Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: MOS NDËSHKONI, “FUTUNI DUART” NË… XHEPA…

-Ndëshkimi kolektiv ndodhte me kujdes edhe në socializëm, sepse tingëllon keq, sado i  drejtë qoftë-

 

Kur lexon nga larg se 19 ligjvënës shqiptarë ndëshkohen me vendime dhe shkresa paralamentare, të krijohet një shije e keqe. Ndëshkimi tingëllon hidhët dhe krijon një iluzion diktature. A është Shqipëri në diktaturë? Unë nuk e besoj, sepse kam jetuar në diktaturë ku një fjalë të “kallte 7 pashë në dhė”. Ajo ishte diktaturë. Ajo të merrte frymën dhe të zhdukte…Më duket se shumë analistë që bëjnë dërrdëllima pa fund në qelqe, e kanë harruar këtë diktaturë nga origjinuam…

Nuk më intereson qeveria  në pushtet. Më intereson imazhi shqiptar në “botën  e sheshtë”, ku lajmi përfundon   kudo  sa “përpëlit qepallat”… Kuvendi shqiptar ndëshkon 19 parlamentarë. Të duket se një “fraksion politik” është asgjësuar, edhe pse ata  derdimenë nuk e kanë idenë e fraksionit dhe idesë politike që  bie si shpatë në publik. Ata janë parlamentarë “të bërë synet” që nuk kanë as ide, nuk kanë “as koqe”. Ata janë për mendimin tim “lafsha politike”. Asnjë program nuk kanë shtruar. Asnjë alternativë frymëzuese nuk kanë ditur të artikulojnë në  atë podjum të fjalës, jo të flakadanëve. Pse  politika  shqiptare bën  të lavdishëm “impotentë” mendorë  të tillë? Pse bëni heronj të rremë?…

Ka një rrugë më të thjeshtë: “Futuni duart” në xhepa. Bëni deputetët të paguajnë për dëmet fizike në parlament, me flakadanë, me fishkëllima, apo me karrige të thyera. Thjesht gjobtni për dëmin fizik. A e dini çdo të thotë të  fiksosh një “karrige të thyer”? Është punë, kosto, dhe energji e njeriut punëtor. Kush paguan? Pse përkëdhelen  shkatërrimtarët  politikanë?…

A mërziteni t’u sjell një shembull “nga socializmi”?… Ju e urreni. Unë e kam dashur dhe  i kam shërbyer. Jam i sinqertë, jo si “I ngujuari” juaj. Unë e kam jetuar socializmin. Kishte llogaridhënie. Lere se ç’thonë “ferr dhe gjak”, kishte dhe llogari dhe dashuri… Ja historia ime: Pas shkollës së mesme, duhej të bëje një vit stazh, ku duhej të shkëlqeje që të shkoje në shkollë të lartë. Unë punova në  një stalla lopësh. Çohesha në 3 të mëngjezit për të ndjekur mjeljen e lopëve dhe për ta çuar qumështin e freskët “tek xhadeja” ku vinte frugani nga Pogradeci…Atje shkonte qumështi i freskët. Prindërit e mi pinin hirrë…Më pas unë u bëra teknik dërzimi. Merrja çdo javë në termusa “spermë demi” rrace nga Tirana… Sa me qejf e bëja atë  punë(!) Por një ditë…Ah, ajo ditë, termusi plot “spermë demash hollandezë” i ndryshkur në fund nga tejpërdorimi u shqye dhe mua më ra përtokë “sperma hollandeze”. Nuk kishte gjë të  frikshme ato kohë. I mblodha qeskat plastike me duar që më dridheshin dhe i dhashë biçikletës që materiali biologjik të mos ngordhte…Isha me fat. Nuk më dënoi kush për “spermën hollandeze”, por në proçesverbal u shënua “Termusi u dëmtua nga tekniku SHM”. Firmosa. Do ma falin, thashë…

1979. Unë isha student në fakultetin e veterianrisë tek Shkolla e Dakës. (Dakos). Isha njeriu më i lumtur.Takova shokë e miq që së bashku fillonim  aventurën e shkollës së lartë. Por një ditë. Ah ajo ditë. Me emrin tim vinte nga kooperative bujqësore Blacë një faturë 250.00 lekë sepse kisha dëmtuar “pronën e përbashkët socialiste”… Nuk fjeta gjithë natën. Kisha një tregim dhe e çova tek revista “Pioneri”. U botua dhe mora një honorar prej 350.00 lekë dhe pagova faturën nga kooperativa…

Kanë kaluar 4 dekada dhe unë akoma e mbaj mend. Ishte një gjobë e padrejtë, por unë e pagova. Ende e kam para syve letrën që më erdhi në konvikt nga kooperativa. Ishte një kryeveteriner që më urrente dhe më ndoqi nga pas me një faturë që  “mu ngulit” në mendje… Edhe tani kur kam paguar qindra e mijra “fatura amerikane”, ajo gjobë nga kooperativa ime më ka ngelur në mendje… E meritoja apo jo, nuk e di, por e pagova…

Po sikur edhe këtyre 19 “palloshave” Kuvendi t’u kishte dërguar ndonjë “faturë të kripur” a nuk do ishte më mirë se sa “përjashtimi”?… Kot mu kujtua ajo gjoba socialiste, por më duket se i shkon si “kostum perfekt” kësaj çmendurie mes ligjvënësvë që “vetëm ligje nuk bëjnë”…

Secili të ketë $5000.00 gjobë dhe t’u mbahet nga rroga. Pra dy muaj pa rrogë. Aty të llogaritet: dëmi fizik, energjia  dhe koha e gardistëve, kostua e transmetimeve të kota televizive, “vjedhja”e vëmendjes së opinionit dhe  mbasedo ishte mirë të ishte $7000.00 dollarë. Një llogari e thjeshtë: 133 mijë dollarë… A ka “ballomë” më të mirë se kjo? Sepse me deputetët nuk fiton dot duke i akuzuar për “fjalën që thonë”. Ata janë mjeshtra. E kanë rregulluar me ligj të thonë çfarë të duan dhe të mos mbajnë përgjegjësi. Ata janë mjeshtra për të parë “prapanicën e tyrë”,  jo vetëm në Shqipëri por edhe këtu në Amerikë. Kongresmenët dhe sentatorët thonë çfarë të duan dhe nuk japin llogari kurrë… Mbase mirë e kanë se puna e tyre vetëm blla-blla është.Nuk prodhojnë asgjë tjetër të matshme apo të dobishme.

Vetëm kuleta u dhemb. Nuk e kuptoj pse nuk e bëjnë këtë. Është gjë e thjeshtë. A thua që ka ndonjë ligj që deputeti nuk mban përgjegjësi edhe po ta “shkrumbosë” parlamentin? Mbase  edhe ky ligj mund të jetë miratuar dhe unë  dërdëllis kot “Si e ëma e Zeqos në majë të thanës”. A dini gjë nëse e Ëma e Zeqos ka qënë deputete shqiptare? Nëse po. Kot flasim. Kot lexojmë…

“Futuni duart” në… xhepa. Ka për t’ju djegur keq. Pse gjobat vetëm për popullin janë? Po ata “të marrët” në parlament nuk duhet të paguajnë gjoba?…

 

 

Please follow and like us: