Albspirit

Media/News/Publishing

Vuçiç: Amerikanët do t’i shesin Prishtinës raketahedhës “Javelin”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur i zhgënjyer nga njoftimi se Shtetet e Bashkuara do t’i shesin Kosovës raketahedhës kundër tankeve, “Javelin”.

Kështu thuhet në një njoftim të presidencës serbe pas takimit të udhëheqësit serb Vuçiç me ambasadorin amerikan në Beograd, Chritopher Hill.

Sipas komunikatës, ambasadori Hill e njoftoi presidentin Vuçiç për pranimin e kërkesës së Prishtinës për blerjen e raketave kundërtank “Javelin”.

Siç tha ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Prishtinës, Kongresit Amerikan, nga ku fillon procedura zyrtare.

Presidenti Vuçiç, thuhet më tej, tha se “ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë”, por theksoi se do të punojë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.

“Për ne është me rëndësi që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për qëndrueshmërinë në Ballkan”, citohet të ketë thënë presidenti serb.

Forca e Sigurisë së Kosovës, konfirmoi të enjten në mbrëmje se qeveria e Kosovës ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për blerje ushtarake përmes programit FMS (Shitjet e Huaja Ushtarake).

Ne kuadër të këtij programi, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, “parashihen blerjet ushtarake duke përfshirë sistemin raketor antitank “Javelin” por dhe sisteme tjera te armatimit. Për sistemin Javelin është dërguar kërkesa dhe për këtë blerje ministri (Ejup) Maqedonci ka diskutuar me Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara gjate vizitës së tij zyrtare. Sipas informacioneve publike që kemi marrë, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, tha këshilltarja Gashi.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e quajti “lajm të vonuar” njoftimin për kërkesën e Kosovës.

“Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm! Kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë! Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në!”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 5 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

Raketa Javelin prodhohet që nga viti 1994 dhe për herë të parë është përdorur në Irak dhe Afganistan.

Ajo u bë e njohur pas agresionit rus në Ukrainë, meqë është përdorur gjerësisht nga forcat ukrainase kundër tankeve ruse.

Please follow and like us: