Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Sot Prof. Anesti Boçka mbush 95 vjeç

Sot Prof. Anesti Boçka mbush 95 vjeç. Një nga figurat më të shquara të mjeksisë moderne shqipëtare dhe një nga themeluesit dhe drejtuesit e Fakultetit të Mjeksisë qysh kur më 1956-tën u kthye në atdhe pasi mbaroi studimet në Universitetin e Moskës së bashku me korifej të tjerë si Prof. Ilir Gjylbegu, Prof. Ylvi Vehbiu, Prof. Simon Çapeli etj.

Një jetë përkushtuar plotësisht me ndershmëri ndaj profesionit dhe të sëmureve të cilëve iu dha gjithçka pa marrë asgjë tjetër si shpërblim veç mirënjohjes. Ai për më shumë se dy dekada shërben si shef i Katedrës së Otorinolaringologjisë ku me punë këmbëngulëse arriti të sjellë ndërhyrjet kirurgjikale me mikroskop dhe endoskopi dhe t’u mësojë sa e sa breza specialistësh në këtë fushë sa të vështirë dhe delikate duke u bërë urë bashkëpunimi me specialitete të ndryshme si ajo e kirurgjisë maksilofaciale, neurokirurgjisë, pulmonologjisë etj.

I pari, që vendosi bazat e studimit dhe trajnimit për ndërhyrjet kirurgjikale në kadaver dhe në atë të eksperimentimit në kafshë laboratori për perfeksionuar ndërhyrje të tilla si stapedectomi dhe rikonstruksionin e kockëzave të dëgjimit dhe më vonë disa ndërhyrje në bazën e kafkës dhe të kockës temporale dhe pas specializimit pranë Prof. Albuker në Paris, më 1974, timpaniplastikën me të cilat hapi perspektiva të reja në trajtimin e sëmundjeve të rënda të veshit të mesëm dhe të brendshëm.

Vazhdoi të punojë edhe pasi e nxorrën në pension deri në moshën 87 vjeçare duke gëzuar espekt dhe nderim të veçantë nga shokët, kolegët, studentët dhe të sëmurët edhe sot ku jeton i rrethuar me përkujdesin dhe dashurinë e familjes së tij, me mbesa dhe nipa. Gjithmonë stoik, i mprehtë dhe erudit në vendimin klinik dhe diagnostik, me duar të arta për çfarë arriti për më shumë se gjysmë shekulli në fushën e tij të betejës.

Shembull i rallë për të gjithë brezat që do vijnë pa çka që Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë e harrojnë të zënë me propagandën partiake të Rilindjes kryekëput të korruptuar, ku mjekësia “falas” është kthyer në mjet fitimi, shumë larg asaj të vërtetës dhe njerëzores.

Gëzuar dhe jetë të gjatë!

Please follow and like us: