Agim Çiraku: Tepelena me bedena, mbetet simbol i krenarisë labe e shqiptare
Sot jemi mbledhur këtu, në Tepelenën e heronjve, të Ali Pashës, Bilbilenjëve, Selam Musait; në Tepelenën e kryengritjeve të paepura popullore kundër pushtuesve të çdo ngjyre; në Tepelenën e njerëzve të shquar të pushkës, të penës e të këngës, e kapedanëve të hershëm legjendar, të poetëve të mëdhenj të kombit, për të zhvilluar Kuvendin e 7-të të Shoqatës tonë “Nderi i Kombit“. Të gjithë së bashku në këtë ditë të shenjtë, u sjellim tepelenasve përshëndetjet dhe falënderimet tona të përzemërta për gjithë atë çka ata kanë bërë ndër shekuj e deri më sot, në interes të kombit shqiptar.
Nga Tepelena me bedena, ky simbol i krenarisë labe e shqiptare, përshëndesim gjithë labërit, kudo ku punojnë e jetojnë, u premtojmë atyre se do të punojmë e kontribuojmë akoma më mirë për ruajtjen e transmetimin e vlerave atdhetare e kulturore të trevës së të parëve tanë, të krenarisë e të dinjitetit legjitim lab. Qyteti i Tepelenës është i bukur, i pastër, me rrugë të gjera e sheshe të mëdha, me shëtitore të re, me vepra arti, me buste e shtatore të heronjve, siç janë: Ali Pashë Tepelena, Sali Nivica, Nimete Progonati, Selam Musai, Balil Nezha, Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli, etj. Këtu në Tepelenën e këngës ndodhin mrekullitë. Polifonia labe dhe kënga ‘Hapu moj Evrop’, e interpretuar me mjeshtëri nga Grupi i Bënçës mahniti deputetët britanikë në parlamentin anglez, gjatë një turi të tyre në shtetin anglez.