojë nga 37.5 deri 40 gradë Celcius, kjo është një temperaturë e cila zgjat deri 5 ditë dhe më pas fillon të zgjerohet intervali i temperaturës nga çdo 4 orë në çdo 8 orë nga episodi në episod të temperaturës. Fëmija mund të ndjejë dobësi të përgjithshme, dhimbje muskulare. Nëse fëmija edhe pas 5 ditëve ka të njëjtat simptoma të temperaturës dhe fillon të shfaqi bllokim në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, vështirësi në frymëmarrje, gjendje të përgjumjes etj atëherë prindi duhet të shkojë të takojë një mjek pediater i cili bën një vlerësim klinik të gjendjes së përgjithshme të fëmijës dhe gjykon nëse duhen të tjera ekzaminime mbështetëse të diagnozës dhe terapinë e cila i nevojitet gjendjes dhe kushtit patologjik të fëmijës.
Rekomandohet mbajtja e fëmijës në shtëpi për disa ditë derisa fëmija të arrijë një gjendje klinikisht të shëndetshme. Një viroze ul dhe kompromenton mekanizmat e mbrojtjes së organizmit dhe krijon terrenin e përshtatshëm për mbivendosje të virozave të tjera, kjo shtyn kohën e shërimit të fëmijës dhe zgjat kohën e sëmundjes në organizëm duke e berë organizmin më të lodhur dhe me të brishtë.
Virozat nuk janë tepër shqetësuese tek fëmijët, por gjithsesi kujdesi nga ana e pediatrit dhe prindit duhet të jetë i njëjtë i dhënë sepse në ketë mënyrë shmangen ndërlikimet dhe pasojat e tyre në organizëm.