Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Frangu, përse duhet vlerësuar nga Presidenca e Shqipërisë

Nga Luan Shtëpani

Disa ditë më parë u nda nga jeta njeriu model, profesionisti dhe veprimtari i shkëlqyer Petrit Frangu. Kam shkruar shumë shkrime për Petritin, kam realizuar shumë intervista televizive. E ndërsa shkruaj, duart më dridhen dhe emocionet sa vijnë dhe më shtohen. Teksa udhëtoj në kohë, ndihem krenar që pata fatin e madh që e njoha dhe që bashkëpunova me të për shumë vite. Mësova shumë prej tij, mbi të gjitha që të jem korrekt, t’i dua njerëzit dhe të kontribuoj për ta. Po ashtu, të mos ndalem dhe kur dështoj dhe të gjej forca për t’u ringritur. Mjeshtri duarartë i stomatologjisë në gjithë këto vite dha shumë profesionalisht, në të njejtën kohë ai mbrojti me fanatizëm interesat  sociale dhe ekonomike të punonjësve të shëndetësisë dhe me gjerë. Një derë e hapur për të gjithë do të shndërrohej vendi i tij i punës. Ai ishte kthyer në simbol të besimit njerëzor, një udhërrëfyes për njerëzit në nevojë, për punonjësit etj. Model i njeriut të edukuar, paqësor dhe punëtor. Modestia që e karakterizonte dhe zemërbardhësia ishin një urë e fortë lidhëse midis tij dhe njerëzve. Sakrifikonte orë e orë për të qenë korrekt. Puna në stomatologji dhe  kontributi për punonjësit ishin gjithmonë të pandara nga njëra – tjetra. Përkushtim për punonjësit e Matit, por dhe të mbarë Shqipërisë. Nuk rreshti kurrë së kërkuari  drejtësi sociale, më shumë kushte pune, paga dinjitoze për sektorin e shëndetësisë, të industrisë, etj. Detyra në shërbimin stomatologjik nuk do ta pengonte asnjëherë  që të priste njerëz të thjeshtë dhe sindikalistë në ambientin ku punonte apo në zyrën e tij në Mat e më pas tek KSSH-ja në Tiranë. I dëgjonte me vëmendje duke i parashtruar rrugët dhe mjetet për arritjen e qëllimit. Me plot kuptimin e fjalës ishte kthyer në një avokat të çeshtjeve sociale dhe ekonomike  të punonjësve. Pothuajse çdo ditë kishte një angazhim për bashkëqytetarët e tij apo dhe për të tjerët. Dikush trokiste për largimin e tij të padrejtë nga puna, një tjetër për mosmarrjen e pagës, dhe probleme nga më të ndryshme. Petriti dha një kontribut të vyer si Kryetar i Këshillit Sindikal të Matit. Po ashtu dhe në detyrën e Kryetarit të Këshillit Sindikal të Qarkut Dibër. Kryefjala e ditës për të ishin problemet që kishin punonjësit e Uzinës së Ferrokromit të Burrelit. Si kryetar i Këshillit Sindikal  bëri gjithçka që këta punonjës jo vetëm të fitojnë të drejtat e tyre, por dhe të punësohen dhe të tjerë në këtë uzinë. Shumë i madh ka qenë dhe kontributi i tij për minatorët e Bulqizës. E kam ndjekur nga afër përkushtimin e tij madhor. Shumë dokumenta të arshivuara mbajnë firmën e tij. Pjesëmarrës në takimet me disa Presidentë, Kryeministra, me qeveritarë, me deputetë dhe të zgjedhur lokalë. Protesta të shumta të drejtuara prej tij. Pjesëmarrës dhe folës në shumë protesta të tjera.

