Albspirit

Media/News/Publishing

11 vjet më parë/Shaban Murati: Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit

Diplomati dhe analisti diplomatik i mirënjohur, Shaban Murati, nxori në qarkullim librin e tij të ri “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”. Libri pasuron kolanën e librave të autorit kushtuar problematikës, fizionomisë, rrugëtimit dhe përballjeve konkrete të diplomacisë shqiptare në ditët e sotme me detyrat dhe misionin e saj. Në qendër të analizave diplomatike vendoset objektivi profesional, shkencor dhe diplomatik, i kërkimit të një identiteti shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë shqiptare.

Në vështrimin kritik të autorit, diplomacia shqiptare e periudhës së demokracisë ende nuk e ka gjetur dhe formuar identitetin e vet shtetëror dhe kombëtar dhe duhet t’i futet rrugës së kërkimit të këtij identiteti.
Libri ndalet në analizën e kësaj dukurie shqetësuese dhe me rëndësi për diplomacinë dhe për shtetin shqiptar, duke e zbërthyer në qëndrimet dhe interpretimet konkrete të problemeve dhe të marrëdhënieve aktuale të Shqipërisë me shtetet e tjera, kryesisht ato fqinje, të politikës rajonale dhe ndërkombëtare të Shqipërisë. Në këtë optikë ai analizon dinamikën dhe veçoritë e reja të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA, tronditjet dhe rreziqet e moskuptimeve diplomatike. Analizon marrëdhëniet aktuale me Turqinë si partner i ri strategjik, dhe me Greqinë, në dritën e zhvillimeve më të reja në marrëdhëniet e Shqipërisë me këto dy shtete.

Libri u kushton rëndësi të veçantë aspekteve diplomatike dhe shtetërore të marrëdhënieve me Kosovën, ku autori fokuson dilemën e madhe të diplomacisë së Shqipërisë mes folklorizmit dhe forcimit institucional të marrëdhënieve specifike mes dy shteteve shqiptare. Një këndvështrim interesant paraqesin analizat e autorit për problemet kardinale të organizimit dhe të funksionimit të shërbimit diplomatik shqiptar, me pengesat dhe faktorët negativë për t’u kapërcyer.
Frut i një përvoje unike prej 45 vjetësh si analist i politikës së jashtme, nga të cilat 14 vjetët e fundit autori është analisti i politikës së jashtme në “Gazetën Shqiptare”, libri sjell një panoramë të re, origjinale dhe profesionale, të problemeve të sotme të diplomacisë shqiptare, gjë që e bën atë një manual me interes si për diplomacinë dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu dhe për studiuesit dhe të apasionuarit e diplomacisë dhe të politikës së jashtme.
Libri i diplomatit dhe analistit diplomatik Shaban Murati “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit” vjen si një kontribut i ri i çmuar në drejtim të zhvillimit të mendimit diplomatik shqiptar, aq i domosdoshëm për formimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë shqiptare.

Please follow and like us: