Stoltenberg: Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet e brishtë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg, tha sot në Bruksel se situata e sigurisë në Ballkan mbetët e brishtë. Shefi i NATO-s u takua me Kryeministrin malazez Milojko Spajiç në Bruksel dhe dënoi shpërthimin e dhunës në Kosovë vitin e kaluar duke thënë se NATO reagoi me shpejtësi duke dërguar një mijë trupa shtesë për të ndihmuar KFOR-in që të zbatojë mandatin e tij.
Përgjatë vitit 2023 ka pasur disa herë shpërthime të dhunës në Kosovë. Me 24 shtator, Kosova u gdhi me lajmin se një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.
Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë. Rasti ende po hetohet ndërsa Beogradi ka hedhur poshtë akuzat e Prishtinës se qëndron prapa këtij sulmi.
Në muajin maj, të paktën 25 persona u lënduan gjatë përleshjeve të protestuesve serbë në Zveçan, në pjesën veriore të Kosovës, me ushtarët e KFOR-it. Ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani tha se u lënduan 11 pjesëtarë italianë të KFOR-it, 3 prej të ishin janë në gjendje të rëndë.
Situata e tensionuar në Kosovë u zhvillua pasi kryetarët shqiptarë morën detyrën në komunat e pjesës veriore ku shumica e banorëve janë serbë pas zgjedhjeve lokale që serbët i bojkotuan.
Pas këtyre përleshjeve presidenti serb Aleksandar Vuçiç vendosi ushtrinë në gatishmëri të plotë luftarake dhe urdhërojë njësitë ushtarake të afrohen më pranë kufirit me Kosovën.
Analistët thonë se lufta në Ukrainë i ka shtuar aktivitet e Moskës për të ripërtërirë ndikimin në Ballkan të cilin mundohet ta shfrytëzojë për të tërhequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Shefi i NATO-s foli sot edhe për anëtarësimin e Suedisë në NATO, një proces që po zgjat për një vit e gjysmë, duke thënë se kjo do të forconte aleancën ushtarake ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë.
Ai e përshëndeti vendimin e Turqisë për të miratuar kërkesën e Suedisë, ndërsa tha se pret që Hungaria ta bëjë këtë në fund të muajit të ardhshëm
“Unë jam absolutisht i sigurt dhe kam besim tek Hungaria se miratimi i anëtarësimit të Suedisë do të bëhet sapo të mblidhet parlamenti në fund të shkurtit”, tha shefi i NATO-s, Stoltenberg.
Suedia, së bashku me Finlandën, braktisën pozicionet e tyre tradicionale të mosangazhimit për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e NATO-s, pas agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.