Petriti do të ishte inisiatori i krijimit të Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Stomatologjik të Shqipërisë (SPSHSSH) në përbërjë të KSSH dhe kryetar i saj. Për shumë vite do të drejtonte me profesionalizëm, Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Shqipërisë.  I palodhur dhe këmbëngulës. Takime të shumta në të gjithë Shqipërinë me personelin shëndetësor. Trokiste në dyert e institucioneve për problemet e punonjësve. Ju drejtohej shkresërisht duke e ndjekur problemin. Debatonte me argumenta dhe ballafaqohej me cilindo që i shmangej detyrës institucionale. Sipas tij, humbja më e madhe për njeriun do të ishte mungesa e kurajos. Si nevojë të parë do të vendoste komunikimin. Gjithmonë thoshte se lumturia më e madhe është të jesh i dobishëm për të tjerët. Në saj të drejtimit profesional të Federatës u bë e mundur që të kishte shumë zgjidhje për bluzat e bardha. Radhët e sindikatës u shtuan, sepse kishin besim tek  Petriti. Ndërsa në takimet e shumta ndërkombëtare ai do ishte një zë i fuqishëm. Me shumë dinjitet përfaqsonte sindikatat shqiptare të shëndetësisë. Dallohej për ndjenjat e tij atdhetare. Shqipëria për të ishte gjithçka. Petriti ishte  mik i madh i gazetarëve. Kolegët e mi të Tiranës dhe të Matit të medias së shkruar dhe audiovizive e njihnin. Ishte njeri kurajoz dhe i vendosur për atë që deklaronte. Mbronte me fanatizëm të vërtetën. Nuk e njihte frikën sepse vetë dallgët e jetës e kishin detyruar të bëhej akoma më  i fortë. Përkushtohej para fillimit të intervistave për gazetat apo  televizionet. Ftohej vazhdimisht në studio televizive. Punonjësit e shëndetësisë dhe më gjerë kishin zërin e tyre të shpresës.

Petriti dëshironte që personalitetet e Matit dhe jomatjanë të vlerësoheshin shtetërisht. Kontribuoi maksimalisht në këtë drejtim. Shumë figura u vlerësuan, përfshi dhe të huaj që kontribuuan në Mat. Gjithashtu ai do të ishte ideator dhe skenarist i disa dokumentarëve televizivë, kushtuar këtyre personaliteteve. Vlerësimi për njerëzit do të kulmonte me botimin monografi shumë vite më parë.“Mirënjohje për njerëzit që kanë ikur”. Kështu titullohet libri monografi i përgatitur nga Bashkim e Petrit Frangu. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe me vëllezërit nga Lisi i Burrelit, të cilët më përkushtim dhe ndjenjë të lartë serioziteti, arritën të botojnë jetëshkrimet e mbi 100 figurave, që kontribuuan në vendlindjen e tyre.

“Gjithë jetën e tij ia kushtoi profesionalizmit dhe sindikalizmit në sektorin e shëndetësisë. Ai ishte dhe do mbetet veprimtari konsekuent, familjari shembull, profesionisti duarartë dhe sindikalisti lidër i përjetshëm. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në strukturat sindikale ndërkombëtare në rajon apo ato europiane kontributi i Petrit Frangut ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Sindikalizmi humbi një lider, sektori shëndetësor një specialist të përkryer dhe shoqëria një veprimtar shembullor. KSSH ngushëllon familjen Frangu dhe të gjithë miqtë e dashamirësit e saj për këtë humbje të pazëvendësueshme. Kujtimi dhe vepra e tij do na shoqërojë gjatë si shembull frymëzimi në kauzën tonë duke bërë të mundur realizimin e ëndrrave e aspiratave tona për të cilat z.Petrit Frangu punoi e luftoi deri në minutat e fundit të jetës”. Kështu shkruhet ndërmjet të tjerave në faqen zyrtare të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë institucioni ku Petriti punoi me përkushtim dhe profesionalizëm. Për kontributin e dhënë ndër vite në stomatologji dhe si veprimtar i spikatur shoqëror, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Mat e nderoi me titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Ky personalitet i gjithëanshëm meriton titullin e lartë  “Mjeshtër i Madh”.

 

Please follow and like us: