Klinton dhe Kaine, bashkë në fushatë
Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton dhe senatori i Virgjinias Senator Tim Kaine zhvilluan për herë të parë bashkë fushatë, me një mesazh optimizmi, pas Kuvendit të Republikanëve, ku shumë nga folësit paralajmëruan se Amerika është në rënie. Mitingu u zhvillua në Universitetin e Majamit, në Florida.
Zonja Clinton e prezantoi zotin Kaine si kandidatin e saj për nën president, duke thënë se të dy ata “ofrojnë një vizion shumë të ndryshëm për Amerikën”, nga republikanët, duke theksuar se ky vizion është “ndërtimi i urave dhe jo i mureve”. Ajo tha se Kuvendi i Demokratëve javën e ardhshme do të përqëndrohet tek mesazhi se “diversiteti etnik” e bën më të fuqishme Amerikën.
Zonja Clinton e përshkroi zotin Kaine si një njeri që lufton për pakicat, i cili përfaqëson “gjithshka që nuk e kanë Donald Trump dhe Mike Pence”. Ajo theksoi mbështetjen e tij për kufizimin e armëve, për të drejtën e grave për abort, të drejtat e homoseksualëve dhe për reformën e imigracionit.
Zoti Kaine foli disa herë spanjisht gjatë fjalimit të tij, gjatë të cilit ai përmendi familjen, vlerat e saj, dhe për karrierën e tij si kryetar bashkie, guvernator dhe senator. Ai tha se familja e tij mishëron vlerat amerikane të “besimit, familjes dhe punës.”
58 vjeçari Kaine ka lindur në Minesota dhe ai ka studjuar për juridik në Universitetin prestigjioz të Harvardit.