Albspirit

Media/News/Publishing

Vuçiç: Populli vëlla rus, nuk do vendosim sanksione ndaj Moskës!

Serbia do të vazhdojë politikën e mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, përkundër presionit të madh që merr nga Perëndimi, tha presidenti serb Aleksander Vuçiç.

Në një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Andrei Kondrasov, Vuçiç tha se do të përpiqet të mbrojë qëndrimin e tij për çështjen e sanksioneve kundër Rusisë në të ardhmen.

“Përgjigja ime do të jetë e njëjtë, se ne do të përpiqemi të mbrojmë pozicionin tonë sa më shumë që të jetë e mundur. Këtë e bëjmë tash e dy vjet. Nuk e di se sa do të mund ta vazhdojmë këtë”, tha Vuçiç.

Presidenti serb tha se vendimi për të mos vendosur sanksione është marrë në interes të vendit dhe bazuar në përvojën e popullit serb nga sanksione të ngjashme të vendosura ndaj tij në të kaluarën.

“Ne vendosëm ta dënojmë konfliktin, siç bënë të gjithë, por jo të vendosim sanksione. Ne e dimë se si është kur të vendosen sanksione dhe do të ishte e padrejtë të sillesh kështu me popullin mik rus”, theksoi Vuçiç.

Serbia është i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione, duke e cilësuar këtë qëndrim si “të ndershëm” dhe ka përdorur shprehjen popullore: “Një mik i mirë shihet në vështirësi”.

Vuçiç i uroi “popullit vëllazëror rus” stabilitet dhe sukses në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

“Ju uroj suksese dhe shpresoj se do të kemi mundësinë të takohemi më shpesh dhe më lehtë se në dy vitet e mëparshme”, tha presidenti serb në fund të intervistës së tij për TASS.

Please follow and like us: