Albspirit

Media/News/Publishing

Kush dhe pse e vrau Mehmet Shehun? Deklasifikohen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

“…Një gabim i Shehut ishte se ai u orientua shumë nga perëndimi për zhvillimin e ekonomisë e të kulturës shqiptare. Sot mendimi i diplomatëve të perëndimit është se në marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e perëndimit, do të ketë ulje të dukshme…”

Këto që sapo lexuat janë disa nga mendimet e diplomatëve të përfaqësive perëndimore, të cilët janë survejuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.

Bisedat e bëra mes tyre i shoqëron shqetësimi se nuk po tërheqin dot konkluzione të sakta mbi shkaqet e ngjarjes dhe dilemat e tyre ia komunikojnë shtetasve shqiptarë me të cilët mbanin kontakte pune e shërbimi.

Po çfarë mblidhte nga publiku Policia Sekrete? Në një raport dërguar Komitetit Qendror thuhej se: “Disa persona bëjnë supozime se: “Mehmet Shehu ka kryer shkollën e Fultzit dhe duhet te jete rekrutuar që në atë kohë, prandaj kjo punë i ka rrënjët e thella…”

“Mehmet Shehu e vranë kundërshtarët e tij, për të eliminuar një nga një të vjetrit.. Këta flasin për unitetin, por në fakt unitet nuk kanë, po bëhet luftë e ashpër për pushtet…”.

Sot 42 vjet nga vdekja e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, krahu i djathtë i diktatorit në Shqipërinë komuniste, bashkëpunëtor në krime, por edhe viktimë e pushtetit, Autoriteti deklasifikon mbi 30 mijë faqe dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat janë krijuar për të dhe familjarët e tij. Vdekja tragjike e tij u pasua nga ajo e djalit Vladimir dhe bashkëshortes, Fiqerete Shehu. Të gjitha vdekje të errëta, me hijen e rëndë të dyshimit se ishin vrasje me urdhër nga lart, por që në dokumente zyrtare u paraqitën si vetëvrasje.

Deklarimet e mbledhura, mes të cilave dallohen edhe teza e hedhura nga vetë strukturat e pushtetit për të lëshuar sa më shumë mjegull mbi të vërtetën, një mjegull që ende nuk është daravitur pas katër dekadash mister mbi vdekjen tragjike të ish-Kryeministrit të vendit, gjenden në dokumentet e deklasifikuara së fundmi dhe janë gati t’i shërbehen studiuesve në zbatim të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar.

Përveç dokumenteve të proceseve hetimore e gjyqësore të gruas dhe fëmijëve të ish-Kryeministrit, dokumentet që po deklasifikojmë sot mbajnë informacione të krijuara nga Drejtoria e Parë e ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me aktivitetin e ish-Kryeministrit, komente rreth vetëvrasjes, regjistra të internim-dëbimeve, të krijuara pas vdekjes së Kryeministrit, në janarin e vitit 1982 dhe të mbyllura në vitit 1990. Për ish-Kryeministrin ka 18 volume me dokumente ndërsa për gruan e tij 5 volume.

Për historiografinë komuniste, Mehmet Shehu, Kryeministri i Shqipërisë prej më shumë se 3 dekada, nga besnik i partisë u kthye brenda natës në agjentin e disa agjenturave të huaja. Nga kjo ngjarje kanë kaluar 42 vjet. Për të është shkruar shumë, ish-drejtues të strukturave të Policisë Sekrete të kohës kanë nisur të flasin me siguri për vrasjen e tij, e megjithatë misteri vijon.

Heqja e sekretit nga këto dokumente, 30 vjet pas rënies së komunizmit është një nevojë historike që ndihmon historianët dhe publikun të kuptojnë më mirë të shkuarën e errët. Autoriteti inkurajon studiuesit të njihen me këto dokumente dhe t’i ballafaqojnë ato me dëshmi dhe dokumente nga arkivat e tjera, brenda dhe jashtë vendit.

Please follow and like us: