PROFESORI RAMË BUJA NDEROHET ME TITULLIN “PROFESOR NDERI” NGA REKTORI I KOLEGJIT AAB
20 Dhjetor 2023
Me titullin “Profesor Nderi” është nderuar profesori i Fakultetit të Administratës Publike, Ramë Buja, nga rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa. Titulli është ndarë me motivacion për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë si dhe merita të jashtëzakonshme për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Tafa tha se përmes kësaj ceremonie shënohet një moment i rëndësishëm, ai i pensionimit të profesorit Ramë Buja dhe në anën tjetër vlerësohet puna e angazhimi që ka shfaqur në Kolegjin AAB, duke e falënderuar për kontributin e tij që ka dhënë për studentët.
“Gjatë karrierës ju keni ndërtuar një biografi që nuk e ka çdokush, jeni bërë emër i njohur i arsimit, shkencës dhe emër historik. Asnjë histori e re nuk do të shkruhet as sot dhe as në të ardhmen pa emrin tuaj”, tha Tafa ndër të tjera për profesorin Buja.
Ky i fundit nën emocione e cilësoi si privilegj të jashtëzakonshëm të qenurit bashkë me familjarët, miqtë dhe kolegët në ditën e pensionimit duke shtuar se kontributi i tij në arsim është gjëja të cilën e ka bërë me plot vullnet.
“Arsimin e dua skajshmërisht, sepse nëse duam ta ndërtojmë shtetin përveç arsimit nuk ka ilaç tjetër. E falënderoj Kolegjin AAB pafundësisht për faktin se në asnjë moment nuk kanë kufizuar hapësirën time dhe kanë vlerësuar kontributin tim”, u shpreh profesori Buja.
Edhe drejtori për Planifikim dhe Zhvillim në Kolegjin AAB, Petrit Bushi, shprehu mirënjohjet më të larta për Bujën, për të cilin tha se është model se si duhet të jetë një profesor.
Familjarët uruan Bujën, ndërsa vëllau i tij Shukri Buja përmendi rolin e rëndësishëm që kishte ai në etapa të ndryshme jetësore për ta dhe shtetin në përgjithësi.