Albspirit

Media/News/Publishing

Shtjellime historike për troje e vise shqiptare

“Saras” hedh në treg librin “Shtjellime historike për troje e vise shqiptare” me autor Bajram Peçin

“Shtjellime historike për troje e vise shqiptare” është libri më i ri i hedhur në treg nga botimet “Saras” me autor Bajram Peçin. Një libër i cili në këto kohë vere, vjen si një ftesë jo vetëm për të kuptuar atë çfarë ka ndodhur me politikën historinë apo kulturën në këto 26 vjet, por dhe tu njohur me reportazhe që autori i ka hedhur në letër, pasi ka prekur vende të ndryshme pjesë të trashëgimisë sonë, si një ftesë për t’i vizituar. Ky botim ndahet në katër pjesë leximesh, që kanë lidhje me tema të historisë së kombit shqiptar. Përzgjedhja e tyre u përket kryesisht fushave, që për të kaluarën e vendit tonë mbeten ende çështje të cilat do tërheqin edhe në të ardhmen vëmendjen. Tri pjesët e tjera i bashkon një fill me të parën: historia. Ato përbëjnë lexime që u përkasin polemizimeve e replikave mbi çështje historiko-kulturore, reportazhe mbi vende e ngjarje historike dhe përshkrimeve historike mbi kulturën e filatelisë e numizmatikës. Në këtë botim nuk ka ese publike që t’i përkasin aktualitetit politik. Ato u lanë të qëndrojnë jashtë tematikës historiko-kulturore të zgjedhur për vëllimin.”Sipërmarrja nuk u frymëzua nga qëllime artistiko-letrare dhe s’pati ndonjë këmbëngulje nga ana ime për t’i vendosur emërtesa themeleve të krijimtarisë, por thjesht ishte një bashkëpunim me ato rubrika të shtypit të përditshëm që u kushtojnë vëmendje dhe u hapin faqet këtyre lloj temave, ku ka spikatur pa mëdyshje, gazeta e përditshme “Shqip”, të cilës i ndjehem i detyruar pafundësisht”, thotë Peçi. Sipas tij, “pas një  udhëtimi të gjatë, në një çast të caktuar sheh dhe beson se të tregosh, të ndërtosh histori e të shkruash, është jo vetëm e dobishme, por dhe argëtuese”.” E shkuara ime në rrafshin e letrave luhatej mes shkëputjeve dhe e tillë vazhdoi, derisa rrugët e jetës më futën në marrëdhënie të qëndrueshme si me të përditshmen informative, ashtu dhe me shtëpinë botuese “Saras”, gjë e cila më dha mundësi të shoh veten në sprova dhe rrethana të tjera më nxitëse. Pas një ngurrimi, që për disa tema rridhte nga të qenët jo pjesë e specialistëve të fushës, nuk e përballa dot joshjen për të guxuar të hyj “pa leje” në zotërimet e historianëve”, thotë ai. Në këto dy dekadat e fundit Peçi ka qenë aktiv në shtyp me opinione, komente, apo replika sidomos mbi çështje historike, apo të trashëgimisë kulturore.” Të qenët koleksionist numizmat, filatelist e falerist, njohja e këtyre fushave, pozicioni si kryetar i Shoqatës së Koleksionistëve, që i bashkon ato, më kanë ndihmuar së shumti në kërkimin për zgjerimin e dijeve në tema të caktuara. Një pjesë prej tyre i kam përfshirë në këtë vëllim. Kur kam shkruar, jeta më është dukur më pak e vështirë, jam bërë më i vetëdijshëm për ndihmesën që ofroj”, thotë ai. Historia e vendit nga lashtësia e këtej ka qenë burimi i frymëzimit të tij në sipërmarrjen e qëmtimeve eseiste dhe studimeve për këta artikuj. “Është e njohur që temat historike dhe ato kulturore janë lexuar dhe vazhdohet të lexohen me ëndje, ndaj jam përpjekur t’ua jap lexuesit sa më thjeshtë e kuptueshëm, pavarësisht labirinteve të pleksura ku të fusin dhe kurthet që të ngrenë në botimet e tyre historianë jo dashamirës ndaj nesh. Prej kohës kur tabusë së lëvrimit të tyre iu hoqën kufizimet dhe iu thye gardhimi i pronësisë të vënë nga ish-botuesit, zyrat akademike e ato universitare, u panë të formohen në këta dy dhjetëvjeçarët e fundit karaktere individuale studimi, lindi ndjenja e vërtetë për t’u futur tej atij kufiri që na ishte caktuar të kullotnim”, thotë ai.

Pavarësisht kohës kur janë shkruar përmbajtja e eseve publike e studimore të historisë mesjetare janë të afërta edhe sot, tingëllojnë aktuale e marrin vlera, ngase nacionalizmi në Ballkan, posaçërisht te fqinjët tanë, ka marrë nxitje ekstreme të djathtë e shpeshherë, me paraqitje të rrezikshme për dëmtimin e paqes. Brendia e publicistikës me karakter historik është e motivuar nga e kaluara e kombit, herë frymëzuese dhe herë e nëpërkëmbur nga më i forti. “Vëllimi “Shtjellime historike për troje e fise të lashta shqiptare” ka një karakter publicistik, në kuptimin më të mirë të fjalës. Vendosja e lëndës është renditur sa më thjeshtë, në mënyrë që secili lexues të zgjedhë atë që i intereson, me shpresën se do tingëllojnë aktuale për shijet e tyre; në bibliografinë përkatëse që mbyll esenë dhe indeksin e emrave e të vendeve të vendosura në fund të vëllimit, lexuesi do gjejë të cituara referencat e tyre dhe shpjegimet përkatëse”, thotë Peçi.

Please follow and like us: