Albspirit

Media/News/Publishing

Saga diplomatike e Ballkanit në një pjesë botimesh të Shaban Muratit

Çerçiz Loloçi

Libri i radhës i Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” plotëson sagën diplomatike të Ballkanit, me një sërë botimesh të mëparshme për të gjitha vendet e gadishullit tonë, që pavarësisht hapave të hedhura integruese në tri dekadat e fundit, një pjesë e tij, megjithëse me përkatësi europiane, mbetet jashtë kësaj familje kontinentale.

Për shkak të profesionit dhe të editimit të një portali, nga autorë të tjerë të zëshëm nga Ballkani, kam parë libra të veçuar për një apo dy shtete, por ende nuk kam gjetur një autor që të fokusojë të gjitha vendet, me epërsitë dhe boshllëqet e tyre, siç ngjet me diplomatin tonë që vlerësohet herë si patriark i diplomacisë dhe herë tjetër si një institucion akademik i pavarur, që ndjek dhe analizon ftohtësisht zhvillimet, aktet, marrëveshjet e mosmarrëveshjet dhe që ka një zë origjinal brenda dhe jashtë vendit.

Pavarësisht keqkuptimeve, mërive, mospajtimeve, protagonizmit të tepruar dhe shpesh të lajthitur të politikanëve në të gjitha viset e natyrshme, është fakt i pakontestueshëm që shqiptarët përbëjnë kombin më të rëndësishëm në Ballkan,  me kontribute të hershme dhe të sotme në qytetërimin dhe vlerat perëndimore.

Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s, që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, diku më shumë dhe diku më pak, me përkatësi shqiptare, janë gjithashtu anëtarë të Aleancës Euroatlantike, që shteti më i ri i Europës ka partneritet me SHBA, flet për një përfaqësim gjithnjë në rritje të faktorit shqiptar në planin ndërkombëtar.

Natyrisht SHBA, Bashkimi Europian, Anglia, Gjermania dhe Italia janë partnerët më të rëndësishëm për viset tona, por përveç tyre, sipas analistit të vëmendshëm Murati, një rëndësi të veçantë për interesat tona marrin edhe raportet me Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Turqinë.

Pikërisht në këtë botim të fundit, me mbi tridhjetë e shtatë analiza, të publikuar në kohë të ndryshme, autori tërheq vëmendjen për ridimensionim marrëdhëniesh me shtetin më të madh të Ballkanit, me Turqinë, pa pretendime territoriale, me lidhjet të hershme dhe të reja, me prani të hershme në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare, me një kujdes të posaçëm kur kërcënohet integriteti tokësor.

Kohë më parë, falë një mbështetje nga një organizatë jofitimprurëse, kam publikuar dy libra modestë për Turqinë, njëri që mbështetej në të dhënat e partisë “Për drejtësi dhe zhvillim” të Erdoganit, që duhet marrë me rezervë se nuk ka forcë politike që flet keq për vetveten dhe një tjetër “Turqia, nga fuqi rajonale në superfuqi botërore”, që mbështetej në të dhënat e agjencive më të mëdha botërore, BBC, SETimes, Voice of America (VOA), Deutsche Welle (DW) dhe kompani të tjera lajmesh nga të gjitha kontinentet. Përzgjedhja e 77 artikujve nga shtypi më serioz botëror dhe sjellja në një botim, përpos dëshmive që jepen për këtë vend mik, kanë gjithashtu edhe apelin për klasën politike shqiptare për një rivlerësim të marrëdhënieve mes tyre. Turqia ashtu si edhe Shqipëria kanë tashmë një raport specifik me SHBA, kanë gjithashtu dekada bashkëpunimi me Europën, çka është një bazë e mirë për të ecur më shpejt në rritjen e ekonomisë dhe në forcimin e institucioneve.

Post Scriptum:

Disa nga botimet e Shaban Muratit janë mbështetur nga fondacioni “Çamëria”, çka vlen një mirënjohje për të dhe drejtuesin Alket Veliu.

https://www.illyria.com/saga-diplomatike-e-ballkanit-ne-nje-pjese-botimesh-te-shaban-muratit/

 

Please follow and like us: