Ministri i Mbrojtjes flet nga Janina për Greqinë e Madhe dhe lëshon akuza ndaj Shqipërisë
Në Janinë sot, zyrtarët më të lartë të shtetit grek janë mbledhur të festojnë 111 vjetorin e çlirimit të këtij qyteti. Një kremtim që u shfrytëzua nga ministri grek i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, që të flasë për atë që e cilësoi Greqia e Madhe dhe të lëshojë mesazhe kritike ndaj Shqipërisë, duke e akuzuar se nuk respekton legjislacionin e Bashkimit Evropian ku tenton të jetë anëtare.
Duke u ndalur në çlirimin e Janinës nga zgjedha osmane, Dendias tha se 21 shkurti 1913 është një datë historike në historinë greke duke shtuar se ajo shënoi dje atë që e cilësoi fitore të grekëve në luftërat ballkanike dhe shtoi:
“21 shkurti 1913 vulosi fitoren e ushtrisë greke në luftërat ballkanike dhe vulosi integrimin e Epirit në shtetin grek. Gjithashtu dua të them se kjo fitore kishte një karakter më të gjerë. Ajo nxiti shpirtin kombëtar, krijoi Greqinë e madhe”, tha Dendias, citon noa.al.
Menjëherë më pas, Dendias atakoi Shqipërinë: “Greqia, siç e dini, është një vend që është fort në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe po i referohem edhe Shqipërisë fqinje, e cila, megjithatë, gjithmonë në kuadrin e përpjekjes së saj për t’u bashkuar me familjen evropiane, duhet të ketë parasysh nevojën për të respektuar legjislacionin evropian”./noa.al