Frank Shkreli: Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes, mik dhe bashkëpuntor i Avni Rustemit
Prof. Karl Gurakuqi duke folur në nji ndër kuvendet e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo. Nga e majta në këmbë para mikrofonit: Karl Gurakuqi, Ndenjur: At Zef Valentini, Prof. Ernest Koliqi dhe Profesori i njohur arbëresh, Dr. Rozolin Petrotta.
Profesor Karl Gurakuqi ka ndërruar jetë më 6 dhjetor, 1971, jashtë Atdheut dhe larg Shkodrës së tij të dashur, ashtu siç ishte dhe është gjithnjë fati i të mërguarve shqiptarë anti-komunistë, sepse Atdheu i tyre i lindjes nuk i donte brenda gjatë regjimit komunist, ashtu të klasifikuar si tradhëtarë dhe armiq të vendit e të popullit të vet. Por siç duket as sot, 30-vjet më vonë, në të ashtuquajturin tranzicion “post-komunist”, shkrimtarë e letrarë si Karl Gurakuqi, nuk janë të mirëpritur. Emrat, veprat dhe kontributet e tyre, vazhdojnë të jenë edhe sot, jo të ndaluara krejtësisht, por të harruara dhe të anashkaluara, ashtu siç ishin sa ishin gjallë dhe në kulmin e veprimtarisë së tyre. Ma merr mendja se po të pyeten studentët shqiptarë në Tiranë ose Prishtinë sot, se kush ishte Karl Gurakuqi, njëri prej këtyre të intelektualëve shkodranë të harruar, kam drojë se nuk do çonte kush dorën. Po kush ishte ky “ashik” shkodran, i dashuruar pas gjuhës shqipe dhe cilat ishin kontributet e tij gjuhësore dhe jo vetëm? Kush ishte Karl Gurakuqi?
Duke pasur si burim revistën “Shëjzat” të Ernest Koliqit, (“Shëjzat”-10-12, 1971), njëri prej bashkthemeluesve dhe bashkpuntor i të cilës ishte vet Karl Gurakuqi qysh prej vitit të parë të botimit të kësaj reviste të famshme, njëri prej tre shtyllave kryesore të “Shejzave (së bashku me Ernest Koliqin dhe Martin Camajn) dhe bashkpuntor pa ndërprerje i mikut të tij të ngushtë dhe botuesit Ernest Koliqi, jo vetëm në mbajtjen gjallë të kësaj reviste ndër vite, por Karl Gurakuqi ishte më shumë se kaq. Megjithë hipokrizinë dhe pandershmërinë intelektuale nga qarqet akademike dhe universitare shqiptare, që ushtrohet sot ndaj tij dhe shumë të tjerëve si ai, në përvjetorin e vdekjes së tij (më 6 dhjetor, 1971), po sjellim, modestësisht, disa të dhëna informative për jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit me qëllim për të hedhur sadopak dritë mbi kontributin e këtij mjeshtri të madh të gjuhës shqipe, ndonëse i mërguar për dekada.
Në biografinë e botuar me atë rast në revistën Shëjzat, thuhet se veprimtaria e Karl Gurakuqit si shkrimtar është zhvilluar gjërësisht, në shumë degë diturie. Shkrimtar tërheqës, përkthyes i qartë e i përpikët nga latinishtja, gjermanishtja e italishtja. Drejtor i së përkohshmes (Agimi, 1920-22, Revista Pedagogjike 1925-27, Mësuesi 1928, Shkolla Kombëtare 1938), e tjera. Bashkëpuntor i çmuar i revistave më të njohura të kohës, në Shqipërinë e para komunizmit. Gurakuqi është shquar gjatë jetës së tij, sipas biografisë së tij zyrtare botuar në revistën ‘Shëjzat’, sidomos në shtjellim të argumentave gjuhësorë e letrarë. Të shumta janë botimet e tija shkollore që u përdorën gjatë 20- e sa viteve ndër shkollat shqiptare të kohës. Aty thuhet se Karl Gurakuqi- “mund të njihet me të drejtë si një ndër themeluesit e të së përkohshmes s’onë, “Shèjzat”, shtyllat e së cilës ai i pasuroi me syzime të vlefshme. Përveç botimeve sa ishte në kulmin e veprimtarisë së tij letrare dhe akademike, Karl Gurakuqi,- thuhet se, ka lënë shkrime të pabotuara, ndër të tjera: një ditar me radhitje ngjarjesh të dobishme për historinë kulturore e shoqërore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si dhe studime gjuhësore të ndryshme. Por vepra kryesore; gati për botim mbetet, sipas biografisë zyrtare, “Fjalori” ku ai derdhi, tërë jetën, mundìn hulumtues e shoshitës në shumë fushë leksikore e frazeologjike. (Burimi: “Shëjzat” -10-12, 1971).
Për hollësi të tjera mbi jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit mund të lexoni shënimin nga Profesor Arkiva Digjitale Shqiptare Karl Gurakuqi (Shkodër, 24 mars 1895 – Bressanone 6 dhjetor 1971). Arkiva Digjitale Shqiptare (adsh.al), ku ndër të tjera thuhet se Karl Gurakuqi ka qenë mik dhe bashkpuntor i Avni Rrustemit dhe shoqërive demokratike të kohës. Në vitin 1921, sipas Profesor Romeo Gurakuqit, Karl Gurakuqi ka qenë bashkthemelues me Avni Rrustemin dhe të tjerë i Federatës “Atdheu” në Vlorë, në të cilën Karl Gurakuqi ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i saj.
Atë ditë të 6 dhjetori, 1971, zhdukja e Mjeshtrit të shqipës, Karl Gurakuqit, miku dhe bashkpuntori i tij i ngusht Ernest Koliqi do të shkruante se me humbjen e Karl Gurakuqit: “Na të Shêjzave me vdekjen e Karlit mbesim pa nji Bashkëpun-tuer dorës parë, besnik të patundun. Gjuha shqipe humbi nji lavrues që ia zbuloi asaj fuqinë e hirin shprehës. Bota shqiptare vorfnohet nga zhdukja e nji qytetari, që e nderonte me sjellje fisnike, e pasunonte dhe e urtësonte me nji përvojë të gjatë kombtare edhe e edukonte mâ tepër se me fjalë, me prirje të butë të natyrshme, e cila ndikonte gjithmonë e gjithëkund, frymë harmonizimi shoqnuer e vëllaznije kombtare…Në kuvendim me tê, kishte njeriu përshtypjen që Ai mendonte se për kurrnji send në botë s’ia vlen barra qirân, m’u trazue. Vetëm nji gjâ për të ishte absolutisht serjoze: gjuha shqipe. Hoka mbi gjuhë shqipe nuk bârte”, Karl Gurakuqi, sipas Ernest Koliqit. “Shqipja për Të ishte gjâ e shêjtë. Karli qe Ashik i shqipes. Shqipen e adhuronte, e dashunonte me përkëdhelje si t’ishte nji Vashë e bukur. Asaj ia kushtoi jetën. Ajo qe pësimi e gëzimi i Tij. Ajo ka me ia ruejtë emnin deri vonë në mote t’ardhëshme”, ka përfunduar Ernest Koliqi komentin e tij me rastin e kalimit në amshim të mikut të tij besnik, Karl Gurakuqit me 6 dhjetor, 1971.
Fjalët e Ernest Koliqit për Karl Gurakuqin, se shqipja, “ka me ia ruejtë atij emnin deri vonë në mote t’ardhëshme”, mund të kenë qenë tepër pozitive e plot shpresë, por edhe ekzagjeruese, po të marrim parasysh se si trajtohet sot 30-vjet tranzicion “post-komunizëm, jo vetëm Karl Gurakuqi, por edhe vet Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe një numër shumë i madh shkrimtarësh e poetësh të Kombit të dalë nga Shkodra; zyrtarisht, të ndaluar e të anashkaluar nga atdheu i tyre për të cilin punuan e munduan gjithë jetën e tyre, jo vetëm për një gjysëm shekulli komunizëm, por edhe sot në “post-komunizëm”, në Shqipërinë “pluraliste” e “demokratike”, anëtare e Aleancës Perëndimore NATO, me shpresë për t’u bërë edhe anëtare e Bashkimit Evropian. Përjashtimi i këtyre kolosave të historisë, të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si Karl Gurakuqi në një vend si Shqipëria; tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, ku kultura e pluralizmit do duhej të mbretëronte dhe ku gjithëpërfshirja në edukimin e brezave të rinj, pa dallime politike, ose të mendimeve ndryshe do duhej të ishte siguruar me kohë në një vend anëtar të NATO-s dhe me pretendime për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian, siç është Shqipëria. Pluralizmi kulturor dhe gjuhësor si dhe ai politik, që do duhej të përfshinte personalitete të gjuhës dhe të kulturës shqiptare deri tani të përjashtuara, qoftë nga ish-regjimi komunist, qoftë nga nostalgjikët e komunizmit sot. Kur do ta kuptojnë këta njerëz se Karl Gurakuqi me shokë kanë qenë dhe janë një pasuri kombëtare në shërbim dhe në forcimin e identitetit të vërtetë kombëtar të shqiptarëve. Prandaj, synimi duhej të ishte që me gjith përfshirjen pluraliste në jetën e përditshme kulturore dhe akademike, sidomos në arsim, të këtyre kolosëve të Kombit, të krijohen mundësitë për një Shqipëri të një hapësire educative, e cila përafrohet më tepër me atë evropiane, e cila përqafon gjithë vlerat, parimet dhe idealet e Evropës së Bashkuar”, sipas qëllimit edhe të një konference që u mbajt në Tiranë të mërkurën, me 6 dhjetor: Kisha Katolike në Shqipëri: “Kultura e pluralizmit dhe gjithëpërfshirjes në edukim”.
Përjashtimi i këtyre kolosëve të Kombit nga historia, letërsia dhe kultura shqiptare sot, le një zbrazëti të madhe në historinë kombëtare. Për këta individë vendimarrës në Tiranë dhe deri diku edhe në Prishtinë, që sot marrin vendime të tilla përjashtimi ose anashkalimi i këtyre burrave, që pasqyrojnë vlerat më të zgjedhura të gjakut iliro-arbëroro-shqiptar, a mund të thuhet se këta, si përfaqësues dhe mbrojtës sot të kulturës shqiptare, vërtetë, kanë në zemër dhe mendje interesat dhe idealet afatgjata të Kombit shqiptar!?